Rasti unikal polic me bekimin e Papës

FIER - Quhet Gjon Ndreu, është i martuar dhe me dy fëmijë, djalë e vajzë. Ai është i besimit katolik, ka lindur në Pukë, por prej vitesh banon në Fier, ku edhe punon në Drejtorinë e Policisë së Qarkut. Në vitin 2001 ai ka mundur të takojë Papa Gjon Palin II, një kujtim i paharrueshëm për të. “Para 7 vitesh punoja tek qendra sociale “Murialdo”, në periferi të Fierit, ku së bashku me At Karmelon ishim pjesëmarrës në një projekt të Ministrisë Italiane të Punës. Merreshim me rehabilitimin e të miturve që kishin qenë viktima të trafikut të paligjshëm në Shqipëri, Itali apo vende të tjera të botës. Gjatë projektit patëm mundësi të vizitojmë disa qendra simotra në Romë, Milano, Torino e Napoli, ndërsa ishte parashikuar edhe një vizitë në Vatikan”, tregon Ndreu. Teksa vizitonin shtetin e papatit, ai i kërkoi priftit katolik, At Karmelos, ndërmjetësim për të takuar Papa Gjon Palin II. “Nuk kthehem në Shqipëri pa takuar Papën, - i thashë, ndërsa ai m’u përgjigj se kjo ishte shumë e vështirë”, tregon efektivi i policisë, i cili falë këmbënguljes së tij, përmes një të këshilltari të papës, tanimë Papa Benedikti XVI Raishinger, i njohur i At Karmelos, mundi të finalizojë takimin e shumëpritur. “Ishte data 13 qershor e vitit 2001, ora 10:00. Hymë në selinë e tij, ndërsa kisha shumë emocione. Nuk mund të flisja, por At Karmelo më përkthente. I thashë Papës: “Jam shqiptar, me besim katolik. Besoj shumë tek Zoti. At, dua bekimin tuaj”! I putha dorën dhe ai më vendosi dorën e tij mbi kokën time për të më bekuar. “Ju keni besim tek Zoti dhe kur ke besim çdo gjë është e mundur, edhe e pamundura bëhet e mundur”, më tha Papa Gjon Pali II.
“Dua të takoj edhe Papë Benediktin XVI”
Gjon Ndreu tregon se si një ekip i posaçëm i shoqëroi më pas teksa vizitonin shumë vende të Vatikanit, i cili ruhej me roje vullnetarë nga Zvicra. “Mbeta i mahnitur edhe nga kisha e “Shën Pjetrit”, 160 metra e lartë”, thotë ai, duke shtuar se edhe pse kanë kaluar plot 7 vjet, ai e mban të gjallë këtë kujtim të shtrenjtë, pasi ka shumë besim tek Zoti. “Kam dëshirë që të takoj personin që më mundësoi këtë takim”, - thotë Ndreu për Papa Benediktin XVI, ish-kardinalin Raishinger, i cili në vitin 2001 ishte këshilltari i Papë Gjon Palit II.