E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një i vdekur, pesë të plagosur

Drejtuesi i motoçikletës që i preu rrugën autobusit mbeti i vdekur në vend, ndërsa pasagjerët e gjetën veten në kanal

LEZHË - Një i vdekur dhe pesë të plagosur ishte dje bilanci tragjik i aksidentit që ndodhi në orët e para të ditës në autostradën Lezhë-Shkodër, në afërsi të fshatit Mabe të Lezhës. Një autobus i linjës Shkodër-Tiranë, me targë TR 6408 J, i cili udhëtonte në drejtim të kryeqytetit, u përmbys duke rënë në kanal, pas tentativës për të shmangur përplasjen me një motoçikletë. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Lezhës, mësohet se motoçikleta, në mënyrë krejt të papritur dhe pa sinjal, tentoi t’i presë rrugën autobusit të udhëtarëve. “Me gjithë përpjekjet për të frenuar dhe për të shmangur përplasjen, ka devijuar autobusin nga rruga, duke rënë në një kanal. Për pasojë ka gjetur vdekjen në vend drejtuesi i motoçikletës, Dashamir Medja, 34 vjeç, ndërsa janë plagosur edhe pesë pasagjerë që udhëtonin me autobus, mes së cilëve edhe djali 13-vjeçar i viktimës, i cili udhëtonte me të atin”, thuhet në deklaratën për shtyp të policisë së Lezhës. Të aksidentuarit e tjerë janë: Astrit Domi, 26 vjeç, banues në Kukës, Brahim Vata, 71 vjeç, banues në Kukës, Dervish Mema, 76 vjeç, banues në Bathore të Tiranës dhe Latif Papli, 50 vjeç, banues në Kukës. Uniformat blu mbërritën në vendngjarje vetëm pak minuta pas aksidentit, duke transportuar me urgjencë drejt spitalit pasagjerët e plagosur. Më pas, efektivët e policisë vijuan me ekspertimin e vendit të ngjarjes, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të përplasjes fatale mes autobusit dhe motoçikletës. Pesë të plagosurit pas marrjes së ndihmës së parë në spital, kanë lënë ambientet e tij për t’u larguar në shtëpi. Ky është rasti i dytë brenda pak orësh, kur automjetet shmangin përplasjen me motoçikleta që kalojnë në drejtim të gabuar. Dy ditë më parë, në fshatin Gorre të Lushnjës, një automjet u përpoq të shmangte përplasjen me një motor, por përfundoi në një kanal me ujë, ku si pasojë gjeti vdekjen drejtuesi i automjetit, ndërsa dy pasagjerë u plagosën. Ar. Bu

E plagos rëndë “zvicerani”

Një person mbeti i plagosur rëndë, për shkak të një aksidenti në superstradën Lezhë-Laç. Një automjet i tipi “Audi” që drejtohej nga Pajazit Pajaziti, përplasi një kalimtarin Preng Kuqaj, i cili ndodhet në gjendje të rëndë për jetën në spital. Pajaziti, me pasaportë zvicerane, i cili po udhëtonte në drejtim të automjetit, u ndalua nga policia, e cila po heton shkaqet e ngjarjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›