E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria: Shtatë të pandehurit bënin një jetë luksi, kanë shpenzuar miliona nga eurot e vjedhura

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka gjetur vetëm “thërrimet” e vlerave monetare të shtatë të pandehurve të arrestuar gjatë operacionit të koduar “Hijet e natës”, të cilët kishin organizuar një grup të strukturuar kriminal, duke vjedhur biznese të rëndësishme në Shqipëri. Nga të dhënat e mbërritura prej bankave të nivelit të dytë dhe zyrat e hipotekës ka rezultuar se personat e arrestuar janë të varfër, megjithëse nga bilancet e grabitjeve rezulton se kanë përfituar miliona euro. Megjithatë, i vetmi rast që përbën përjashtim është gjetja e një llogarie bankare me plot 15 mijë euro, e cila i përket njërit prej 7 të arrestuarve, ndërsa personat e tjerë, nga përgjigjet e deritanishme nuk kanë asnjë kacidhe në bankë. Hetuesit e çështjes dyshojnë se anëtarët e grupit kriminal i harxhonin paratë duke luajtur në lojëra fati, në blerjen e lëndëve narkotike dhe për jetë luksi, madje edhe për udhëtime turistike.
Kërkesat
Disa javë më parë, hetuesit e çështjes u kërkuan bankave të niveleve të dyta informacione për llogaritë e mundshme bankare që mund të kishin ngritur shtatë anëtarët e kësaj organizate. Kishte dyshime se paratë e vjedhura ishin depozituar në ndonjë bankë të niveleve të dyta. Burime nga prokuroria thanë se po verifikohen edhe llogaritë bankare të të afërmve të arrestuarve, duke u bazuar në ligjin e vjetër “Antimafie”. Hetuesit e çështjes i kërkuan informacione zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme për pasuritë që mund të disponojnë shtatë anëtarët e kësaj organizate. Burime nga prokuroria deklarojnë se përgjigjet e bankave kanë mbërritur në prokurori, ndërsa priten përgjigjet e hipotekave. Ka dyshime se me përfitimet nga aktiviteti kriminal ata kanë ngritur pasuri të paluajtshme.
Hetimet
Ndërkohë, puna e hetuesve po përqendrohet në zbardhjen e disa grabitjeve të tjera që janë realizuar prej personave të pandehur. Ka dyshime se grupi ishte i mirorganizuar dhe kishte një strukturë. Një hetim i plotë dhe i gjerë, i realizuar për tre muaj, ka zbardhur edhe personat që akuzohen për rreth 20 vjedhje në të gjithë Shqipërinë. Në shumicën e rasteve, banda vepronte natën. Sipas të dhënave, gjatë gjithë ditës ata flinin gjumë dhe mblidheshin rreth orës 18.00 pasdite për të bërë planin e goditjes së radhës. Si truri i këtij rrjeti kriminal është cilësuar i arrestuari Bakalli, tepër i njohur edhe nga policia, pasi ka vjedhur disa banka të njohura në vend. Për të realizuar grabitjen e një biznesmeni, anëtarët e bandës, përveç sendeve si çelësa, kaçavida apo materiale të ndryshme, kanë përdorur batanije dhe copa të vogla tapetesh. Pasi kanë arritur të hyjnë brenda, disa prej anëtarëve të bandës kanë çmontuar kasafortën, ndërsa disa të tjerë me kuvertat dhe tapetet janë futur brenda ambienteve. Kjo metodë është përdorur edhe në raste të tjera, për të mbuluar gjurmët. Sapo gjenin lekët i hidhnin në tapet, të cilin e mbështillnin dhe menjëherë dilnin jashtë. Fill pas gjithë këtyre veprimeve ata largoheshin me makinat e tyre, duke marrë me vete edhe shumat e konsiderueshme të lekëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›