Dëshmia: E vrava, se na e solli shpirtin në majë të hundës
Nuk shpreh pendesë para gjykatës për vrasjen e nënës së tij, duke shprehur edhe motivet që e çuan në këtë krim të rëndë brenda familjes. “Na e kishte sjellë të gjithëve shpirtin në majë të hundës të gjithë vëllezërve ndaj e vrava” mësohet të jetë shprehur para gjyqtarit 38-vjeçari Viktor Prendi, i akuzuar për vrasjen me dashje të nënës së tij, Dile Prendi. Sipas burimeve zyrtare nga gjykata, gjatë seancës së masës së sigurisë, ky shtetas nuk ka shprehur në qëndrimin e tij aspak pendesë për krimin e kryer, madje, duke rrëfyer edhe shkaqet që e çuan në këtë krim. Duke e parë në këtë gjendje, aspak të penduar, gjyqtari e ka pyetur Prendin nëse ka qenë i shtruar ndonjëherë në spital, dhe ky i fundit i është përgjigjur se “për gati 3 vjet me radhë kam qenë i shtruar disa herë në spitalin psikiatrik në Shkodër, sepse kam pasur probleme mendore. Shkak për krijimin e këtyre problemeve mendore ka qenë një përplasje që kam pësuar pasi kam rënë nga kali”. Një gjendje e tillë mendore mësohet të ketë shtyrë 38-vjeçarin në vrasjen e nënës së tij, madje, sipas akuzës, duke e akuzuar atë për vdekjen e të atit disa muaj më parë. Ky shtetas, sipas burimeve nga akuza, në dëshminë e dhënë pas ngjarjes, ka deklaruar se “e vrava nënën se më ngriti nervat”. Sipas akuzës, shtetasi Prendi, i martuar tre herë dhe baba i dy fëmijëve nga dy martesa, ka debatuar atë natë me nënën e tij, Dilen, duke e bërë fajtore për vdekjen e babait të tyre. Pas një debati të ashpër me të moshuarën, i biri e ka qëlluar për vdekje atë. Gjatë seancës së djeshme të masës së sigurisë, Prendi është mbrojtuar nga një avokat i caktuar kryesisht nga gjykata, ndërkohë që pasi dëgjoi dy palët, prokurorin dhe avokatin mbrojtës dhe klientin e tij, gjyqtari i gatshëm, Sokol Tona caktoi masën “arrest me burg” për shtetasin Viktor Prendi. Ngjarja për të cilën akuzohet i riu ka ndodhur rreth orës 19:30 të disa ditëve më parë në Prush të Tiranës. 38-vjeçari pas një zënke të radhës me nënën e tij ka marrë automatikun e llojit kallashnikov dhe më pas e ka qëlluar atë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Pas ngjarjes 38-vjeçari është larguar me vrap nga banesa private në të cilën jetonte, por u vu në pranga nga forcat policore të komisariatit nr. 6. Prendi akuzohet për veprën penale të “vrasjes me dashje”.