Miratohet fondi për 30 familjet e prekura
22/12/2009 Banesat e dëmtuara nga rrëshqitjet
ELBASAN- Ministri Lulëzim Basha firmos fondin e parë të kompensimit për familjet e dëmtuara nga rrëshqitjet në Elbasan. Janë gjithsej 30 familje të lagjes Qafë-Dardhë në fshatin Gurë-Shpatë të komunës Polis në rrethin e Librazhdit. Kështu në bazë të këtij vendimi të Këshillit të Ministrave është miratuar 18 626 851 lekë që do të shpërndahet brenda pak ditëve nëpërmjet fondit rezervë të buxhetit të shtetit. Vendimi ka miratuar edhe listën me 30 emrat e kryefamiljarëve. Këta të fundit do të marrin paratë pasi të paraqesin dokumentacionin ligjor. Banorët e rrezikuar që përfitojnë kompensim do të duhet të largohen nga banesat e mëparshme. Shefi i Emergjencave Civile pranë prefekturës, Mustafa Arapi, tha se brenda pak ditësh do të bëhet edhe shpërndarja e parave për këto familje. Në këtë periudhë kjo zonë është e mbuluar me dëborë. Pritet që familjet t’i marrin paratë para Krishtlindjeve.