E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si do subvensionohet bujqësia

 

zirina llambro

Fermerët shqiptarë do të kenë mundësi të zgjerojnë aktivitetin e tyre. Veç iniciativës private, gjithçka në sajë të ndihmës që do të marrin nga shteti. Qeveria ka përcaktuar sektorët dhe kriteret që duhet të plotësohen për të përfituar nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural. Nuk bëhet fjalë vetëm për mbjellje apo ndërtim serash, subvencion do të kenë të gjithë ata fermerë që kanë projekte për ndërtimin e puseve për vaditje, prodhimin e kërpudhave apo rritjen e bagëtive. Për secilin grup është vendosur vlera e parave që do të përftohen.
Kështu për mbjelljen e pemëve frutore, ullinjve dhe agrumeve, jo më pak se 4 dynym dhe për fermerë individualë dhe jo më pak se 1 ha, për grup fermerësh do të subvencionohet 50% e vlerës së projektit, por jo më shumë se 400 mijë lekë/ha. ”Për vreshtat në bllok, jo më pak se 5 dynym për fermerë individualë dhe jo më pak se 1 ha për grup fermerësh, financohet 50% e vlerës së projektit, por jo më shumë se 600 mijë lekë/ha”, përcakton vendimi i qeverisë. Ndërkaq për ujitjen me pika në pemëtore, agrumishte dhe ullishte intensive është vendosur se subvencioni nuk do të jetë më shumë se 300 000 (treqind mijë) lekë/ha. Fermerët që kanë projekte për mbrojtjen e ullishtave nga miza e ullirit do ta paguajnë me 20 000 lekë/ha. Ata që do të prodhojnë vaj ulliri extravergine, do të marrin 100 lekë/litër ndërsa pagesa për koshere blete, 500 lekë, për fermerë me mbi 50 koshere.
Është parashikuar subvencion edhe për mbarështimin intensiv të kërmillit në masën 50 për qind të vlerës së rasatit për ha, por jo më shumë se 500 (pesëqind) mijë për ha ”Procedura dhe mënyra e administrimit të fondit të programit përcaktohen me udhëzim të përbashkët të Ministrit të Financave dhe të Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit”, sanksionon vendimi.

Kriteret bazë për përdorimin e fondit

a) Efiçenca ekonomike;
b) Efektiviteti;
c) Nxitja e punës në grup e përfituesve;
ç) Bashkëfinancimi nga përfituesit;
d) Nxitja e investimeve në blloqe nga shumë përfitues;
dh) Masa e kontrollit për procesin e zbatimit të programit;
e) Aksesi në treg i përfituesve nga programi;
ë) Orientimi i masave, sipas rajonizimeve bujqësore.

Masat e përfitimit
a) mbjelljen e pemëve frutore, (mollë, dardhë, kumbull, qershi, pjeshkë, lajthi, luleshtrydhe) ullinjve dhe agrumeve në bllok, jo më pak se 4 dynym për fermerë individualë dhe jo më pak se 1 ha për grup fermerësh, 50% e vlerës së projektit, por jo më shumë se 400 000 (katërqind mijë) lekë/ha;
b) mbjelljen e vreshtave në bllok, jo më pak se 5 dynym për fermerë individualë dhe jo më pak se 1 ha për grup fermerësh, 50% e vlerës së projektit, por jo më shumë se 600 000 (gjashtëqind mijë) lekë/ha;
c) ujitjen me pika në pemëtore, agrumishte dhe ullishte intensive, 50% e vlerës së projektit, por jo më shumë se 300 000 (treqind mijë) lekë/ha;
ç) mbrojtjen e ullishtave nga miza e ullirit, 20 000 (njëzet mijë) lekë/ha.
d) certifikimin e produkteve bujqësore bio nga bimët e kultivuara, përkatësisht:
i) për prodhimet e destinuara për tregun e brendshëm, jo më shumë se 50% e kostos, por asnjëherë më shumë se 20 000 (njëzet mijë) lekë/fermë;
ii) për prodhimet për eksport, 50% e kostos së certifikimit, por jo më shumë se 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë/fermë/vit;
dh) prodhimin e fidanëve për llojet autoktone të rrushit: “Kallmet”, “Debinë” dhe “Vlosh”, “Pulës”, për fidanishte, për sipërfaqe jo më pak se 3 dynym, 1 200 000 (një milion e dyqind mijë) lekë/ha;
e) ndërtimin e puseve për vaditje në pemëtore, agrumishte dhe ullishte, 50% e vlerës së projektit, por jo më shumë se 100 000 (njëqind mijë) lekë për pus;
ë) blerjen e plastmasit për serra të reja diellore, me madhësi 2 dynym e lart, 300 000 (treqind mijë) lekë/ha serrë;
f) serrat me ngrohje teknike, për prodhimin e perimeve, për ndryshimin e sistemit të përdorimit të lëndës djegëse nga naftë në solar, 1 500 000 (një milion e pesëqind mijë) lekë/ha;
g) për prodhimin e kërpudhave, 50 për qind e vlerës së pajisjeve dhe instalimeve, por jo më shumë se 500 (pesëqind) mijë lekë për fermë;
gj) pagesën, me 10 000 (dhjetë mijë) lekë për kokë, për fermat blegtorale, që mbarështojnë mbi 10 krerë lopë qumështi, por jo më shumë se për 30 krerë. Përfitojnë vetëm fermerët, që e dokumentojnë me faturë shitjen e qumështit;
h) pagesën 500 (pesëqind) lekë për kokë dele, për tufat mbi 50 krerë dele, të matrikulluara. Përfitojnë vetëm fermerët, që dokumentojnë me faturë shitjen e qumështit.
i) pagesën për koshere blete, 500 (pesëqind) lekë për koshere, për fermerë me mbi 50 koshere;
j) mbarështimin intensiv të kërmillit, 50 për qind të vlerës së rasatit për ha, por jo më shumë se 500 (pesëqind) mijë për ha;
k) prodhimin e vajit të ullirit extravergine, 100 (një qind) lekë/litër;
l) mbështetjen, përmes subvencionimit, të normës së interesit për kreditë, që do të merren për veprimtaritë bujqësore ose agropërpunuese, si dhe për kreditë e marra gjatë vitit 2008 nga shoqëri, që ruajnë dhe përpunojnë produkte bujqësore, e grupet apo shoqëritë e prodhimit dhe të tregtimit në bujqësi, të regjistruara në mbështetje të ligjit nr.8088, datë 21.3.1996 “Për shoqëritë e bashkëpunimit reciprok”, deri në 2 000 000 (dy milionë) lekë, por jo më shumë se 50% të interesit, por jo më shumë se 3 vjet radhazi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›