Një muaj afat nga mbrojta e ligjshme e pavarësisë së Kosovës
Institucioneve të Kosovës u kanë mbetur edhe një muaj kohë për të përgatitur me shkrim të gjitha argumentet me të cilat do ta mbrojnë ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Vjeshtën e kaluar, Kosova është ftuar nga Gjykata që të paraqesë deklaratën e saj me shkrim, deri më 17 prill të vitit të këtij viti, për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, e cila kontestohet nga Serbia.
Gjykata u ka kërkuar edhe vendeve anëtare të OKB-së që deri në mesin e muajit të ardhshëm të deklarohen me shkrim nëse shpallja e pavarësisë së Kosovës është në përputhje me të Drejtën Ndërkombëtare. Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kritikuar institucionet e vendet se nuk janë serioze në përgatitjet për të argumentuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte një akt i ligjshëm. Në fillim kemi pasur një punë intensive, së fundmi marrim vesh pak çka po ndodhë. Jemi të shqetësuar për përgatitjet për këtë ngjarje me rëndësi në kuadër të ligjit ndërkombëtar për Kosovën. Mendojmë se Kosova nuk është serioze në përgatitjet rreth kësaj teme. Nuk hetohet serioziteti i duhur për një temë si kjo. Ne mendojmë se vendimi ka qenë i ligjshëm, por besojmë po ashtu se nuk po përgatitemi si duhet ta dëshmojmë këtë, tha z.Haradinaj. Por zëvendësministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Vlora Çitaku, thotë se qeveria ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për t'u përballur me Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Sipas, saj, argumentet e Kosovës do të jenë të shumta, por se asgjë nuk mund të bëhet publike derisa deklarata të mos deponohet në Gjykatën Ndërkombëtarë të Drejtësisë në Hagë. Përgatitjet për të mbrojtur të drejtën e Kosovës para Gjykatës po bëhet nga ekspert britanik, Michael Wood si kryesues të ekipit ligjor të Prishtinës. Ndërkohë, edhe autoritetet në Beograd po përgatiten për tu përballur me Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me Kosovën. Beogradi zyrtar llogarit në mbështetjen e vendeve anëtare të OKB-së, që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Mendimi që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do ta japë lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës nuk do të ketë karakter obligativ, por vetëm këshillëdhënës.