E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rivarroset tek "Dëshmorët e Kombit" polici i vrarë

25/05/2005  Eshtrat e Allaman Dervishit, i ekzekutuar nga dy gardistë, hiqen nga Tufina e dërgohen te Varrezat e Dëshmorëve

TIRANË- Eshtrat e policit të Qarkullimit Rrugor, Allaman Dervishi, i cili u vra nga dy ushtarë të Gardës, u zhvarrosën nga varrezat e Tufinës, për t’u shpërngulur te varrezat e "Dëshmorëve të Kombit". Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë drejtues të lartë të policisë, si kreu i dikasterit blu, Igli Toska, drejtori i Policisë së Tiranës, Albert Dervishi, etj. Në fjalimet e mbajtura u theksua mbrojtja e detyrës me devotshmëri dhe më pas merita e Dervishit në Policinë e Shtetit. Në fakt, polici i rënë në krye të detyrës, rreth një vit më parë u dekorua nga ministri i Rendit. Më pas, ai u shpall "Dëshmor i Kombit” dhe familjes së tij iu dha një shpërblim, i akorduar nga Këshilli i Ministrave. Gjatë ceremonisë së zhvarrosjes së kufomës, u përmendën disa nga kualitetet e të dy policëve, që u qëlluan nga dy ushtarët e Gardës së Republikës.

Ngjarja

Rreth orës 02.05 të një viti më parë, ka mbetur i vrarë në krye të detyrës Allaman Dervishi dhe i plagosur rëndë Resmi Hasanpapa. Dy orë pas ekzekutimeve, policia arrestoi në Kodër-Mëzez dy autorët, Guxim Kërtoçi dhe Sovran Qeleposhi. Kur ora kishte kaluar 24.00 në mesnatë, tropojanët morën me qira një taksi për të shkuar në Durrës. I premtuan shoferit se do t’ia jepnin paratë me të mbërritur në destinacion. Jo vetëm që nuk i dhanë para, por i morën me dhunë të gjitha fitimet e ditës dhe e futën në bagazh. Pa e humbur toruan, dy të rinjtë kërkuan një makinë të dytë me qira. Fati i keq ndoqi Mark Bibën, i cili kishte parkuar automjetin tip “Benz 240”, me targa TR 2544 G pranë zonës së Kënetës. Allaman Dervishi dhe Resmi Hasanpapa, që kryenin shërbimin e natës në kthesën e Kamzës, ishin lajmëruar në radio për makinën e vjedhur që po u afrohej. Me ta parë i nxorën tabelën për ta ndaluar. Ndërsa, Dervishi dhe Hasanpapa u afruan për të kërkuar dokumentet, ndjenë se u përshkruan nga plumbat e pistoletës që mbante në duar një nga të rinjtë. Efektivat blu mbetën të plagosur rëndë. U desh ndihma e kolegëve dhe banorëve aty pranë, që të dërgoheshin në spital. Fatkeqësisht, Allaman Dervishi nuk arriti të mbijetonte.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›