E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një histori histerike



Nga Edvin Kulluri

Që Ylli Pango është i pambrojtshëm në atë që u shfaq në Top Channel, tashmë mund të thuhet se nuk përbën asgjë të re. Etika e munguar e zyrtarit të lartë në rang ministri, shfaqja në publik e pamjeve dhe vetë reagimi i menjëhershëm i Kryeministrit dhe aktorëve kryesorë të mazhorancës, e bën marrjen në mbrojtje të ish-ministrit të Kulturës një mision krejtësisht të pamundur dhe të pabazuar në sensin e përbashkët moral. Një ngjarje kaq e rëndë nuk mund të justifikohet assesi. Është e rëndë dhe e papranueshme. Dhe që për këtë shkak opozita, media dhe zërat publikë do të ngriheshin me forcë ndaj asaj që ka ndodhur, nuk ka askush asnjë dyshim. Por që “cikloni” i ngritur ndaj Ylli Pangos do të merrte drejtimin që opozita dhe mediat e opinionistët pranë saj po mundohen t’i japin, është gjithsesi e papranueshme. Dhe për këtë konstatim ka disa arsye.

Së pari, gjesti i Pangos është i rëndë dhe i dënueshëm moralisht, mbase edhe ligjërisht. Këtë të dytën e dinë vetëm organet e drejtësisë. E si gjithmonë “para-prokurorët” e tipit Gjinushi janë vënë në veprim me të njëjtin “patos”, siç dinë vetëm ata që mbijetojnë në politikë prej amoralitetit. Nuk është rastësi që kryetari i PSD-së, që ende nuk e di as vetë sa vota ka në elektorat, mezi pret si hienë që të ketë ndonjë çështje të diskutueshme, për t’u sulur me kurajon e ish-ministrit të regjimit komunist për të marrë flamurin e moralit!!! Personazhe kaq qesharake si ky vetëm në një sistem të paqëndrueshëm vlerash si ky yni mund të gjesh. Kjo është aq e vërtetë saqë ky politikan, gjen brenda vetes kurajon për të sulmuar ligjin për lustracionin, duke u bërë avokat i ish-të persekutuarve. Përndryshe nuk mund të gjesh arsye tjetër të kritikosh këtë nismë ligjore të mazhorancës. Është, si të thuash, që ndonjë ish-SS nazist të protestojë “për natën e kristaltë”, kur Hitleri nisi zyrtarisht planin e tij për shfarosjen e hebrenjve. Falë Zotit, Gjinushi nuk ka qenë një persekutor i shquar, por kjo s’do të thotë që të ketë moral për t’u shprehur për këtë çështje.

Nëse pyetet se ç’hyn zotëria në fjalë dhe ligji i lustracionit me çështjen “Pango”, përgjigjja është e thjeshtë. Ai dhe kolegët e tij, nën efektin histerisë politike që i ka zënë për fund, po kërkojnë më çdo kusht që rastin “Pango” ta bashkëngjisin me akuza të tjera të së majtës ndaj mazhorancës. Diçka më i zgjuar duket Edi Rama, i cili duke kuptuar që nuk është rasti për ta kthyer këtë çështje në një kauzë themelore politike, nuk ka dalë vetë të flasë si “solist” i parë, por ia ka deleguar çështjen atyre që e rrethojnë në interesat e ngjashme politike. Siç është rasti i disa gazetarëve, të cilët në emër të luftës së paepur ndaj mazhorancës, kërkojnë me çdo kusht të përfshijnë Berishën në përgjegjësinë e Pangos. E në këtë “histeri” nxjerrin nga goja e pena lloj-lloj marrëzirash. Dukë harruar që Pango ka kryer një akt individual të papranueshëm, pikësëpari për Berishën, po përpiqen në kufijtë e imagjinatës njerëzore t’i thonë atij në mënyrë tejet absurde se “përse e shkarkove Pangon”?! Në fakt, këta nuk e kanë hallin tek reagimi i menjëhershëm dhe i drejtë i Berishës, por tek çdo gjë që Kryeministri bën. E thënë popullorçe, “hip se të vrava, zbrit se të vrava”. Kjo lloj gazetarie nuk meriton asnjë emër tjetër përveç “histerisë”.

Për fat, historitë e pambështetura në argument dhe logjikë diskutimi e analize, kanë gjithnjë fatin e “çudisë më të madhe që zgjat vetëm tri ditë”. Publiku ka luksin që duke qenë i papërfshirë drejtpërdrejt në politikë, por vetëm si përfitues publik i saj, të jetë më i arsyeshëm në gjykimin e vet. Çdo qytetar normal e kupton se akuzat e opozitës dhe prokurorisë për realizmin e rrugës Durrës - Kukës apo shpërthimi i Gërdecit janë dy akuza që vijnë vetëm nga këto dy segmente. Ndaj nuk janë vendime të drejtësisë, por vetëm akuza për të cilat vendimet nuk i japin institucione “histerike”, por të drejtësisë. Amoraliteti i asosacioneve mes Pangos e akuzave të Edi Ramës ndaj Lulzim Bashës, është për më tepër dhe alogjik dhe i pathemeltë. Por nga ana tjetër, ato bashkohen vetëm në një vend. Në histerinë e opozitës “së re” dhe gazetarisë po aq “të re” që në kushtet e impotencës së argumentit gjen “histerinë” si metodë të vetme të luftës politike.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›