E Diel, 1 Nëntor 2026

Një interpretim i listave të kandidatëve për deputetë

06/04/2005  Sistemi mazhoritar në zgjedhje, pra ndeshja direkte në zonë favorizon gjithnjë betejën politike të fortë. Kjo do të thotë menjëherë se konfontimi është i ashpër, beteja “derë më derë”, trafikun e lehtë të premtimeve dhe shpërblimeve. Të gjitha këto së bashku duan të thotë se kërkohet një “profil” i caktuar deputeti për zgjedhjet ku është në përdorim sistemi mazhoritar.

Këto zgjedhje, ndoshta janë të parat zgjedhje, në të cilat kjo paradigëm po përmbushet plotësisht. Kuptohet me ekseset përkatëse.

Media shqiptare ka servirur në javët e fundit lista të shumta deputetësh dhe, me sa duket, thelbi e listave që kanë dy partitë kryesore duket se do të jetë ai që ka servirur shtypi. Në Tiranën e vogël politike gjërat merren vesh më parë në kafene. Ndaj duke e marrë të mirëqenë thelbin e listës, që kanë paraqitur të dyja partitë, tani për tani, jo zyrtarisht, mund të formulojmë një seri vëzhgimesh.

Së pari, vihet re se ka një përpjekje serioze për të shmangur nga listat e partive të mëdha ato që mund të konsiderohej një “fashë gri” të deputetëve dhe zyrtarëve të partive respektive, të cilët në një, dy apo më shumë legjislatura. Kritika e forta që i është bërë përbërjes së parlamentit shqiptar ndër vite gjen kështu një reflektim serioz në para – listat që kanë servirur për momentin partitë e mëdha shqiptare, pretendente reale të fitores se këtyre zgjedhjeve.

Së dyti, ajo që po vihet e re është është orientimi drejt atyre që mund të quhen “kandidatë të fortë”. Ideja e “kandidatëve të fortë” ka një kuptim të ndryshëm në Partinë Socialiste dhe në Partinë Demokratike. Te socialistët prania e kandidatëve të fortë duket se është prirja kryesore në listën e socialistëve. Jo vetëm pse janë angazhuar shumë biznesmenë në këtë garë, policë, ish-policë, ish-bodigardë, por edhe sepse kandidaturat e reja të marra nga radhët e administratës së lartë, kanë po të njëjtën veti. Ata janë të “fortë” në para, pozicion, influencë apo në mendësi për të ndërtuar dhe shfrytëzuar një rrjet interesash në zonat apo sektorët që ata punojnë. Te demokratët, të cilat nuk kanë mundësi të luajnë me të njëjtat mjete, apo nuk do të donin të luanin me “armët” e kundërshtarit që kritikojnë, kemi një “përshtatje” rreth modelit të “figurave të forta.” Partia Demokratike është përpjekur të “kapë” kandidatura, të cilat ofrojnë në nivel lokal një rrjet njohjeje dhe interesash. Te demokratët duket se ka një kujdes më të madh etik, për të bërë të mundur që kauza e Partisë Demokratike kundër korrupsionit, kundër monopoleve dhe ekonomisë informale, të mund të ruante koherencën në këto zgjedhje dhe të mos mund të rrëzohej nga vetë kandidaturat e PD-së. Por, sigurisht, si një mënyrë reagimi ndaj kundërshtarit, opozita nuk i ka shpëtuar dot tundimit të “kandidaturave të forta”.

Së treti, vihet vihet re një “çideoligjizim” i kandidaturave për deputetë që dy partitë e mëdha kanë hedhur në tregun mediatik deri tani. Mund të thuhet me plot gojën se dy forcat kryesore politike i kanë “çideologjizuar” përfundimisht kandidaturat e tyre këtë herë. Kështu, te Partia Socialiste gjen kandidatura me origjinë aspak të qartë ideologjike, gjen ish-funksionarë të Partisë Demokratike, gjen njerëz me lloj-lloj origjine. Kjo i dedikohet kryesisht “vetos” që Nano ka vënë në parti për të marrë përsipër bashkë me përgjegjësinë e zgjedhjeve edhe përgjegjësinë e hartimit të listës së kandidatëve sipas objektivave të tij politikë. Për Nanon, kandidatët duhet të ofrojnë një dhe vetëm një kriter: mundësinë për të fituar me çdo kusht zgjedhjet. Kjo ka kaluar në plan të dytë të gjitha kriteret e tjera. Por, duket se zoti Nano ka akoma shumë për të zgjidhur në një plan tjetër: atë të krijimit të një mozaiku nuancash, rrymash apo fraksionesh, për të cilat ka gjithnjë nevojë një parti e madhe. Kjo duket akoma më problem pas largimit nga PS të grupit të Metës dhe nga “tërheqja” taktike e rivalëve të vjetër të tij në parti, Meidanit etj.

Nga ana tjetër, Berisha dhe demokratët, janë në një pozitë krejt tjetër. Sjellja e kandidaturave “të papritura”, duket se është aplikimi i strategjisë së hapjes, që Berisha ka ndërmarrë jo pa guxim në krye të partisë së tij, në mënyrë që ta bëjë atë “fituesen paraprake” të zgjedhjeve të kësaj vere. Duke u përpjekur të ndërtojnë frymë të re politike, zoti Berisha dhe demokratët janë duke kërkuar të zgjerojnë perimetrin e interesave dhe grupeve të ndryshme të elektoratit, të cilët do të duhej të gjenin te PD një përfaqësim simbolik ose esencial. Por, te PD vihet re, sidomos “tolerimi”, apo më saktë të themi strukturimi i qëllimshëm i një spektri të gjerë interesash, agregimi i një tërësie nuancash dhe ndjeshmërisë brenda një partie të madhe. Kështu, Partia Demokratike mund të thuhet që propozon një listë përfaqësuese. Duke filluar nga elementë apo korrente të së djathtës tradicionale, duke vazhduar me shtresat e të persekutuarve dhe ish-pronarëve, tek e djathta e qendrës. Për të vazhduar me një hapje esenciale deri te liberalët dhe centristët, dy prej pjesëve që i kanë munguar esencialisht kësaj partie që pas përjashtimit të mocionistëve në vitin 1992. Aty-këtu, demokratët kanë bërë ndonjë avancim edhe më tej, duke marrë në ndonjë zonë të sigurtë edhe ndonjë kandidat të majtë. Në këtë kupim, lista e PD e prish arketipin e deritanishëm të një “kandidati demokrat”, duke e bërë zgjedhjen e votuesit më të larmishme. Ajo është një listë pragmatiste.

Vështruar nga këto kritere, dinamika e formësimit të elitës politike në kuvendin e ardhshëm, por dhe në disa legjislatura të ardhshme, duket se krijon një shkëputje esenciale në krahasim me më parë. Politika po shndërrohet pak nga pak në arenën e njerëzve të fortë dhe profesionistë në të njjtën kohë. Me gjithë kontradiktën që kjo mbart.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›