E Diel, 1 Nëntor 2026

Takimi; Stazhi 1-vjeçar në Gjykatën e Tiranës, prezantohen 8 magjistratët e rinj



KLD prezantoi dje në ambjentet e Gjykatës së rrethit gjyqësor Tiranë tetë kandidatët për magjistratë, të cilët me vendimin e datës 24.12.2008 u propozuan për të kryer stazhin profesional si gjyqtarë pranë kësaj gjykate. Bazuar në dekreti Nr.5992, datë 07.01.2009 të Presidentit të Republikës, konfirmohet propozimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i cili mundëson fillimin e ushtrimit të veprimtarisë gjyqësore për tetë kandidatët për magjistratë, në gjykatën e rrethit më të madhe gjyqësore të vendit. Rëndësia e kësaj vendimmarrje u pa e lidhur me ngarkesën e lartë të punës dhe shumëllojshmërinë e çështjeve gjyqësore që ofron gjykata e shkallës së parë të kryeqytetit, dhe që u vlerësua nga Këshilli se i shërben formimit profesional të magjistratëve gjyqtarë. Prezantimi i kandidatëve për magjistratë, u bë nga tre anëtarë të Këshillit, kryesuar nga z/kryetari Kreshnik Spahiu, në praninë e Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës z.Arben Ristani dhe të Kryetarit të Gjykatës së rrethit gjyqësor Tiranë z.Albert Meçe. Gjatë këtij prezantimi, përfaqësuesit e KLD-së u komunikuan magjistratëve rëndësinë e misionit të tyre në drejtësi, vlerësimin e lartë për nivelin profesional që gjyqtarët magjistratë kanë dëshmuar të kenë sjellë në sistemin gjyqësor, si edhe vëmendjen e posaçme që Këshilli i Lartë i Drejtësisë vazhdon t’i kushtojë këtij investimi të rëndësishëm për dhënien e drejtësisë. Në fillim të detyrës së tyre, tetë magjistratët u siguruan për predispozitën maksimale të drejtuesit të Gjykatës së rrethit Tiranë, si në drejtim të sigurimit të infrastrukturës së nevojshme për ushtrimin e detyrës, ashtu edhe në vëmendjen për përfshirjen e tyre në çështje të shumëllojshme dhe të përshtatshme për stadin e formimin të tyre profesional. Vendimet e tetë magjistratëve do t’i nënshtrohen si kontrollit të brendshëm gjyqësor, ashtu edhe shqyrtimit nga Këshilli Pedagogjik i Shkollës së Magjistraturës, për efekt të vlerësimit të tyre përfundimtar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›