E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një konservator gjen shpëtim te Keynes

Lord Brian Griffiths, këshilltar i Margaret Thatcher në vitet ‘80, dhe truri pas reformave privatizuese të Britanisë së Madhe, beson se "armiku" i vjetër i liberalëve, John Maynard Keynes, dhe idetë e tij për ndërhyrje në ekonomi, përbëjnë rrugën e shpëtimit të botës nga katastrofa ekonomike e llojit të Depresionit të Madh. Lordi Griffiths, i cili që nga viti 1991 është zëvendësdrejtor i "Goldman Sachs International", një prej bankave më të rëndësishme të botës, dha një leksion mbi krizën botërore dje para studentëve, profesorëve dhe politikanëve në Universitetin Europian të Tiranës.

"Kriza aktuale botërore nuk do të kthehet në Depresion të Madh, si ai i viteve ‘30, për shkak se bota e sotme ka Keynes", - tha Griffiths. "Dallimi mes viteve ‘30 dhe sot qëndron në faktin se mes dy krizave ka ekzistuar Keynes", - tha ai.

Ish-kryeministrja Margaret Thatcher, e mbiquajtur "Zonja e Hekurt", hapi një epokë reformash shumë të debatuara në Britaninë e Madhe, të cilat bazoheshin te vetërregullimi i tregjeve. Paqja sociale dhe përkujdesja e shtetit për ruajtjen e vendeve të punës, u konsideruan në atë kohë si "shkaku i prapambetjes së Britanisë së pasluftës". Lordi Griffiths shërbeu si kreu i Njësisë së Politikave të Kryeministres nga viti 1985 deri më 1990. Roli i tij si Këshilltar Special qe përgjegjës për politikën e brendshme dhe ai ishte një nga arkitektët e privatizimit dhe derregullimit të gjithçkaje në Britaninë e Madhe. Suksesi i atyre politikave bindi shumë njerëz në të gjithë botën për vlerat e neoliberalizmit dhe teoritë e Keynes pothuajse u harruan.

"Në vitet ‘30, kriza u kthye në Depresion për shkak se qeveritë nuk ndërhynë, bankat qendrore nuk ndihmuan bankat në vështirësi dhe vendet vendosën barriera tregtare ndaj njëra-tjetrës, gjë që solli rënie të tregtisë botërore", - shpjegoi Griffiths. Sipas tij, bota sot është më e përgatitur. Bankat qendrore dhanë shuma marramendëse në ndihmë të bankave, ndërsa ka një mirëkuptim të gjerë mes vendeve për mospërdorimin e barrierave tregtare. Megjithatë, zhvlerësimi i monedhave dhe ndihmat masive për financat dhe industrinë në shumë vende po kryejnë funksionet e barrierave tregtare. Pikërisht ndërhyrja në treg në mbrojtje të mirëqenies shoqërore, mbështetur nga John Maynard Keynes, ishte politika e zgjedhur nga qeveritë e shumë vendeve për të luftuar krizën. Teoritë e Keynes shikohen tani si rrugë shpëtimi nga katastrofa edhe nga këshilltari i zonjës Thatcher, Lordi Griffiths.

"Kriza aktuale botërore nuk lindi menjëherë. Ajo është rritur gjatë 25 viteve të fundit. Rrënjët e saj gjenden te reformat derregulluese Thatcheriste dhe Reaganiste", - shpjegonte dje në prani të Lordit Griffiths, zëvendësguvernatori i Bankës së Shqipërisë, Fatos Ibrahimi. Sipas Ibrahimit, bankat fituan pavarësi nga qeveritë dhe i hynë aventurës së produkteve të paqarta financiare, mënyra e funksionimit të të cilave dhe rreziku që paraqisnin, ishte shumë pak i kuptueshëm për shumicën e investitorëve.

Tani Lordi Griffiths parashikon se bota rrezikon të përballet me fenomenin më të papëlqyer dhe pothuajse të harruar të ekonomive ku shteti ka rol atëror: inflacionin. "Ndërhyrja masive e shtetit në ndihmë të bankave dhe industrisë ka rritur ndjeshëm paranë në qarkullim, gjë që do të prodhojë inflacion", - tha Griffiths. Në këtë rast, bankat qendrore do të detyrohen të rrisin interesat, gjë që do të pengojë rigjallërimin pas recesionit.

Shqipëria duket se gjendet në një situatë të ngjashme. Rritja e deficitit buxhetor ka sjellë rritjen e importeve dhe deficitit të llogarisë korrente. Kjo e fundit ka sjellë zhvlerësimin e lekut, gjë që do të prodhojë në mënyrë të pashmangshme inflacion. Vetëm se teoritë e Keynes mbi nevojën e paqes sociale, në rastin e Shqipërisë po zbatohen për paqe elektorale.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›