Një gur për varrin e ushtarit që e vranë
Libri, botim i Grupit Koha, ka për tematikë fatin e ushtarëve shqiptarë që u vranë gjatë shërbimit ushtarak në ish-Armatën Popullore të Jugosllavisë.
Libri është ndër studimet e rralla që merret me këtë temë. Në të sillen dëshmi dhe rrëfime rrëqethëse për fatin sa dramatik, aq edhe tragjik të të rinjve shqiptarë në atë ushtri.
Të pranishëm në promovim ishin edhe ambasadori i Shqipërisë, Islam Lauka, shkrimtari, Agim Vinca, dhe përfaqësuesja e Grupit Koha, Flaka Surroi, të cilët mbajtën fjalime rasti.
Ambasadori shqiptar shfrytëzoi rastin që t’iu bëjë thirrje institucioneve kosovare për ekranizimin e dramave të shumta nëpër të cilat kaloi populli shqiptar i Kosovës.
“Për fat të keq ne shqiptarët nuk kemi ditur, e as nuk po dimë që ta bëjmë prezente të vërtetën tonë, që ne e dimë dhe që kujtojmë se e dinë edhe të tjerët. Ndërkohë që të tjerët, edhe pse s’kanë të vërteta, po i paraqesin si të vërteta dhe po kanë sukses, për fat të keq. Dëshmi për këtë është edhe vetë raporti komik i Dik Marty’t”, theksoi, mes tjerash, Lauka.