Borxhet shtyjnë stërvitjet
Shumica e trajnerëve të klubeve të Superligës së Kosovës në futboll kanë planifikuar që gjatë këtij muaji t’i nisin përgatitjet me skuadrat e tyre për pjesën e dytë të kampionatit.
Por, disave prej tyre, sipas të gjitha gjasave, planet do t’u ndryshojnë. Disa skuadra do të detyrohen t’i nisin përgatitjet më me vonesë, pasi kryesitë e tyre akoma nuk i kanë shlyer borxhet ndaj futbollistëve nga stinori vjeshtor.
Skuadra e Ballkanit veç është detyruar ta shtyjë fillimin e përgatitjeve për ndonjë datë tjetër, pasi drejtuesit e klubit ende nuk i kanë kryer të gjitha obligimet ndaj lojtarëve të vet.
“Nuk janë kryer obligimet për një apo dy muaj. Kam planifikuar që stërvitjet m’i nis të hënën që lamë, por u deshtë të shtyhet fillimi i përgatitjeve për disa ditë, derisa të kryhen obligimet ndaj lojtarëve”, tha Skënder Shëngyli për Express.
Sherri i borxheve ndaj lojtarëve, edhe Vëllaznimi me gjasë do t’i nisë stërvitjet më me vonesë sesa që ka planifikuar kryetrajneri i këtij ekipi, Ajet Shosholli. Kryesia e klubit kuq e zi u ka borxhe futbollistëve nga dy paga.
“Unë kam planifikuar që më 14 janar t’i nisim përgatitjet. Shpresoj që deri atë ditë obligimet ndaj lojtarëve të kryhen dhe të startojmë me përgatitje. Nëse nuk kryhen deri më 14 janar, fillimi i përgatitjeve do të shtyhet për disa ditë, deri të kryhen ato. Shpresoj që t’i kryejmë me kohë obligimet dhe mos t’i shtyjmë përgatitjet”, tha Shosholli për Express.
Edhe trajneri i Ferizajt, Naim Sojeva, nuk e di se kur do të mund t’i nisë stërvitjet me skuadrën e tij, e cila gjendet në krizë të madhe financiare.
“Nuk e di kur do të mund t’i nisim stërvitjet sepse ekipi është në krizë financiare. Nuk janë kryer të gjitha obligimet ndaj lojtarëve. Pos kësaj, nuk kemi as veshje sportive. Pa u riorganizuar klubi nuk e di se si mund të nisim me përgatitje”, tha Sojeva.
Në anën tjetër, as kampioni aktual i Kosovës, Trepça nuk i ka punët më mirë. Shumë lojtarë të ekipit mitrovicas nuk kanë marrë paga që rreth katër muaj, derisa ende nuk dihet se kur do t’i nisin përgatitjet.
“Trajneri ka planifikuar m’i nis stërvitjet kah mesi i këtij muaji, por kjo vështirë se do të ndodhë. Ende nuk dihet se cilët lojtarë janë larguar, e cilët kanë mbetur. Shumë futbollistë janë pa kontrata dhe nuk dihet se a do të vazhdojnë me Trepçën apo do të gjejnë ekipe tjera”, tha një burim i Expressit brenda klubit gjelbër e zi.
Ndërsa disa skuadra që gjenden më mirë financiarisht, përveç që përgatitjet do t’i nisin me kohe, stërvitjet për pjesën e dytë të kampionatit pritet t’i zhvillojnë jashtë vendit.