E Diel, 1 Nëntor 2026

Një jetë për fe dhe atdhe

Pesë vjet pas kalimit të tij në amshim, u përurua monografia kushtuar Imzot Mark Sopit, ish ipeshkvit të Kosovës, i cili qëndroi në këtë detyrë prej vitit 1996 deri më 11 janar të vitit 2006. Nga Alfred Beka më 12 janar 2011 në ora 12:31

“A keni frikë nga fundamentalizmi islamik në Kosovë?”

Ipeshkvi përgjigjet: “Jo! Nuk kemi frikë.”

A ka fundamentalizëm në Kosovë?”

Përgjigjet: “Jo! Mund të ketë ndonjë individ apo grup.”

“A keni frikë prej myslimanëve shqiptarë?”

Përgjigjet: “Jo! Ata janë vëllezërit tanë.”

“A meriton Kosova ta ketë pavarësinë?”

Përgjigjet: “Po! Kjo është zgjidhja më e mirë.”

Kështu u ishte përgjigjur pyetjeve në kongresin Amerikan Ipeshkvi i ndjerë i Kosovës Imzot Mark Sopi në vitin 2005. Në pesë vjetorin e kalimit në amshim të ipeshkvit Sopi në Prishtinë u përurua monografia me titull “Imzot Mark Sopi – Një jetë për fe dhe atdhe”, e përgatitur nga Don Ndue Ballabani, Don Shan Zefi dhe dr. Martin Berishaj.

Ipeshkvi aktual i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji është shprehur për paraardhësin e tij se edhe pse jetoi e veproi në kohë të vështira dhe të pasigurta, në skamje dhe padrejtësi, ai besnikërisht kujdesej për grigjën që ia kishte besuar vet Ati Shenjt, Papa Gjon Pali i Dytë.
“Sot, pas pesë vitesh, që kur Imzot Marku është ndarë nga ne, unë, trashëgimtari i shërbimit të tij, bashkëpunëtorët e mi dhe e tërë kisha në Kosovë, me anë të këtij libri, në mënyrë modeste, dëshirojmë të shprehim gëzimin e thellë të zemrës, që ipeshkvi ynë i dashur Mark Sopi u rreshtua në vargun e gjatë historik të burrave të mëdhenj dhe ipeshkvijve të përvuajtur të kishës. Prelatë, këta, të cilët gjithnjë ditën të bashkëndajnë vuajtjet e popullit, duke jetuar me përgjegjësi dhe duke shërbyer me dashuri, gjë që të parët tanë e përmblidhnin në binomin për ‘atme e fe’”, ka thënë Imzot Dodë Gjergji.

Sipas tij, jeta e Imzot Markut ishte e ngjashme me të gjithë Etërit e Kishës sonë, si në vuajtje, në qëndresë dhe në palëkundshmëri për të qenë në shërbim të popullit dhe në mbrojtje të kombit. Ai ka theksuar se në këtë libër gjejmë vetëm disa copëza të jetës së Imzot Markut.

“Duhet kuptuar se kjo monografi është vetëm një dritare, e cila na e krijon mundësinë të hedhim një vështrim mbi jetën e begatë, me plot dëshmi, të një njeriu që jetoi për Zotin, të një prifti që me përvujtëri i shërbeu kishës, të një ipeshkvi që na priu me dashuri, urti e guxim për dhjetë vite me radhë,” ka thënë Imzot Dodë Gjergji.

Në mesin e referuesve për këtë monografi ishte edhe intelektuali nga Maqedonia, Arbër Xhaferi, i cili e vlerësoi rolin e Imzot Mark Sopit dhënë çështjes kombëtare, sidomos nëpër takime që ai ka pasur me personalitete dhe politikanë europianë dhe ndërkombëtarë. Ai gjithashtu e veçoi vizitën e Imzot Mark Sopit në Kongresin Amerikan më 18 maj të vitit 2005, ku Imzot Sopi u ishte përgjigjur pyetjeve të kongresmenëve lidhur me rrezikun ndaj fundamentalizmit islamik në Kosovë.

Ndërkaq, me një kumtesë u paraqit edhe Qemajl Morina, dekan në Fakultetin e Studimeve Islame. Ai e theksoi rolin ekumenik dhe pajtues që ka pasur Imzot Mark Sopi ndaj religjioneve të tjera në Kosovë.

“Kam nderin që në emër tim personal por edhe në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës të marr pjesë në këtë eveniment dhe të shpalos disa kujtime nga rrugëtimi ynë i përbashkët që zgjati me dekada të tëra,” tha Morina.

Morina u ndal më shumë në dy aspekte për të cilat ka kontribuar Imzot Mark Sopi: i pari është dialogu ndërfetar në Kosovë dhe i dyti afirmimi i çështjes së Kosovës në planin ndërkombëtar.

Ndërkaq, Don Ndue Ballabani, njëri prej bashkautorëve të librit, u shpreh se monografia kushtuar Imzot Sopit, që e sheh sot dritën e diellit, në prag të pesë vjetorit të shkuarjes së Tij në amshim, është një dëshmi e vogël e asaj çka bëri Imzot Sopi për fe dhe Atdhe. “Qëndrimi burrnor me dhe pranë bashkëkombësve të vet në kohët më të vështira që ishin për kombin shqiptar, atëherë kur ishte Kosova në luftë dhe kur ajo kullonte gjak, përforconte bindjen e tij të palëkundur se shqiptarët e Kosovës e meritojnë të kenë shtetin e vet si subjekt i së drejtës ndërkombëtare,” tha Ballabani.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›