Presidenti, ngushëllime në familjet e viktimave
Presidenti Bamir Topi vizitoi dje familjarët e viktimave të aksidentit tragjik rrugor të ndodhur dy ditë më parë, ku humbën jetën katërmbëdhjetë persona dhe u plagosën dymbëdhjetë të tjerë duke u shprehur personalisht atyre ngushëllimet e tij. Fillimisht, kryetari i shtetit u ndal në fshatin Gojan, ku u takua me familjarët e Zef Gjergjit, shoferit të autobusit të tragjedisë. Në vijim, Presidenti Topi ndau dhimbjen e thellë për humbjen e pazëvendësueshme dhe tepër të parakohshme të të dashurve të tyre, me të afërmit e viktimave të tjera në fshatrat Gjegjan e Shkozë dhe në Fushë-Arës. Në shtëpitë e këtyre njerëzve të goditur nga tragjedia, Presidenti i Republikës shprehu mbështetjen e tij institucionale për familjarët, duke theksuar se në të tilla momente tepër të vështira jetësore, gjithë vëmendja, kujdesi dhe dhembshuria njerëzore e qytetarëve shqiptarë dhe institucioneve shtetërore është përqendruar tek ata me nderim të thellë, human, solidaritet shpirtëror dhe angazhim maksimal për ndihmesën e vazhdueshme ndaj tyre në këtë situatë fatkeqe. Ndalesën më të gjatë Presidenti Topi e pati në familjen Mustafa, e cila ka qenë më e prekura në këtë tragjedi me humbjen e tre familjarëve, ndërkohë që tre të tjerë ende gjenden të lënduar në spital.
#