Pensionet, rritja e re 10% për qytetin, 15% për fshatin
zirina llambro
Rritje 10% të pensioneve të qytetit dhe 15% të atyre në fshat. Kjo do të jetë shtesa që do të përfitojnë kategoritë e të moshuarve që marrin pensione mesatare dhe të ulëta. Ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Spiro Ksera, prezantoi dje në komision parlamentar prioritetet e dikasterit që drejton për 4 vitet e ardhshme. “Do të realizojmë përmirësime në projektbuxhetin e vitit 2010, për të mbështetur objektivat që pensionet në qytet të rriten me 10 për qind, ndërsa në fshat me 15 për qind”, tha Ksera. Ulja e nivelit të papunësisë, ndjekja e politikave për shtresat në nevojë, rishikimi i kuadrit ligjor për dhunën në familje, rritja e personave që paguajnë sigurime shoqërore, do të jenë prioritet kryesore të Ministrisë së Punës në katërvjeçarin e ardhshëm. Këto parashikon strategjia e re. “Niveli aktual i papunësisë është 13.1% dhe ne synojmë që për 4- vjeçarin e ardhshëm ky nivel të shkojë rreth 11%. Do të synohet rritja e pagesës së nivelit të papunësisë në masën 10-20% çdo vit”, tha Ksera. Ministri u ndal tek politikat për rritjen e punësimit dhe uljen e papunësisë, zbatimi i të cilave, sipas tij do të zbusin ndjeshëm këtë fenomen. ”Objektivat për rritjen e punësimit në katër vitet e ardhshme janë ambicioze. Kemi parashikuar hapjen e 160 mijë vendeve të reja të punës. Kryesisht, do të realizohet nëpërmjet zhvillimit ekonomik në tërësi të vendit dhe programi ekonomik i Qeverisë orienton një tipar të fortë punësues, si pasojë e zhvillimeve të pritshme ekonomike”, tha Ksera. Sipas tij, reformat e parashikuara në sistemin fiskal, në përmirësimin e mjedisit për biznesin, investimet e mëdha në infrastrukturë, do të jenë faktorët kryesorë që do të kontribuojnë në rritjen ekonomike dhe, rrjedhimisht, edhe krijimin e vendeve të reja të punës. Duke u ndalur te roli i Ministrisë së Punës dhe strukturave të saj në rritjen e punësimit, ministri theksoi se ky rol do të jetë domethënës. “Kjo do të arrihet nëpërmjet përdorimit të programeve efiçiente të nxitjes së punësimit dhe fuqizimin e instrumenteve të ndërmjetësimit në tregun e punës. Vetëm nëpërmjet zbatimit të programeve të nxitjes dhe ndërmjetësimit nga zyrat e punës, për këtë mandat parashikojmë të punësojmë 59 mijë vetë”, u shpreh Ministri i Punës në Komisionin Parlamentar. Gjatë raportimit të tij mungonin anëtarët e opozitës. Anëtarët e Komisionit kërkuan informacion më të detajuar rreth programeve aktive për uljen e varfërisë. Ministri shpjegoi se, tashmë, ka nisur bashkëpunimi dhe bashkërendimi i punës me organet e Pushtetit Vendor për rritjen e eficencës së programeve aktive për zbutjen e varfërisë. Ai nënvizoi se skema e ndihmës ekonomike po reformohet rrënjësisht, me qëllim rritjen e efektivitetit të saj dhe uljen reale të varfërisë në vend.