E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një milion vetë në Luanda për meshën e mbajtur nga Papa

Qindra mijëra banorë të Angolës u mblodhën dje për të parë Papën Benedikti XVI gjatë një meshe të hapur, një ditë pas vdekjes së dy vetëve gjatë fjalimit të mëparshëm të numrit një të klerit katolik. Madje, sipas së përditshmes italiane "Corriere Della Sera" numri i të pranishme qe 1 milion. Papa shprehu "dhimbjen e thellë" për vdekjen e dy grave gjatë ditës së shtunë, të shkelura nga turma ndërsa tentonin të hynin në stadiumin ku u mbajt fjalimi. Njëherësh u uroi shërim sa më të shpejtë disa të tjerëve që mbetën të plagosur po gjatë këtij evenimenti. Mesha e djeshme në Çimangola, pranë Luandës, kryeqytetit të Angolës, është grumbullimi i fundit i madh gjatë turit shtatëditor të Papës në kontinentin afrikan.

Kreu i Kishës Katolike e drejtoi meshën e djeshme nga një strukturë gjigante metalike në një hapësirë ku sipas zyrtarëve të Vatikanit mund të grumbulloheshin deri në dy milionë vetë. Shumë prej grave të pranishme mbanin veshje mëndafshi ngjyrë rozë dhe shumë prej të pranishme mbanin imazhe të Papës dhe të Jezu Krishtit. Sipas të pranishmëve, masat e sigurisë kësaj here qenë tepër të rrepta, megjithëse përsëri u panë njerëz që largoheshin prej sheshit me barela. U njoftua se Papa qe zemëruar së tepërmi për incidentin e djeshëm ku gjetën vdekjen dy gratë dhe e nisi meshën pikërisht duke shprehur keqardhjen e thellë mbi këtë fatkeqësi. "I shpreh solidaritetin dhe dhimbjen time të thellë familjeve dhe miqve të tyre, pasi fatkeqësia ndodhi ndërsa ato po vinin për të më parë mua".

Më pas Papa Benedikti iu drejtua të pranishmëve duke u kujtuar historinë e viteve të fundit të Angolës, veçanërisht vitet e konfliktit civil që pas shkëputjes nga Portugalia në vitin 1975, tha se vuajtjet e banorëve të Angolës qenë të njëjta me të shumë afrikanëve të tjerë. "Këto përvoja të hidhura njihen mirë nga e gjithë Afrika - shkatërrimi prej luftërave civile, zhytja në vorbulla të pandalshme urrejtjeje e hakmarrjeje, çuarja dëm e përpjekjeve të brezave të tërë njerëzish të devotshëm", u tha Papa të pranishmëve. "Kur fjala e Zotit nuk mbahet parasysh, dhe kur ligjet e Zotit nëpërkëmben, përqeshen, rezultatet do jenë vetëm shkatërrimi dhe padrejtësia". Të shtunën, Papa u kërkoi katolikëve të Angolës të nxisin të gjithë ata njerëz "që jetojnë me frikën në shpirt" t‘i drejtoheshin dyerve të kishës. Në fillim të vizitës në Angola, kryetari shpirtëror i botës katolike kishte vënë theksin te korrupsioni dhe te pabarazia në këtë vend, nëntoka e të cilit është e pasur me naftë e me diamante.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›