E Diel, 1 Nëntor 2026

"Një anëtar, një votë", Meta merr mandatin e kryetarit

27/03/2005  Anëtarët e Lëvizjes Socialiste për Integrim votuan dje kreun e Partisë

Anëtarët e Lëvizjes Socialiste për Integrim votuan dje për zgjedhjen e kryetarit të kësaj force politike, në bazë të parimit "një anëtar, një votë". Procesi është monitoruar nga Instituti Demokratik Amerikan. Votimi u zhvillua në 350 qendra votimi në të gjithë Shqipërinë, të cilat u hapën në orën 8.00, dhe u mbyll në 18.00. Meta është konfirmuar nga elektorati si kryetari i parë i LSI-së dhe do të qëndrojë në këtë post për 4 vjet. Sipas statutit të kësj partie, kryetari ka të drejtën të zgjidhet për dy mandate. Më pas, anëtarët e LSI-së do të jenë të detyruar që të zgjedhin një tjetër emër. Burimet thanë se pjesëmarrja ishte rreth 80-85 për qind.

Monitoruesit

Drejtori Politik i NDI, Dan Redford, vlerësoi me nota maksimale zhvillimin e procesit të votimit për zgjedhjen e kryetarit të LSI, sipas parimit "një anëtar, një votë". "Për mua, ky është një fillim i mbarë për realizimin dhe konkretizimin e votimeve sipas parimit "një anëtar, një votë", theksoi Redford. Ai tha se deri në drekë, pjesëmarrja ishte 40 për qind. Redford u shpreh se procesi nuk është monitoruar vetëm në Tiranë, por dhe në qytetet e tjera të vendit. Sipas tij, është e rëndësishme që një parti politike po zhvillon këtë proces "një anëtar, një votë" për të zgjedhur kryetarin e saj.

Deklarata

Ilir Meta e ka cilësuar pjesëmarrjen e elektorarit në votime si një tregues i një manifestimi, mentaliteti të ri politik dhe qytetar, por njëkohësisht dhe një moment që nxit dhe inkurajon për të drejtuar me më shumë vendosmëri, energji dhe besim të plotë LSI-në në fitoren e saj. Ai theksoi se LSI është fituese në 40 zona në të gjithë vendin. "Jam i bindur se sot, ne i kemi mundësitë të fitojmë shumicën e zonave drejtpërdrejt në kryeqytet dhe po kështu edhe në zonën, ku unë jam banor dhe ku po votoj sot. Të gjithë duhet të jenë të bindur se LSI nuk hyn në këto zgjedhje për të hyrë në parlament, as për të qenë një forcë e tretë politike në parlamentin e ardhshëm, përkundrazi për të qenë forca e parë politike fituese e zgjedhjeve të ardhshme dhe njëkohësisht edhe forcë që do të udhëheqë procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe që do t’i japë fund tranzicionit pas 100 ditësh", tha Meta.

Zgjedhjet

Sipas kreut të LSI-së, afrimi apo jo i datës së zgjedhjeve parlamentare nuk është çështja më e rëndësishme. "Ndoshta më mirë do të ishte nëse do të ishin brenda muajit qershor. Por, ne mendojmë se kuadri zgjedhor është dëmtuar rëndë nga elementë të tjerë që janë shumë substancial, për të cilin ne jemi shprehur me kohë për defekte, të cilat ne jemi të bindur që do t’i kompensojmë me një strategji të qartë, jo vetëm për të tërhequr gjithë votuesit tanë dhe ata që kërkojnë ndryshim, por njëkohësisht edhe për të mbrojtur deri në fund çdo votë të LSI dhe për ndryshimin e Shqipërisë", tha kreu i LSI-së.

Korça qytet

81 për qind

Kukësi qytet

85

Përmet

93 për qind

Shkodër qytet

79

Berat qytet

79

Vlora

73

Dibra

83

Elbasani

73

Tropojë 68, Gramsh 70, Durrësi 66, Pogradec 83, Tiranë 58 deri në 72 për qind

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›