Një jetë e mrekullueshme në galerinë ZETA
Galeria ZETA në vazhdën e programit të saj me artistë bashkëkohorë nga vendi dhe bota dhe në bashkëpunim me T.I.C.A. Instituti i Artit Bashkëkohor hap ditën e enjte ekspozitën personale të Lume Blloshmit me titull: Its a Wonderful Life / Një Jetë e Mrekullueshme.
Prej disa kohësh tashmë, Lume Blloshmi është në kërkim të pasurimit të praktikës së saj artistike, duke lëvizur në hapësira të reja ekstrapiktorike. Duke mos e tradhtuar origjinën e saj si piktore, artistja ridimensionon punën e saj përmes futjes së subjekteve të marra nga jeta e përditshme, të përzgjedhura përmes vëzhgimit të pastër instinktiv. Duke përdorur satirën dhe aktin Dushampian të emërdhënies, Lume Blloshmi ndërton një univers të vogël, në të cilin, nëse shohim me kujdes, vërejmë që ka atë vetë në qendër dhe personazhet e saj sillen rrotull si planetë të veckël të ndërvarur. Kuruar nga Edi Muka, ekspozita e Lume Blloshmit do të sjellë për publikun një numër projektesh të reja, si dhe disa pjesëza të reja nga seria në vazhdim Its a mens world / Është një botë burrash. Ekspozita shoqërohet me një katalog të punëve të ekspozuara. Ekspozita e Lume Blloshmit mundësohet përmes mbështetjes bujare të FAVA Fondacionit për Artin Pamor Shqiptar Përtej Kufijve. FAVA i përkushtohet mbështetjes së arteve të bukura në Shqipëri përmes ndihmës së komunitetit të biznesit dhe ruajtjes se koleksionit të veprave shqiptare si kontribut në ruajtjen e një pasurie të rrallë për vendin dhe dashamirësit e huaj.