Një amerikanojugore fiton Kupën e Botës 2010, e thotë historia
Për të parashikuar cila skuadër do ta fitojë Botërorin 2010, nuk nevojitet asnjë magji, apo sfera nëpërmjet së cilës shihet e ardhmja. Mjafton të shfletosh “Librin e Artë” të aktivitetit më prestigjioz, për të krijuar një ide se çfarë pritet të ndodhë. Prej afro 50 vitesh, Kupa e Botës shkëmbehet në mënyrë sistematike ndërmjet përfaqësueseve europiane dhe atyre nga Amerika Jugore. Që prej edicionit të vitit 1962 të zhvilluar në Kili e deri në atë të mbajtur në vitin 2006 në Gjermani, zbulohet ligji i pashkruar se trofeu transferohet lart e poshtë vetëm në këto dy kontinente. Historia nis me fitoren e Brazilit në ‘62; katër vjet më pas vjen triumfi i Anglisë, ndërsa në edicionin pasardhës janë sërish Pele dhe yjet e tjerë të “seleçaos” që marrin trofeun në vitin 1970. Gjermania e rikthen kupën në Europë, ndërsa Argjentina e rimerr (në emër të amerikanojugorëve) në vitin 1978. Pjesa tjetër është pak a shumë historia e futbollit modern, ndërsa botërori fitohet nga Italia, Argjentina, Gjermania, Brazili, Franca, sërish Brazili dhe në fund nga Italia. Rituali është përsëritur me përpikëri të jashtëzakonshme: Europë, Amerika Jugore, Europë, Amerika Jugore…
Nëse rrjedha e ngjarjeve i qëndron besnike historisë, është e lehtë të imagjinosh se çfarë do të ndodhë: tashmë radhën e ka një përfaqësuese nga Amerika e Jugut, ndërsa si pretendente cilësohen Argjentina dhe Brazili. “Seleçao” është favorite, duke qenë se ka arritur të triumfojë në të gjitha kontinentet ku është zhvilluar turneu: Europë (Suedi 1958), Azi (Kore dhe Japoni 2002), Amerika Veriore (SHBA 1994) dhe Amerika Jugore (Kili 1962 dhe Meksikë 1970). Por, ekziston një kuriozitet që shqetëson skuadrën e Dungës: Brazili dhe Argjentina e kanë fituar kupën me “dopietë”, në distancë 8 vjet njëra nga tjetra. Sipas llogarive, tashmë është radha e argjentinasve. Me fjalë të tjera, përfaqësueset si Spanja, Anglia apo Gjermania, që shpresojnë te fitorja, mund të fillojnë të bëjnë gati valixhet për t’u kthyer në shtëpi.
#