Sarkozi, pranë skandalit të fondeve ilegale për fushatën
Lilian Bettencourt, miliarderja trashëgimtare e L’Oreal, është vënë së fundmi në qendër të dyshimeve mbi evazionin e taksave, pasi ka dhënë një zarf të mbushur me para në vitin 2007 për fushatën e Presidentit francez, Nikola Sarkozi. Shuma ishte prej 150.000 eurosh, sipas një ish-kontabilisteje për 87-vjeçaren. Sarkozi ka mohuar në mënyrë të vendosur marrjen e parave në dorë, por zëdhënësi i tij nuk do të përjashtonte mundësinë se shuma mund të jetë marrë nga anëtarë të tjerë të stafit të fushatës. Në një intervistë për faqen elektronike të lajmeve “Mediapart”, një llogaritare e zonjës Bettencourt thotë se punëdhënësja e saj i kishte dhënë Ministrit të Punës, Erik Uoerth, një shumë prej 150 mijë eurosh si dhuratë, në një zarf pa adresë. Shuma ishte futur në një zarf pa emër e adresë dhe do të përdorej për fushatën e zotit Sarkozi në vitin 2007. Në atë kohë Ministri Uoerth mbante llogaritë e fushatës së Sarkozisë. Sipas ish-llogaritares, Nikola Sarkozi ishte vizitor i rregullt në rezidencën e familjes Bettencourt në vitet ‘90, ku sipas saj, ai kishte marrë zarfe me para në kesh, ndërkohë që ishte kryetar bashkie. “Unë do të doja kaq shumë që vendi të merrej me shqyrtimin e problemeve të mëdha, në vend që të marrë përfundime të tmerrshme si reale, shpifje me vetëm një qëllim, shpifje pa baza reale”, tha Sarkozi. Administrata e Sarkozisë është vënë nën shënjestër për “mbylljen e një syri” mbi parregullsitë e supozuara financiare, duke përfshirë edhe ato të znj. Bettencourt, si pjesë e strategjisë afatgjatë të saj për të qenë një aleat i ngushtë me të pasurit. E identifikuar si T. Claire, ish-llogaritarja tha se ajo kishte tërhequr 150.000 euro nga këshilltari financiar i znj. Bettencourt, Patrice de Maistre. Kur Claire fillimisht refuzoi sepse limiti i kreditit ishte 50,000 euro në javë, ajo tha se Z. Maistre u zemërua dhe i kishte thënë se paratë duheshin për fushatën e Presidentit Sarkozi dhe 50,000 euro nuk ishin të mjaftueshme. Donacionet politike në Francë janë të limituara në 4,600 euro për çdo individ dhe kontributet me para në dorë nuk mund t’i kalojnë 150 euro.