E Hënë, 2 Nëntor 2026

UEFA ledhaton Greket

25/05/2005  Grekët ia hedhin vetëm me gjobë, për përdhosjen e flamurit shqiptar, në ndeshjen midis shpresave në Athinë

Sipas adresës elektronike të Federatës Greke të Futbollit (EPO), Komisioni i Disiplinës i UEFA-s ka dënuar Federatën Greke, me një gjobë prej 30.000 frangash zviceriane, për trazirat e shkaktuara në ndeshjen e zhvilluar në Athinë, midis përfaqësueseve të Shpresave të Greqisë e Shqipërisë. Komunikimi i këtij lajmi ka qenë i thjeshtë dhe në pak radhë nga Federata Greke si më poshtë: “Me një gjobë 30.000 franga zviceriane u dënua EPO, nga Komisioni i Disiplinës së UEFA-s, për përdhosjen e flamurit shqiptar dhe për hedhjen e fishekzjarreve në ndeshjen midis skuadrave Kombëtare të Shpresave, Greqi-Shqipëri, e cila u zhvillua në kuadrin e eleminatoreve të Kampionatit Evropian më 29.3.2005, në stadiumin e ‘Nea Smirnit’”. Çuditërisht, grekët ia hodhën vetëm me një gjobë për ato ngjarje të shëmtuara, që ndodhën në stadiumin e “Nea Smirnit”. Fatkeqësisht u vërtetua edhe një herë se, për organizmat ndërkombëtare edhe në futboll, ca janë të nënës e ca të njerkës. Tifozët grekë grisën flamurin tonë, simbolin e një kombi, pa folur këtu për ofendimet dhe dhunën jashtë stadiumit dhe në disa raste edhe brenda tij, dhe për këtë u dënuan vetëm me një gjobë prej 30.000 frangash. Ndërsa në “Qemal Stafa”, jo gjatë ndeshjes me Ukrahinën, por dhe pas saj, u hodhën disa shishe plastike dhe menjëherë “dora e rëndë” e organeve ndërkombëtare (FIFA), nuk ka vonuar të ndihet. Federata Shqiptare e Futbollit është dënuar me një gjobë prej 40.000 frangash zviceriane, si dhe me zhvillim e dy ndeshjeve të Kombëtares pa spektatorë me motovacionin: “Për hedhje të sendeve të forta në fushë dhe për mosmarrjen e masave të duhura organizative”. Mbas apelimit të FSHF-së u arrit që ky dënim të përgjysmohej dhe Kombëtarja do të luajë pa spektatorë vetëm një ndeshje më Gjeorgjinë më 4 qershor, ndërsa gjoba zbriti në 20.000 franga zviceriane. Pa mendoni për një çast: Po sikur, ne të kishim grisur flamurin grek?! ǒdo të kishte ndodhur? Larg qoftë, as që duhet ta mendojmë! Se një gjë është e sigurt po të kishim bërë ne ato që bënë grekët, tani do të ishim përjashtuar për kushedi se sa kohë nga aktivitetet ndërkombëtare. Por, mesa duket, grekët kanë përdorur më së miri “diplomacinë helene” dhe kanë arritur, që të luajnë fijet e duhura, duke ia hedhur me një gjobë, e cila për një federatë të pasur si ajo helene, është një shumë qesharake.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›