Tadiç braktis KS pas ftesës së Hysenit
Takimi i së martës në Këshillin e Sigurimit mbi situatën në Mitrovicë, i kërkuar me urgjencë nga Presidenti serb, Boris Tadiç, përfundoi në një debat për pavarësinë e Kosovës. Presidenti serb, Tadiç, doli jashtë sallës së Këshillit të Sigurimit kur Ministri i Jashtëm i Kosovës i kërkoi të bashkëpunojë me Prishtinën në hetim si dy shtete të pavarura. As Serbia e as OKB-ja nuk e kanë njohur shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës në shkurt 2008. Hyseni u rendit si një folës në mbledhjen e Këshillit, pa ndonjë titull. Beogradi, i mbështetur nga Moska, e hodhi poshtë deklaratën e pavarësisë dhe mori rastin para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të OKB-së. Tadiç tha se gjykata do të marrë një vendim së shpejti, nëse shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte e ligjshme. Hyseni i tha Këshillit të 15 vendeve që Prishtina po heton sulmin me bombë në Mitrovicë, si një akt “penal”. “Ka një hetim të plotë të policisë që po vazhdon, - tha Hyseni. - Republika e Kosovës është e vendosur të hetojë rastin dhe të sjellë autorët e krimit para drejtësisë”, shtoi ai. Tadiç i tha Këshillit se 3.000 serbë etnikë, të cilët zhvilluan një protestë kundër Prishtinës të premten e kaluar në Mitrovicë, u sulmuan me bomba. “Ajo që ndodhi në Mitrovicë është pasojë e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës”, tha Presidenti serb. Ai dënoi incidentin dhe akuzoi Prishtinën si shkaktare të tij. Tadiç akuzoi “separatistët shqiptarë” për përpjekje për të ngritur një zyrë qeveritare të Kosovës në qytetin “serb të pjesës veriore të Mitrovicës”, gjë që shkaktoi protesta serbe etnike. “Autoritetet e etnisë shqiptare duhet ta kuptojnë se çfarë pasojash sjellin vendimet e njëanshme dhe duhet të dënohen për këtë, përndryshe Serbia do të ketë zgjidhje, por për të rivlerësuar marrëdhëniet e saj me ndërkombëtarët në Kosovë”.
Nga ana tjetër, deklaratat e përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë, përkatësisht shefit të UNMIK-ut, Lamberto Zanier dhe kreut të EULEX-it, Iv de Kermabo, ishin para së gjithash përmbledhje e rrjedhës së ngjarjeve të 2 korrikut, por edhe të 5 korrikut, kur u plagos deputeti i Kosovës, Petar Miletiç. Shefi i EULEX-it tha se Policia e Kosovës po heton profesionalisht rastin dhe ka asistencën e plotë të misionit europian. Kermabo theksoi se misioni që ai drejton ka pranuar ftesën për bashkëpunim në hetime nga Beogradi. Kermabo i ka cilësuar spekulime akuzat e publikuara në media për ngjarjet e së premtes. Përfaqësuesit e vendeve anëtare të KS-së në deklaratat e tyre dënuan dhunën, por patën qasje të ndryshme lidhur me zhvillimet në Kosovë. Franca, Britania e Shtetet e Bashkuara nënvizuan përpjekjet e Qeverisë së Kosovës dhe kundërshtuan politikat e Beogradit. Rusia dhe Kina, vende anëtare të përhershme në Këshill të Sigurimit, mbrojtën qëndrimin e Beogradit, duke nënvizuar nevojën për bisedime shtesë për zgjidhjen e statusit. Këto kërkesa u hodhën poshtë nga Kosova dhe vendet perëndimore.
Deklaratat
Boris Tadiç
“Ajo që ndodhi në Mitrovicë është pasojë e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës. E vërteta është se shpallja e njëanshme e pavarësisë nuk e ndihmon paqen dhe stabilitetin. E vetmja mënyrë për të vendosur stabilitetin në Kosovë është zbatimi i planit 6-pikësh të Sekretarit të Përgjithshëm”.
Skënder Hyseni
“është një thirrje, që unë besoj se do të jetë dhe duhet të jetë shumë e dobishme. Ajo është për Beogradin, që të ndalojë me manipulimin e dëmshëm të serbëve të Kosovës. Hetimi po ecën mirë. Ajo që mund të them është se ato granata dore mund të jenë hedhur nga brenda turmës, nga vetë protestuesit”.
Aleksandër Volf (SHBA)
“është për të ardhur keq se përpjekjet e Qeverisë së Kosovës t’i ndihmojë ata që janë në nevojë në veri, u dëmtuan nga përpjekjet për ta politizuar situatën dhe e destabilizuan atë në veri. Duhet të them se çdo dhunë apo akt provokues nga demonstruesit është i papranueshëm”.
Lamberto Zanier (UNMIK)
“Megjithatë situata e sigurisë është më e tensionuar se zakonisht. Dje në mëngjes një deputet i Kuvendit të Kosovës është goditur me armë në dy këmbët e tij jashtë shtëpisë. Pas rastit të 2 korrikut unë shpreh keqardhje për dhunën e ushtruar dhe u kërkoj të dyja palëve që të jenë të qeta dhe t’ia lënë në dorë rastin drejtësisë”.
Iv De Kermabo (EULEX)
“Fatkeqësisht një deputet serb i Kosovës, Petar Miletiç, është plagosur me plumb. Ka nevojë që ky rast të hetohet, por Policisë së Kosovës dhe EULEX-it iu është ndaluar hyrja në Spitalin e Mitrovicës nga ekstremistët serbë dhe për ne kjo konsiderohet si shkelje e rregullave dhe ligjit. Duhet përmendur se më 2 korrik stafi i EULEX-it ka qenë në shënjestër të kërcënimeve të ndryshme nga elemente radikale në veri, duke paraqitur rrezik për gjithë ata, prandaj ne e dënojmë këtë rast”.
Doris Pack
Eurodeputetja Doris Pack ka deklaruar mbi situatën në Mitrovicë se “serbët nga veriu i Kosovës nuk duhet të lejojnë që Beogradi t’i manipulojë dhe as nuk duhet të besojnë në premtimet se nëse vazhdimisht ka probleme në Mitrovicë, ajo në fund do të ndahet nga Kosova. Kjo nuk do të ndodhë. Në vend që t’i përmbushin urdhrat e goditjes së sistemit në Prishtinë, do të ishte e mençur që të pranojnë të jetojnë në paqe me të tjerët, pasi kjo është vendlindja e tyre e vetme”, tha ajo.
Bajram Rexhepi
Ministri i Brendshëm në Kosovë, Bajram Rexhepi, tha se Qeveria në Prishtinë është “e vendosur për të vazhduar zbatimin e planit të tyre për veriun”. Ai deklaroi se kështu do të jetë, pavarësisht nga rritja e tensioneve në zonat me shumicë serbe. Plani për integrimin, i paraqitur në fillim të këtij viti nga Qeveria e Kosovës dhe Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO), synon të sjellë zonat serbe të krahinës nën kontrollin e Prishtinës dhe është kundërshtuar nga serbët që jetojnë atje dhe zyrtarë të Beogradit.