E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nje anektode diplomatike ende e pangjare

Goja. Gjatë drekës vëmendjen
më të madhe e tërheq goja e tij.
Kur e pret copën e mishit, është
e pamatur për bisedë. E
madhe, copa do të duket herë pas here në
hapësirën tashmë të zgjeruar mes dhëmbëve,
buzës dhe gjuhës, ndërsa përtypet,
përçapet, mbllaçitet. E përtypur, ndoshta
dhe e dromcuar ca nga pështyma dhe
lëvizja mahnitëse e përbashkët e gjuhës
dhe e dhëmbëve, copa e mishit nuk do ta
pengojë që në të njëjtën kohë të flasë. Nga
goja dalin fjalët dhe grimcat e mishit, ca
më të vogla se të tjerat, të bashkuara në
një shpërthim emocional përshkrimi të
vendit të tij, të aleatëve të vendit të tij, të
kundërshtarëve, të luftërave, të paqes, të
traditave, të barsoletës për marrëdhëniet
mes bariut dhe shtazëve të tij (qesh,
vetëm ai, dhe me qeshje dalin më shumë
grimca mishi, ca më të vogla se të tjerat).
Goja do të mund të kishte qenë objekt
i librit të gjatë e përplot anekdota të historianit
Johnathan Wright ("Ambasadorët",
Harcourt, Londër, 2006). Në të, Wright
rrëfen për fillet e diplomacisë, të ambasadorëve,
të të dërguarve të mbretërve e
princërve, që fillimisht shkonin te kundërshtarët
për të kërkuar prej popujve të
mposhtur në luftë tagrin e të sunduarit,
apo për të diktuar kushtet e dorëzimit.
Pastaj, do të dërgoheshin për të vendosur
marrëdhënie tregtie, apo për të vendosur
koalicionet e luftës kundër fuqive të treta.
E, në pothuajse pesë shekujt e kaluar,
shërbejnë si nyje ndërlidhëse mes shteteve
e popujve, edhe atëherë kur shtetet
acarohen aq sa për të hyrë në luftë.
Kontakti me popujt e tjerë e ka ngritur
në institucion të dërguarin, emisarin,
ambasadorin, ndërsa në pjesë të punës
çdo gjë. Pos negociatave për ndërprerje
lufte, vendosje paqeje apo vendosje marrëdhëniesh
prej aleance, Wright shënon
edhe se ambasadori i Persisë, me të kaluar
kufirin me Kinën më 1420-ën, u prit me
një drekë madhështore "shotash, thëllënzash
dhe mishit të pjekur" e pas "ëmbëlsirave
të shumta, janë shërbyer edhe intoksikantë"
(që në traditën kineze do të
ketë qenë opiumi). Apo se të dërguarit
britanikë në Azi u kthyen në Londër më
1816-ën me një orangutang nga Borneo e,
në raportin zyrtar të ambasadës, u shënua
se shtaza "ka preferencë për kafe e çaj, por
lehtësisht do ta pranonte edhe verën dhe
ky afinitet ndaj alkoolit u dëshmua edhe
kur ia vodhi kapedanit shishen e Brendit".
Ndërsa, në mesin e shekullit XVIII,
mbreti i Prusisë, Frederiku i Madh, ua dha
një këshillë kandidatëve potencialë për
ambasadorë në Londër. Ai duhet "të jetë
në gjendje të pijë më shumë verë se sa
anglezët dhe kur ta ketë bërë këtë, të mos
flasë për atë që duhet të mos bëzajë". E
kjo e arritur ishte bukur e vështirë: gjatë
një vizite në Hanover në dimrin e vitit
1716, ministri i Jashtëm i mbretit britanik,
George I, shërbeu 72 shishe vere për 13
mysafirë diplomatikë. Në fund të darkës,
të gjithë mysafirët, pos ministrit Stanhope,
ishin të dehur. I la të flenë dhe u ul
të mbajë shënime, së bashku me një diplomat
francez, për ata se ç‘kishin folur diplomatët
e dehur.
Goja, megjithatë, nuk arriti të hyjë në
libër. Si i dërguar i ri i Kosovës në njërin prej
shteteve me traditë më të gjatë shtetërore
e diplomatike, është ende në kategorinë
e anekdotës së ardhshme.
"Për fat të keq nuk kishim kohë t‘u
japim kurse protokolli", më tha këto ditë
një diplomat karriere, që po i ushtron të
dërguarit kosovarë, përfshirë dhe anekdotën
e ardhshme, Gojën së bashku me
shefat e tij.
2.
Ambasadorët u dërguan për çdo gjë që
sundimtari trajtonte si të rëndësishme.
Antioku i Sirisë dërgoi ambasadorin e vet
te Faraoni i Egjiptit për të sjellë mbrapa verë
të ëmbël, fiq të tharë dhe një filozof sofist.
Një sundimtar aziatik dërgon për në
Senatin e Venecias ambasadorin e tij, me
lutje për t‘ia dërguar një mjek të specializuar
për ulcerë të këmbës.
Cari rus, Vlladimiri, i vendosur t‘i ikë
paganizmit, dërgoi ambasadorët e vet
për të sjellë prapa një fe. Kur u kthyen
dhe i rrëfyen për to, e refuzoi Islamin se
ia ndalonte rakinë, e refuzoi hebraizmin,
sepse hebrenjtë ishin ende të pashtet
dhe mori krishterimin, sepse kishte
mbërritur të ndërtonte Aja Sofinë në Kostandinopojë;
shkatërroi të gjithë idhujt
paganë në Kiev dhe dërgoi me dhunë
qindra mijë banorë në lumin Dnjepër,
për t‘u bërë pagëzimin.
Ndërkaq, në shekullin XV, princi Gallarzo
Mario Sforza i dha një mision të jashtëzakonshëm
ambasadorit të tij, bujarit
Tristan. E çoi si të dërguar fuqiplotë
në martesën e vet Sforzës, detyrë
të cilën e përmbushi, duke përfshirë
"hyrjen në shtratin martesor dhe të
prekurat e vitheve".
Këto anekdota të margjinave,
megjithatë, nuk e zvetënojnë rolin
shumëherë esencial që kanë luajtur ambasadorët.
Në shekullin XIII, me të vendosur
kontët francezë se duan "ta
çlirojnë Jerusalemin", duke filluar
Kryqëzatën e Katërt, dërgojnë gjashtë
ambasadorë për të bindur Venecian të
japë kontributin e vet, duke siguruar
(në këmbim parash), anije transporti për
ushtritë e krishtera. Prijësi venecian
kërkon kohë për t‘u konsultuar me
Këshillin e tij (Parlamentin) e madje
edhe me popullin, të cilin e mbledh në
një referendum rrugor në sheshin e
Shën Markut. Me të marrë vendim pozitiv,
këtë lajm ua kumton gjashtë ambasadorëve,
të cilët zhvillojnë negociata pa
kurrfarë konsultimi me kontët e Francës.
Ata bartnin me vete letra "që janë letra
besimi dhe që deklarojnë vetëm se bartësve
duhet t‘u besohet sikur të ishin
vetë kontët dhe se kontët do të zbatojnë
çfarëdo që të merren vesh të gjashtë të
dërguarit".
Formulimi, "sikur të ishin vetë
kontët", ngriti cilësinë e të dërguarve, në
atë që sot quajmë "ambasadorë fuqiplotë",
pra të dërguar që përfaqësojnë
shtetin me kapacitet, siç u pa, edhe për
traktate ndërshtetërore.
3.
Të dërguarit e rinj të Kosovës do të
kenë më pak kompetencë se të dërguarit
e vitit 1261. Për dallim prej gjashtë ambasadorëve
që shkuan në Venecia, dhjetë
të dërguarit kosovarë do të jenë "të
ngarkuar me punë" me dy mungesa thelbësore.
Nuk do të kenë "letra besimi"
(apo siç njihen në praktikë "letra kredenciale"),
e rrjedhimisht nuk do të jenë
"sikur të ishin vetë kontët", pra nuk do të
jenë "fuqiplotë".
Si është e mundur që, pas një procesi
kaq të gjatë të shtetndërtimit dhe një
historie kaq të gjatë të diplomacisë në
botë, Kosova të mos ketë qenë në gjendje
që në ditën e saj të parë të pavarësisë
të ketë ambasadorë fuqiplotë, që u
dorëzojnë letrat kredenciale presidentëve
të vendeve të akredituara dhe
mbretëreshës britanike?
Interpretimi i krerëve institucionalë,
me tonin e përhershëm gri dhe mediokër,
ishte se nuk ekzistojnë kushtet ligjore për
këtë.
Interpretimi anekdotal është se
krerëve ende "nuk u kanë thënë se duhet
të kemi ambasadorë".
Ndërkaq, interpretimi që do t‘i shërbente
librit të J. Wright, për të ardhmen,
është se me të hartuar ligjin për diplomaci,
hartuesve kosovarë u ishte servirur
mostra britanike, me të cilën ambasadorët
zgjidhen me konkurs.
Nuk u kishte shpjeguar kush përpiluesve
(gjegjësisht përkthyesve) të ligjit,
kontekstin britanik. Foreign Office, Ministria
e Jashtme britanike, është themeluar
më 1782-shin dhe kur ata e institucionalizuan
konkursin (pas Luftës së
Dytë Botërore) tashmë kishin mbi 150
vjet funksionimi, me diplomatë karriere
që do të paraqiteshin në konkursin e
brendshëm.
Të humbur në përkthim, aspirantët
për ambasadorët e ardhshëm kosovarë
do të duhet të përcjellin konkurset në të
njëjtën faqe të gazetës ku kërkohen edhe
kontabilistë për supermarket, shitës ambulantë
për një prodhues ushqimor të
Maqedonisë, vozitës në ambulancën e
Malishevës dhe anulim konkursi për
përkthyes në një Kuvend komunal.
4.
Emrat e dhjetë diplomatëve të emërtuar
kosovarë u janë transmetuar me notë
verbale shteteve nikoqire, meqë, sipas
interpretimit ligjor, këta janë të ngarkuar
me punë. Dhe, meqë transmetimi me
notë verbale nuk trajtohet si kërkesë për
pajtim të shtetit nikoqir (të cilit në praktikë
diplomatike i referohet si agrement
apo agreman), nuk e dimë saktësisht se
ç‘mendojnë shtetet nikoqire për të dërguarit
tonë, anipse ka indikacione për së
paku njërin se nuk është i mirëseardhur.
Ndoshta do të kishte ndihmuar që
gradualisht, krerët kosovarë të fillojnë të
bëjnë edhe vetë pak diplomaci. Aty ku
janë emërtuar njerëzit që gëzojnë nam e
respekt, brenda dhe jashtë vendit, do të
duhej t‘u thuhej kancelarive se propozimet
kanë qenë edhe për të nderuar vendin
e tyre. Aty ku janë emërtuar njerëzit
që nuk njihen për të mirë, apo nuk njihen
fare, do të duhej thënë se këtë e kanë
bërë nga mungesa e plotë e përvojës.
Nga shoqëria civile kosovare do të
mund të bëhej një shpjegim plotësues
dhe po aq balancues. Njerëzit e vlerave
që dërgohen si të ngarkuar me punë, përfaqësojnë
Kosovën e vlerave. Ata që i
afrohen mediokritetit, apo janë nën të, e
përfaqësojnë po atë Kosovë, mediokre
apo nën të, të përfaqësuar edhe në elitën
politike të vendit.
Ndryshe, mund të ketë keqkuptime.
Në traditën diplomatike, i dërguari e
përfaqëson edhe shtetin, edhe natyrën
e marrëdhënieve mes shteteve. "Kur
nevojitej ofendimi, sunduesit drejtoheshin
kah njerëz gjithsesi joimpresiv
për të shërbyer si i dërguar i tyre. Luigji
XI i Francës njëherë dërgoi berberin me
detyrë diplomatike te Margareta e Burgundit;
një mbret tjetër francez e
hidhëroi tej mase Eduardin III të Anglisë,
duke i dërguar mesazh diplomatik
konfrontimi me anë të një ndihmësshërbëtori
kuzhine; qytetarët e Rodosit
të lashtë u zemëruan, kur Roma dërgoi
si ambasador jo vetëm njeriun që nuk
kishte rangun e zakonshëm të senatorit,
por edhe ishte i një instruktor i thjeshtë
gjimnastike".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›