Var veten në qeli vrasësi i kambistit
Një i akuzuar për vrasjen e një kambisti para tre muajsh ka varur veten ditën e djeshme në qelitë e paraburgimit në Korçë. Bashkim Muçka i ka dhënë fund jetës, pasi është vetëvarur me një çarçaf në burgun e Drenovës.
Viktima 55-vjeçare ishte arrestuar nga policia, pasi akuzohej se kishte vrarë me mjete të forta kambistin Beqir Basha. Sipas policisë, ngjarja ndodhi ditën e djeshme rreth orës 16:00, kur punonjësit e paraburgimit kanë shkuar tek qelia e 55-vjeçarit dhe kanë parë se ai i kishte dhënë fund jetës. Ata janë futur menjëherë për t’i dhënë ndihmën e parë dhe për ta liruar atë, por çdo gjë ka qenë e kotë, pasi Muçka nuk jetonte me. Ai kishte përdorur çarçafin e krevatit për të bërë një litar dhe për ta përdorur atë për të varur veten. Sipas burimeve nga policia, viktima po kalonte një gjendje të vështirë psikologjike, pasi ai ishte futur në burg për vrasjen e kambistit. Muçka dhe Basha kishin qenë miq të ngushtë përpara kësaj ngjarjeje.
Policia ka bërë të ditur se Muçka ndodhej prej disa muajsh në qelitë e paraburgimit në Drenovë, në pritje për të dalë përpara gjykatës nën akuzën e vrasjes së kambistit Beqir Basha. Dyshohet se 55-vjeçari i ka dhënë fund jetës në kushtet e depresionit brenda qelisë së burgut.
Shkak i vrasjes ka qenë një grindje banale, që përfundoi në përleshje, nga ku kambisti u qëllua me mjete të forta, duke humbur jetën. Autori i krimit ka deklaruar dy orë pas daljes nga gjendja e rrezikut skenën e ngjarjes tragjike. Sipas tij, gjatë një debati në shtëpinë e tij, 55-vjeçari dyshohet se ka qëlluar me çekiç dhe sende të tjera të forta Beqir Bashën, 56 vjeç, me të cilin kishte punuar si oficer policie deri në reformë, ndërsa më pas kryenin profesionet e tregtarit dhe kambistit. Por ndryshe nga versioni që ka dhënë Muvcka, duke ia hedhur fajin alkoolit, policia deklaroi se viktima dhe i dyshuari nuk kanë qenë të dehur, ndërsa motivet e krimit janë ato banale. Grupi hetimor dyshon se shkak është bërë xhelozia e 55-vjecarit, që dyshonte tek një tradhti e gruas.
Sipas policisë, pas marrjes së ndihmës mjekësore në spitalin e Pogradecit, 55-vjecari Muçka ka pranuar të flasë para hetuesve lidhur me ngjarjen e ndodhur në shtëpinë e tij, ku viktimë mbeti 56-vjeçari Beqir Basha. Sipas babait të dy fëmijëve, shoku e kishte fyer rëndë në shtëpinë e tij dhe pikërisht këtë fakt nuk e kishte duruar dot. "Nuk di se çfarë bëra, isha i pirë në momentet e krimit", - ka thënë 55-vjeçari gjatë rrëfimit, duke mos pranuar të tregojë motivin e vërtetë. Ai kishte deklaruar se pjesën më të madhe të ditës e kishte kaluar me Beqirin dhe kishim pirë shumë alkool dhe më pas kishin shkuar në shtëpi për të vazhduar pijen. “Ai më shau dhe më fyeu në nderin e familjes. Në këtë moment nuk mbaj mend asgjë, pasi kujtoj që u përleshëm", - ka thënë Muçka.
Por këto pretendime u hodhën poshtë nga hetuesit. Sipas tyre, motivi i vërtetë i kësaj ngjarjeje është një zënkë për motive banale.