Serbia, plan për të “pushtuar” Kosovën
• Serbia është ofruar të qeverisë zonat serbe në veri të Kosovës, deklarojnë burime diplomatike për “Reuters”, një plan ky që mund të provojë ndarjen e shtetit të ri të pavarur.Propozimi është bërë këtë fundjavë nga Ministri serb për Kosovën, Sllobodan Samarxhiç, por është refuzuar nga administrata e OKB në Kosovë. “Qëllimi i këtij propozimi me sa duket ishte ndarja e Kosovës, duke thënë fjalë për fjalë që Serbia të qeverisë në komunat serbe”, citon nga një burim “Reuters”. Një burim tjetër në UNMIK tha se kjo kërkesë është ratifikim i ndarjes. Dje zv.shefi i UNMIK-ut, Larry Rossin ka konfirmuar se Samarxhiç, me të cilin u takua në fundjavë, i kishte dorëzuar një dokument i cili sipas tyre paraqiste “një strukturë për marrëdhënie mirëkuptimi mes Serbisë dhe UNMIK-ut”. Rossin tha se nuk mund të komentojë mbi përmbajtjen e këtij dokumenti. E mbështetur nga Rusia, Serbia e ka refuzuar pavarësinë e Kosovës që u deklarua më 17 shkurt dhe u ka kërkuar 120 000 serbëve të mbetur në Kosovë që të ashpërsojnë lidhjet me etninë shqiptare të Kosovës dhe të injorojnë misionin mbikëqyrës të Bashkimit Evropian. Analistët komentojnë se kundërshtimi i hidhur i serbëve për qeverisjen nga shqiptarët, i cili u tregua në protestat e dhunshme në Mitrovicë të hënën, ka krijuar kushtet për ndarjen. Më shumë se gjysma e minoritetit serb jeton e shpërndarë në pjesën jugore të Kosovës. Pjesa tjetër jeton përtej urës së lumit Ibër në një tokë që kufizohet me Serbinë. Policë, mjekë dhe mësues të kësaj zone, e cila ka qenë pika më e nxehtë e Kosovës marrin urdhra dhe paga nga qeveria serbe.Një rrugëdalje e pashprehur Serbia nuk do të propozojë zyrtarisht copëzimin e Kosovës sepse kjo do të tregonte braktisjen prej saj të kërkesës për pretendimin e të gjithë territorit si tokë serbe, gjë për të cilën ajo insiston se është sipas ligjeve ndërkombëtare. Liderët kosovarë e kundërshtojnë ndarjen dhe kanë deklaruar kufij të njëjtë si ato që ka pasur Kosova më parë. Perëndimi zyrtarisht e kundërshton ndarjen mbi argumentet se një hap i tillë do të promovonte nocionin e “shteteve etnike” në Ballkan duke kopjuar skemën për Kosovën. Në një raport për muajin e parë të Kosovës si shtet, Grupi Ndërkombëtar i Krizave, me bazë në Bruksel, ka paralajmëruar se Kosova nuk duhet të kthehet në një konflikt tjetër të ngrirë. “Për të parandaluar këtë, akoma më shumë vende të tjera duhet ta njohin me shpejtësi pavarësinë e Kosovës”, thuhet në raport, ndërsa BE dhe NATO duhet t’i tregojnë “Serbisë, të mbështetur nga Rusia, se nuk do të lejohet të copëtojë shtetin e ri”. Trazirat e së hënës u shpërndanë nga aksioni i policisë ndërkombëtare duke rimarrë gjykatën e OKB në Mitrovicë që rrëmbyen nga serbët tri ditë më parë. Serbia e ka humbur kontrollin mbi Kosovën që në vitin 1999, kur NATO ndërhyri për t’i dhënë fund masakrës masive kundër shqiptarëve. Humbja e Kosovës konsiderohet si një pikë shumë e fortë motive, pasi ata e konsiderojnë Kosovën si zemrën e kulturës së tyre dhe e urrejnë mbështetjen e Perëndimit për pavarësinë e Kosovës. SHBA dhe pjesa më e madhe e vendeve të Bashkimit Evropian ishin të parat që e njohën Kosovën si një shtet të pavarur, dhe BE po përpiqet për të vendosur një mision mbi rendin dhe ligjin për të drejtuar shtetin e ri. I ashtuquajturi misioni EULEX ka deklaruar se planifikon të vendoset në të gjithë Kosovën, por për momentin, e ka tërhequr skuadrën e tij të parë nga veriu i dominuar nga serbët, për arsye sigurie.(Marrë nga Reuters) Basha lobig për KosovënMinistri i Jashtëm, Lulzim Basha, u ka kërkuar vendeve të Konferencës Islamike, të cilat nuk kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës, për ta bërë një gjë të tillë. "Përfitoj nga ky rast për të falënderuar ato shtete anëtare që kanë njohur Republikën e Kosovës dhe në frymën e miqësisë dhe solidaritetit, u bëj thirrje të gjithë vendeve të tjera anëtare që të bëjnë të njëjtën gjë. Përveç se një akt solidariteti me vëllezërit dhe motrat tona kosovare, ky akt do të jetë edhe një ndihmesë për forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon, çka do t'u ofrojë të gjithë vendeve të Ballkanit perspektiva të vërteta për zhvillimin dhe begatinë e tyre të mëtejshme", ka deklaruar ministri Basha në Samitin e vendeve të Konferencës Islamike.Humb jetën paqeruajtësi ukrainas 25-vjeçarNjë paqeruajtës i OKB-së nga Ukraina humbi jetën pas plagosjeve të rënda të mara të hënën prej hedhjes së një granate dore nga një protestues serb në Mitrovicë. Në këtë qytet të ndarë mes dy etnive, tensioni mbetet ende i lartë. Trazirat e së hënës ishin më të dhunshmet në Kosovë që kur vendi deklaroi pavarësinë nga Serbia një muaj më parë. Trupat franceze të NATO-s kanë hedhur fishekë manovre në drejtim të protestuesve pa lënduar askënd.Ihor Kynal, 25 vjeç, ishte pjesë e kontingjentit special ukrainas në Kosovë që në muajin dhjetor. Ai ishte mes oficerëve që nxorën jashtë godinës në OKB-së pushtuesit serbë. Një delegacion zyrtar nga Ukraina do të vizitojë sot Kosovën për të parë gjendjen e oficerëve të tyre. 41 oficerë policie ende po trajtohen në spitalin e KFOR-it nga plagosjet e marra të hënën, 12 prej tyre janë dërguar në Francë për trajtim të mëtejshëm mjekësor. Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, me rastin e vdekjes tragjike të policit Ihor Kynal, ka ngushëlluar edhe komisarin e Policisë së UNMIK-ut, Lari Uilson dhe majorin Bogdan Salyug, komandant i kontingjentit ukrainas të Policisë së UNMIK-ut. Sejdiu luti komisarin Uilson që t’ia përcjellë dhimbjen e tij të gjithë pjesëtarëve të Policisë së UNMIK-ut, të cilët po bëjnë një punë të shkëlqyer për mbrojtjen e rendit dhe të ligjit në tërë territorin e Kosovës. Sejdiu theksoi se “polici Ihor Kynal ra pas plagëve të marra në misionin e shenjtë të ruajtjes së rendit dhe të ligjit në Kosovë, ndaj vendi ynë do të kujtojë atë gjithmonë me nderimin më të lartë”. Kreu i shtetit të Kosovës i ka dërguar një mesazh ngushëllimi edhe Presidentit të Ukrainës, Viktor Jushçenko. “Më lejoni t’ju shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta dhe të popullit të Kosovës për ndarjen tragjike nga jeta të bashkëkombësit Tuaj, policit Ihor Kynal, pjesëtar i Kontingjentit prej 155 policësh të Ukrainës në Kosovë. I ndjeri Kynal ra në misionin e shenjtë të ruajtjes së rendit dhe të ligjit në Kosovë, ndaj institucionet dhe qytetarët e vendit tim do të kujtojnë atë gjithmonë me nderimin më të lartë. Në këto çaste pikëllimi, ju lutem z. President, ia përcillni dhimbjen tonë të thellë edhe familjes Kynal”, thuhet në ngushëllimet e Presidentit Sejdiu. Kryeministri serb në largim ka fajësuar KFOR-in për dhunën e së hënës. Ndërkaq Presidenti serb, Boris Tadiç, në lidhje me konfrontimet e dhunshme në Mitrovicë, u ka bërë apel të gjitha palëve në Kosovë që të përmbahen nga përshkallëzimi i dhunës dhe ka paralajmëruar që “linja e kuqe kurrsesi nuk duhet kapërcyer”. Tadiç tha se institucionet ndërkombëtare duhet të gjejnë zgjidhje brenda Këshillit të Sigurimit të OKB-së, prandaj Beogradi është për vazhdimin e bisedimeve dhe kundër zgjidhjeve parciale, sepse sipas tij, ato çojnë në vatra të reja.NATO: Mitrovica “de facto” nën ligjet ushtarake NATO e ka vendosur qytetin e Mitrovicës dje, “de facto” nën ligjin ushtarak, pas trazirave të dhunshme kundër pavarësisë që morën edhe jetën e një pjesëtari të KFOR-it. NATO u ka urdhëruar të gjithë ushtarëve serbë në këtë qytet që të parkojnë në rajonet e policisë makinat e tyre dhe të ndërpresin funksionin normal. Fuqitë më të mëdha në botë bënë thirrje për qetësi në Mitrovicë. Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoliza Rajs i ka apeluar të gjitha palëve të përfshira në konflikt që të mos shfaqin dhunë. “Besoj që ne do të biem dakord se dhuna duhet të ndalet dhe të dyja palët duhet të përmbahen nga provokimet. U dërgojmë një mesazh të dyja palëve”, tha Rajs. Në një konferencë të përbashkët për shtyp me Rajs në Moskë, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ritheksoi kundërshtimin e Rusisë për pavarësinë e Kosovës. Ai i justifikoi serbët duke komentuar se ata kanë të drejtë pasi ndihen si të huaj në tokën e tyre.