E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pr.ligji për Protokollin e Shtetit ndan deputetët

Prishtinë - Projektligji për Protokollin e Shtetit të Republikës së Kosovës, pas miratimit gjatë leximit të parë në Kuvendin e Kosovës, është në shqyrtim nga Komisioni parlamentar për punë të jashtme. Projektligji, është sponsorizuar nga Qeveria kosovare dhe është hartuar sipas praktikës protokollare të Shqipërisë dhe shihen se aty ka gabime të mëdha në koncepte. Sipas projektligjit, në Ministrinë e Jashtme themelohet Zyra e Protokollit të Shtetit që ka për detyrë organizimin dhe realizimin e gjithë veprimtarisë kryesore protokollare të kryetarit të Republikës, kryetarit të Kuvendit, kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, për veprimtarinë e tyre brenda dhe jashtë vendit.

Në kapitullin e parë thuhet se Protokolli i Shtetit përfaqëson përmbledhjen institucionale të kritereve që rregullojnë aspektet e natyrës formale dhe joformale të marrëdhënieve zyrtare. Kurse, sipas kapitullit dy ceremoniali diplomatik parashikon dhe përcakton raportet dhe kontaktet protokollare ndërmjet shtetit kosovar dhe shteteve të tjera. Ceremoniali diplomatik përmbledh formalitetet që respektohen për ardhjen dhe largimin nga Kosova të funksionarëve diplomatikë, imunitetet, privilegjet e trupit diplomatik dhe modalitetet e sigurimit të tyre.

Në baza të nenit dhjetë, përfaqësitë e huaja diplomatike të akredituara në Kosovë mund ta mbajnë të shpalosur flamurin e tyre shtetëror në ndërtesën ose në territorin e selisë, derisa flamurin shtetëror të Kosovës krahas flamurit të tyre e ngrenë vetëm në rastin kur shkon për vizitë kryetari i Kosovës dhe njëlloj veprohet edhe me përfaqësitë diplomatike të Kosovës në botë.

Ndërkohë, shpalosja e flamurit të Kosovës është një e drejtë e përgjithshme në Republikën e Kosovës, por askund nuk përmendet flamuri kombëtar. Gjatë vizitave zyrtare të ndonjë kryetari apo kryeministri të huaj, vizita shoqërohet me ekzekutimin e himneve shtetërore të të dy vendeve dhe në këtë rast himni kosovar intonohet pas himnit mik. Përdorimi i stemës së Republikës është e drejtë e organeve shtetërore dhe njihen edhe stemat e niveleve të ndryshme institucionale.

Në pikën 4 të nenit 15 thuhet se protokolli i shtetit vihet në dijeni paraprakisht për çdo lëvizje të kryetarit të shtetit, të kryeparlamentarit dhe të kryeministrit dhe vizitat koordinohen në atë mënyrë që të mos jenë të tre njëkohësisht jashtë vendit. Për kryetarin thuhet se përfaqëson autoritetin më të lartë të shtetit dhe bashkëshortja e tij gëzon statusin e Zonjës së Parë. Pjesëtarët madhorë të familjes që jetojnë me të gëzojnë një status të këshilltarit të kryetarit, kurse ata që nuk bashkëjetojnë me të kanë status të një këshilltari ministri.

Në projektligj obligohen të gjitha institucionet kosovare që në mjediset e tyre ta vendosin fotografinë e kreut të shtetit. Kurse, kryeministri ka të drejtën e një ceremoniali të veçantë në të gjitha aspektet zyrtare e jozyrtare të jetës e të aktiviteteve të tij dhe për bashkëshorten e tij theksohet se gëzon të drejtën e një programi të veçantë protokollar, por nuk ka të drejtë të marrë pjesë në takimet zyrtare. Ministria e Jashtme organizon me misionin diplomatik pritje të ndryshme, duke përfshirë edhe personalitetet kosovare të jetës politike e sociale. Për festat zyrtare dhe memoriale thuhet se ato janë të përcaktuara me ligjin për festat, por nuk tregohet se si do të organizohet protokolli për ato festa. Këtë projektligj në formën siç është aktualisht e ka kundërshtuar grupi parlamentar i AAK-së. Gjatë leximit të parë në Kuvend, AAK-ja ka kërkuar kthimin e tij tek ata që e kanë hartuar. Shefi i deputetëve të AAK-së, Ardian Gjini, ka thënë se ligji është i hartuar keq dhe është një mishmash ordiner. Sipas tij, Komisioni për Punë të Jashtme ka qenë kundër kthimit të projektligjit. Për këtë projektligj është krijuar edhe grupi punues, që kryesohet nga deputeti i PDK-së, Ramadan Avdiu, i cili ka deklaruar se të mërkurën projektligji do t’i dërgohet për shqyrtim Komisionit për Punë të Jashtme. KTV/Start

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›