E Hënë, 2 Nëntor 2026

Një kufomë e paidentifikuar, 5 ditë në morg

25/05/2005  TIRANË- Një kufomë e seksit mashkull, i paidentifikuar, prej të premtes së kaluar qëndron në raftet e frigoriferëve të morgut të Tiranës. Burime të Mjekësisë Ligjore thanë dje për gazetën, se kufoma e 60-vjeçarit të paidentifikuar ka mbërritur në këto ambiente nga Spitali Ushtarak prej ditës së premte. Ndërkohë asnjë person nuk ka ardhur të interesohet për të identifikuar këtë trup të pajetë. Sipas burimeve spitalore, mësohet se kufoma ka këto të dhëna. Ai është rreth 60 vjeç, me trup mesatar, me flokë të rëna dhe kishte veshur rroba verore. Gjithsesi në mbërritjen e trupit të pajetë në morg, autoritetet e Spitalit Ushtarak u kanë dhënë mjekëve një informacion, sipas të cilit, ai kishte qëndruar për tetë ditë me radhë në reanimacion, pasi kishte mbërritur në spital i dëmtuar. Mjekët e këtij spitali kishin bërë të pamundurën për ta rikthyer në jetë 60-vjeçarin, por çdo veprim rezultoi i padobishëm, pasi kufoma kishte paraqitur vështirësi edhe në frymëmarrje. Ndërkaq kanë mbetur disi të paqarta rrethanat për mbërritjen e tij në Spitalin Ushtarak. Mjekët kishin mësuar vetëm faktin që atë e solli një makinë, drejtuesit e së cilës më pas u larguan menjëherë nga spitali.

M.Mullai

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›