Një nxënës i kushton shtetit 420 USD në vit
Kostoja e arsimimit të një nxënësi në arsimin bazë i kushton shtetit 420 dollarë në vit, kurse një gjimnazist ka një kosto prej 600 dollarësh.
Më shtrenjtë fatura shkon për nxënësin e arsimit profesional, i cili në një vit studimi ka një kosto prej 1200 dollarësh. Shifrat i bëri të ditura dje në Komisionin e Ekonomisë, përgjegjësi i sektorit të buxhetit në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Florian Nurçe. Gjatë diskutimeve për ligjin mbi arsimin parauniversitar, që po diskutohet prej kohësh në Komisionet Parlamentar, Nurçe u shpreh se formula e llogaritjes së kostos për nxënës nuk është diçka e panjohur për sistemin e sotshëm arsimor. Projektligji i sjellë për miratim ka efekte tërësore. Ne heqim një ligj dhe gjithë efektet financiare impelemtohen me hyrjen në fuqi të ligjit të ri. Tavanet e miratuara nga Këshilli i Ministrave janë në rritje, janë tregues të qëndrueshëm të buxhetit për të gjitha programet buxhetore, si në menaxhim, në arsimin bazë apo 9-vjeçar, në arsimin bazë të mesëm, në arsimin profesional. Nëse sot ne kemi një kosto mesatare në arsimin bazë prej 420 dollarësh për nxënës, në arsimin e mesëm 600 dollarë në vit dhe në arsimin profesional 1000-1200 dollarë në vit, deri në vitin 2015 këta tregues rriten me 3-6 për qind, ndërsa deri në vitin 2020 këta tregues kanë tendencë rritjeje të qëndrueshme nga 4-10 për qind në programe të ndryshme, sipas prioriteteve të përcaktuara nga Ministria, tha Nurçe.
Pagat e mësuesve
Zëvendësministri i Arsimit, Halit Shamata, i dha dje përgjigje interesit të deputetëve lidhur me një pikë tjetër të rëndësishme, siç ishte ajo nëse pagat e mësuesve do të preken nga formula e re që sjell ligji. Sipas përfaqësuesve të MASH, formula e llogaritjes për nxënës do të marrë parasysh një sërë faktorësh në llogaritje, por kurrsesi nuk do të prekë pagat e mësuesve, të cilët caktohen me vendim të veçantë nga Këshilli i Ministrave për të gjitha kategoritë e punonjësve. Formula me kosto për nxënës do të jetë me faktorë të ndryshëm që merren parasysh në llogaritje, por ajo që është më e rëndësishme, është që nuk prek pagat e punonjësve, sqaruan përfaqësuesit e MASH. Ishte deputetja e PD-së, Mesila Doda, ajo që u interesua nëse pagat e mësuesve preken nga kjo formulë apo jo, duke qenë se në disa rajone të veçanta, raporti nxënës për mësues është nën mesataren dhe në rajone të tjera mbi mesataren. Lidhur me faturën financiare dhe përfshirjen e saj në buxhetin afatmesëm, zëvendësministri i Arsimit u shpreh se kjo faturë ka rritje vit pas viti. Natyrisht që ka një kosto financiare, e cila përfshihet në buxhetin afatmesëm 2012-2015. Meqenëse shumë dispozita i shtrijnë funksionet përtej vitit 2015, ne kemi të gatshme tavanet e projektbuxhetit 2012-2020. Në terma më të thjeshtë, vendi që zë aktualisht arsimi është 3.2 për qind e GDP-së në buxhet dhe në vitin 2020 është parashikuar 4.5 për qind, tha Shamata.
Debati
Albert Caci: Doja të dija se çfarë eksperience të shteteve të tjera keni marrë për këtë ligj?
Halit Shamata: Projektligji u është referuar ligjeve përkatëse të Anglisë, Finlandës, Francës, Hungarisë, Italisë, Gjermanisë, Bullgarisë, Lituanisë, Republikës Çeke, Sllovenisë. Kanë shërbyer si referencë edhe shumë përvoja, si SHBA, Kanadaja, Polonia, Gjermania etj. Ne kemi parë shumë ligje. Lidhur me kurrikulën, më afër kemi sistemin e Finlandës.
Erjon Barçe: Zoti zëvendësministër, ju prezantuat një sërë risish të këtij projektligji, risi që do të materializohen në gjithë arsimin parauniversitar sipas këtij ligji, por që kostojnë. Unë doja të dija se cila është fatura financiare e këtij projektligji që kemi përpara, pavarësisht se ai i shtrin efektet e tij nga viti 2015 e tutje? Domethënë, dua të di për këtë periudhën, deri në vitin 2015, cila është kostoja financiare e projektligjit dhe pastaj meqë ne kemi filluar të operojmë dhe me buxhete afatmesme, nëse kjo kosto e këtij projektligji është parashikuar në buxhetin afatmesëm të qeverisë apo jo?
Halit Shamata: Natyrisht që ka një kosto financiare, e cila përfshihet në buxhetin afatmesëm 2012-2015. Meqenëse shumë dispozita i shtrijnë funksionet përtej vitit 2015, ne kemi të gatshme tavanet e projektbuxhetit 2012-2020. Në terma më të thjeshtë, vendi që zë aktualisht arsimi është 3.2 për qind e GDP-së në buxhet dhe në vitin 2020 është parashikuar 4.5 për qind. Kostoja totale. apo ka të bëjë me rajone? Kostoja është totale. Ne e kemi sa na kushton një nxënës dhe në harkun 2015 ka rritje.
Erjon Braçe: Paraqisni një formulë të re të financimit për gjithë arsimin parauniversitar. Financim për nxënës. Është bërë ndonjë llogaritje sa kushton për nxënës ky financim, sa do të jetë dhe do të ketë kosto fikse, apo do të ndryshojë në varësi të rajoneve apo shkollave?
Florian Nurçe: Sot ne kemi një kosto mesatare në arsimin bazë prej 420 dollarësh, në arsimin e mesëm 600 dollarë në vit dhe në arsimin profesional 1000-1200 dollarë në vit. Deri në vitin 2015 këta tregues rriten me 3-6 për qind, ndërsa deri në vitin 2020 këta tregues kanë tendencë rritjeje të qëndrueshme nga 4-10 për qind në programe të ndryshme, sipas prioriteteve të përcaktuara nga MSH. Lidhur me formulën për nxënës, do të jetë një formulë me faktorë të ndryshëm të përfshirë, dhe ajo që është më e rëndësishme, është që nuk prek pagat e punonjësve.
Mesila Doda: Kjo mënyrë financimi në llogaritjen për nxënës, a mund të shkaktojë probleme me buxhetimin e pagave të mësuesve në disa zona ku ka pak nxënës nëpër shkolla?
Halit Shamata: Pagat e mësuesve nuk kanë të bëjnë me numrin e nxënësve në klasa. Struktura e re e sistemit arsimor 6+3+3 i fillon funksionet në vitin 2015-2016. Elemente të tjera të ligjit i fillojnë më parë. Struktura e sistemit i fillon efektet këtë vit, pasi ne jemi në përgatitje të kurrikulës së re të sistemit arsimor bazë, në kohë që kemi kurrikulën bazë nga viti 2009.
Arsimi parauniversitar, grupet e interesit, kundër
Ligji i ri për arsimin parauniversitar po kundërshtohet jo pak nga grupet e interesit dhe opozita. Pas Sindikatës së Arsimit, dy shoqata të tjera joqeveritare sollën dje në Komisionin Parlamentar të Medias argumentet e tyre. Gjatë diskutimit të projektligjit, Qendra Shqiptare e Asistencës Arsimore ka kundërshtuar nenin ku përcaktohet se Këshilli Kombëtar i Arsimit Parauniversitar kryesohet nga ministri dhe nga prefektët në nivel vendor. Është një ligj që rregullon atë që quhet pjesa qeveritare. Nuk e kuptojmë se si ka mundësi të pranojmë sot se Këshilli Kombëtar i Arsimit tonë Parauniversitar duhet kryesuar nga ministri i Arsimit. Ai është organ konsultativ, u shpreh Pëllumb Karameta, nga Qendra Shqiptare e Asistencës Arsimore. Mënyra si do të ofrohet shërbimi psikologjik në shkolla është një tjetër pjesë e ligjit, e cilësuar e vakët. Përfaqësues të shoqatave të fëmijëve thanë se përcaktimet për shërbimin psikologjik në shkolla janë të vakëta në ligj dhe kanë nevojë të forcohen. Cilësia përsa i përket rolit të shërbimit psikologjik mbetet për tu diskutuar, sepse këtij shërbimi i mungojnë si kriteret për tu afruar, si mënyra e supervizimit, ashtu dhe mënyra e menaxhimit të tij, tha Merita Meçe, përfaqësuese e Koalicionit Kombëtar Bashkë për Kujdesin Tërësor të Fëmijëve. Opozita gjithashtu e ka cilësuar mungesën e faturës financiare si një hendek të madh të këtij ligji.
NERTILA MAHO