E Shtunë, 31 Tetor 2026

Po te ishte afgan Ahmet Krasniqi...?

Në ujëvarën e deklaratave të pakuptimta të Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, vjen një që nuk është vetëm ujë, nuk është vetëm lot apo gurë, nuk është vetëm bërthamore, por ama të lag, të pikëllon, të dhemb dhe të bën të mendohesh: Kur ishte viti 1998, pse Shqipëria u shiti armë kosovarëve dhe pse u vra nga shqiptarët oficeri i njohur kosovar që kaloi dy luftëra, Ahmet Krasniqi?

Siguria dhe Shqipëria

Një ditë të bukur pranvere, kur nuk kishte Zog të Zi, kur Edi Rama po dëgjonte hallet e fshatarëve të Shqipërisë, kur shqiptarët po prisnin plotësimin e premtimeve elektorale të qeverisë, Kryeministri i Shqipërisë bëri me dije mënyrën si do ta zgjidhte çështjen energjetike në tokën shqiptare, pra me ndërtimin e një centrali bërthamor.

Askush nuk e mori vesh këtë ide, aq më shumë kur nga goja e tij u dëgjua se Shqipëria na qenka vend i sigurt. Çdo shqiptar e di se të pish kafe pa pasqyrë në një kafene të Shqipërisë, është si të bësh vetëvrasje. Të gjithë e dinë se fisheku në tokën shqiptare është tredimensional, të vret edhe kur "vret Kanuni", por edhe në rast se të ka rënë ndërmend ta qerasësh një shok apo gruan tënde me një kafe.

Jetojmë në Shqipëri!

Por kjo nuk na vleka për Kryeministrin shqiptar, që jeton në zyrë dhe merr guximin të thotë se toka shqiptare është e sigurt. Me aq shumë armë nëpërkëmbë, me aq shumë drogë, me aq shumë raste gjakmarrjesh, me aq shumë kontestime pronash, Kryeministri i Shqipërisë mendon se kjo bëhet me shkop magjik. Jo. Nuk bëhet kështu siguria, edhe pse centralin bërthamor mund ta bëjë kudo, si në Porto Romano, Korçë apo Çamëri, e madje, kjo e fundit është edhe më idealja, meqë nuk i ka dalë ende "pronari".

Po ja që, kjo fjala magjike "siguri" u minua shumë shpejt, madje u dëgjua edhe në zyrën e Kryeministrit dhe pse shpërtheu në Gërdec. Fshatarët e shkretë, që po lustronin predha me idenë se janë të sigurt në tokën shqiptare, sepse ashtu u kishte thënë Kryeministri, u viktimizuan si nga varfëria, ashtu edhe nga fjalët e njeriut që po i qeveriste. Incidentet e shumta që kishin ndodhur në këtë uzinë të vdekjes, ku çmontohej predha dhe jeta e njeriut, ndërsa mbusheshin xhepat e kontrabandistëve, nuk ishin alarmante. Në shtëpitë e atyre njerëzve nuk mund të ketë fjalë frike, sepse për pak kohë ata do të dëgjojnë për ndërtimin e centralit bërthamor.

Imagjinoni një vend si Shqipëria, ku nuk ka drita dhe ujë, ku buka quhet luks dhe mishi fjalë e panjohur, ku më shumë ka "delijorgjë" se predha të paplasura, ku polici nuk ndal as nuk i shkon në mend të ndalë ndonjë makinë luksoze (sepse është ekskluzivisht me njerëz të krimit apo qeveritarë), ku në semaforin e kuq demokrati nuk ndalet, ngaqë është në pushtet, pra në këtë lloj shteti, mendohet ndërtimi i një centrali bërthamor.

Z. Kryeministër harron se, së pari duhen siguruar shkallët e pallateve, kopshtet, shkollat, spitalet, kalimet për këmbësorë, semaforët, rrugët, plazhet, vendkalimet kufitare, dhe më pas të shikojë në ëndërr, nëse mundet vallë të ndërtojë një biçim centrali bërthamor në Shqipëri. Pas ëndrrës, do të kishte mundësi të hallakatej në internet e të informohet se ç‘është kjo siguria, kjo energjia alternative e pse jo, edhe ç‘është ky centrali bërthamor. Më pas, do të mund ta studionte edhe fjalën insistim, për të dalë tek insistimi i qeverisë italiane për ndërtimin e centralit bërthamor në Shqipëri.

Që çështja e këtij centrali ta hallakasë plotësisht trurin e çdo shqiptari, Berisha i përgjigjet kështu gazetarit italian të "Corriere della Sera", kur ai e pyet mbi mundësinë e Shqipërisë për të ndihmuar në zgjidhjen e problemit të plehrave në Napoli: "Kjo është një çështje delikate...". Pra, më delikate për Kryeministrin tonë janë plehrat se sa centrali bërthamor.

Lum si Karzai

Gazeta nuk na hallakati vetëm me centralin bërthamor. Se ç‘iu desh gazetarit ta gjejë një Kryeministër të këtij kalibri, dreqi e merr vesh. E pyeti edhe për tregti armësh, për të cilën ka shkruar e përditshmja amerikane "New York Times". Gazeta i referohet një furnizimi me municion të Pentagonit. "Shqiptarët nuk kanë të bëjnë me këtë çështje. Kemi qenë të parët që kemi bllokuar atë kontratë. Kur vura re se çmimi i armëve që u shiteshin afganëve dyfishohej, i kam telefonuar Presidentit të Afganistanit, Karzai, dhe i thashë që mund të merrnin çdo gjë gratis. Të gjitha municionet që duheshin. Këtë e kam bërë gjatë luftës në Ballkan, me vendet mike", u shpreh Berisha.

Kur kjo gazetë italiane doli në shitje, jo vetëm që u ngriu gjakun italianëve, kosovarëve, afganëve dhe amerikanëve që merreshin dhe merren me tregti armësh, por të gjithë bashkëkombëseve të tyre. Duke ndërhyrë në mënyrë të drejtpërdrejt në bursën e pisllëqeve me armë, Kryeministri Berisha cenon shumë jetë, degradon shumë koka të mençura e patriotë dhe bënë të mendojnë mbi dy milionë kosovarë se pse u vra Ahmet Krasniqi.

Në kohën kur ai u vra, bëhej një tregti e paparë armësh, ndërsa i ndjeri Ahmeti nuk donte me para djerse të blejë plehra kineze, sepse me të tilla armë ishte e palejueshme të rrezikohej jeta e 20-vjeçarëve nga të gjitha trojet shqiptare, të cilët kishin vetëm një qëllim: të çlironin Kosovën. Nuk dihet se për ç‘shtete mike e ka fjalën Berisha që ka ndihmuar, por bashkëkombësit e tij kosovarë që luftuan në UÇK kanë blerë armë për të luftuar në Kosovë dhe një armë ose fishek u është "dhuruar" vetëm kur është gjuajtur mbi ta.

Ndoshta Ahmet Krasniqi u vra edhe për mbiemër dhe nuk e dinte procedurën në gjendje civile. Ndoshta, sikur të ishte Ahmet Karzai, Karzajoviç ose Delijorgji, edhe do të ndihmohej, por ai ishte një dhe i vetëm, e mburrej që ishte nga Kosova dhe që ishte shqiptar.

Ndërsa Kryeministrit të Shqipërisë nuk dihet nga i dolën këto fjalë, por meqë ka një gjumë plot me ëndrra, madje edhe bërthamore, urojmë që një natë ta shohë edhe kolonelin e ndjerë Ahmet Krasniqi dhe të nisë hetimet për këtë rast, ku armët nuk u dhuruan, por u ofruan për t‘u shitur. Ndoshta edhe koloneli kosovar ka faj, sepse nuk luftoi fillimisht në Afganistan. Lum si Karzai...



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›