E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stop delegacionit serb në kufirin kosovar, nuk njoftuan për vizitën

Mosrespektimi i procedurave legale, sipas zyrtarëve kosovarë, ishte arsyeja kryesore e kthimit prapa të një delegacioni parlamentar të Serbisë, që tentoi të hynte në Kosovë për të zhvilluar takime me përfaqësues të serbëve kosovarë. Policia e Kosovës ia ka ndaluar një grupi parlamentar të Serbisë hyrjen në territorin e Kosovës. Ky delegacion serb, i cili ishte nisur në Kosovë për të mbajtur një mbledhje në fshatin Ranillug të Kamenicës, për tu takuar me, siç është thënë, strukturat qeverisëse në mjediset e banuara me serbë, në orët e mëngjesit është kthyer prapa, ngaqë nuk u kishte kërkuar leje për realizimin e vizitës zyrtare institucioneve kosovare. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Arbër Beka, sqaron situatën. Në qoftë se kemi të bëjmë me ndonjë vizitë të delegacioneve zyrtare, atëherë duhet që të njoftohen ministritë përkatëse, përkatësisht Ministria e Punëve të Jashtme, pastaj Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Punëve të Brendshme njofton policinë, u shpreh Beka.Përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Kosovë thonë se delegacioni zyrtar serb që tentoi të vizitojë Kosovën i kishte kërkuar Zyrës së Kombeve të Bashkuara në Beograd lejen për realizimin e vizitës. Këshilltari i ministrit të Punëve të Brendshme, Fisnik Rexhepi, vlerëson se përfaqësuesit e shtetit serb nuk do të mund të injorojnë Qeverinë e Kosovës, duke vazhduar sipas, siç e quan ai, avazit të vjetër. Në delegacion kanë qenë disa parlamentarë serbë të Parlamentit të Serbisë, përkatësisht të një komisioni parlamentar atje. Si dhe herët e kaluara, delegacionet zyrtare të shtetit serb kanë vazhduar me avazin e vjetër, kanë injoruar realitetin e ri të krijuar në vend, nuk kanë komunikuar me institucionet legjitime të Republikës së Kosovës, por për vizita të tilla vetëm kanë njoftuar Zyrën e Kombeve të Bashkuara në Beograd, tha Rexhepi. Zyrtarë të këtij komisioni, ndërkohë, kanë deklaruar se mbledhja e komisionit parlamentar e paraparë të zhvillohet sot, është shtyrë për një afat të pacaktuar kohor. Njëri nga udhëheqësit e komisionit, Lubomir Kragoviq, ka thënë se do të insistojë që sa më shumë mbledhje të këtilla të mbahen në Kosovë, në përputhje me, siç ka thënë, vendimet e këtij komisioni. Mirëpo, këshilltari në Ministrinë e Punëve të Brendshme në Kosovë, Rexhepi, thekson se përfaqësuesit e Qeverisë së Serbisë duhet ti respektojnë edhe në të ardhmen ligjet e Republikës së Kosovës. Ne do të vazhdojmë të respektojmë ligjin, i cili shumë qartë përcakton procedurat se si duhet të sillen delegacionet e huaja në rast se vizitojnë Kosovën. Nuk dua të paragjykoj, por delegacionet që i injorojnë dhe nuk i respektojnë këto procedura, nuk do të lejohen të hyjnë zyrtarisht në territorin e Kosovës, ndërsa privatisht atë mund ta bëjë çdokush, konsideroi Rexhepi. Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, kohë më parë, i kishin ndaluar hyrjen në Kosovë dhe ministrit serb për Kosovën, Goran Bogdanoviq, duke u zotuar se nuk do të lejojnë zhvillimin e vizitave të zyrtarëve serbë, e të cilat, siç thuhej, kanë për qëllim tensionimin e situatës dhe dërgimin e mesazheve politike te banorët serbë në Kosovë.

Thaçi: Ndalja e deputetëve serbë, e drejtë ligjore dhe kushtetuese
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar menjëherë pas ndalimit të deputetëve serbë në Kosovë. Sipas tij, respektimi i ligjit dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës është obligim i cilitdo banorë, dhe vlerësoi ndaljen në kufi të deputetëve serbë si i drejtë ligjor dhe kushtetues, të cilët nuk kishin respektuar procedurat për lejë-hyrjeje nga institucionet kompetente kosovare. "Ata janë deputetë të një shteti tjetër. Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe demokratik. Nuk është çështje politike, por tërësisht ligjore. Ne kemi detyrimin për të respektuar ligjin, Kushtetutën e Republikës së Kosovës", tha Thaçi, duke iu përgjigjur interesimit të medias.   

Last Updated on Tuesday, 17 March 2009 10:22

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›