PS: Berisha kompenson xhepat me donacionet e Gërdecit
"Qeveria kompenson xhepat e saj me donacionet që jepen për tragjedinë e Gërdecit". Partia Socialiste nëpërmjet kësaj akuze ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me atë çka po bën qeveria për t‘u ardhur në ndihmë banorëve të dëmtuar nga shpërthimi i frikshëm i Gërdecit. Në paragrafin e dytë të pikës dy të vendimit të djeshëm të qeverisë citohet se "dhurimet nëse rezultojnë mbi vlerën e 150 milionë lekëve do të rimbursojnë fondin e emergjencës". "Nga njëra anë, qytetarët e solidarizuar që po dhurojnë nga paratë e tyre për banorët e Gërdecit, edhe pse njëkohësisht paguajnë edhe taksat për të mbushur buxhetin e qeverisë, dhe nga ana tjetër, qeveria e Kryeministrit Berisha që ka bërë ndërmend të kompensojë buxhetin e saj me paratë e dhuruara nga qytetarët", thuhet në komunikatën për shtyp të partisë më të madhe opozitare. Duke iu referuar kësaj komunikate, duket se me një vendim qeverie të turpshëm, qeveria po kërkon të minimizojë kostot e buxhetit të saj me dhurimet e qytetarëve dhe biznesit të destinuara për Gërdecin, duke i rifutur në buxhet. Në bazë të vendimit të ditës së enjte, qeveria kishte përcaktuar burimet e financimit, si edhe procedurat që do të zbatohen për kryerjen e pagesave për personat e dëmtuar nga shpërthimi famëkeq i Gërdecit.