E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi: Shkurtimi i investimeve, rrezik për zhvillimin ekonomik

Kërkesat Sektori industrialist paraqet pasojat negative të uljes së buxhetit

Reduktimi i shpenzimeve për investime konsiderohet nga biznesi si veprim jo i drejtë në kushtet e krizës ekonomike. Pas një analize të buxhetit, Konfindustria deklaron se qeveria ka mundësi ta gjejë zgjidhjen e krizës buxhetore në disa pjesë të ekonomisë dhe jo duke ulur investimet publike, me rreth 19 miliardë lekë.

Konfindustria vlerëson se vendimmarrja politike duhet të tregohet më e guximshme në politikat e saj buxhetore për të mos prekur investimet kapitale të domosdoshme për arritjen e zhvillimit ekonomik të vendit. Sipas biznesit të sektorit industrialist, mbajtja me çdo kusht dhe qëllim në vetvete e “Qëndrueshmërisë makroekonomike të varfërisë” si politika që FMN kërkon dhe qeveria ka pranuar, nuk mund të ndihmojë në zhvillimin e ekonomisë reale si burimin e vërtetë të punësimit dhe mirëqenies së qytetarëve shqiptarë.

Kërkesa e biznesit për kujdes në uljen e shpenzimeve lidhet me faktin se kriza ekonomike në shumë vende po tejkalohet dhe premisat për zgjidhjen e saj janë të shumta, nisur nga sinjalet paraprake. “Kërkesa jonë përforcohet akoma e më shumë nëse do të vlerësojmë se ekonomia reale e vendit ndodhet në kushtet- kur pasojat e krizës financiare botërore për veçoritë e ekonomisë reale shqiptare vazhdojnë të jenë të prekshme -kur ndihet dukshëm nevoja për likuiditet në ekonomi dhe veçanërisht për në industritë shqiptare të prodhimit të mallrave dhe shërbimeve - kur ndodhemi në kushtet e shtrëngimit të masës dhe termave të kreditimit nga sistemi bankar, ndikimi i uljes së shpenzimeve buxhetore pritet të jetë i dukshëm në pjesën e mbetur të vitit, duke rritur vështirësitë financiare deri në falimentim të një pjese të rëndësishme të industrive të vendit”, tha dje administratori i përgjithshëm, Gjergj Buxhuku.

Konfindustria mendon se janë të gjitha mundësitë, që pa ulur financimin e investimeve kapitale të parashikuara në buxhetin e shtetit, burimet financiare të rëndësishme të rritjes ekonomike të vendit mund dhe duhet të sigurohen nga rregullimi i funksionimit të tregjeve kryesore të vendit, si telefonia e lëvizshme dhe bazike, tregu i karburanteve etj., që realizohen në kushtet e pothuaj oligopolit, tërheqja e drejtpërdrejtë e kursimeve të qytetarëve dhe subjekteve për bonot e thesarit etj. “është plotësisht e mundur që një sistem më efikas i administrimit fiskal të mbajë në vend një sasi mjaft të madhe të burimeve valutore të siguruara kryesisht në tregje monopol të ekonomisë dhe që padrejtësisht dalin jashtë vendit”, përfundon Buxhuku.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›