Peshkopi, pronari i lokalit vret klientin
PESHKOPI - Pronari i një lokali në qytetin e Peshkopisë i ka marrë jetën me mjete të ftohta një 58-vjeçari. Sipas policisë së Dibrës, një sherr i çastit, për motive ende të pasqaruara, ka shkaktuar një viktimë në këtë qytet. Rreth orës 02:00 të ditës së mërkurë, 58-vjeçari Hekuran Kaleci ka mbetur i pajetë në lokalin e Dorian Iskurtit. Klienti Kaleci dhe pronari i lokalit Iskurti kishin konsumuar sasi të mëdha alkooli, sipas policisë lokale. Ai ka mbetur i vdekur në vend, pasi është qëlluar me thikë nga pronari i lokalit, pas një grindjeje mes tyre, arsyet e të cilës nuk janë sqaruar plotësisht nga grupi hetimor i ngritur qëllimisht për këtë ngjarje të rëndë. Policia rajonale Dibër ka bërë të ditur në njoftimin për shtyp, se viktima është Hekuran Kaleci dhe autori i ngjarjes është 25-vjeçari Dorian Iskurti, duke deklaruar se pas hetimit paraprak mësohet se të dy shtetasit kanë qenë në gjendje të dehur. Në lokal, në momentin e krimit, nuk ka pasur klientë të tjerë dhe askush nuk mund të faktojë saktësisht cilat ishin motivet e ngjarjes kriminale. Nga ana e saj policia e konsideron sukses të patrullave të policisë kapjen në kohë rekord të autorit, Iskurti. Pritet që pas dhënies së dëshmisë, i riu të mund të rrëfejë mbi shkaqet të cilat provokuan grindjen, me pasojë vrasjen e 58-vjeçarit Kaleci. h.p