E Diel, 1 Nëntor 2026

Si fitohet duke blerë bono thesari

27/01/2005  

Interesat më të larta. Fitimet jepen brenda javës në dorë

8.18%

interesat

e bonove

AVANTAZHET

Risk zero

Interes i lartë

Fitimet në dorë

brenda javës

Depozitat janë forma më e lehtë për të fituar para, duke qëndruar në shtëpi. Loja me interesat i ka mësuar klientët e bankave, të kthejnë sytë edhe nga bonot e thesarit, interesat e të cilave janë po aq konkurruese sa dhe ato të depozitave. Klientët që kanë shumë para dhe nuk duan t’i mbyllin për një kohë të gjatë brenda bankave, mundet fare mirë të blejnë bono thesari me afat të shkurtër maturimi. Të interesuar për bonot e thesarit janë dhe ata klientë që nuk janë të aftë të hapin dot një biznes apo nuk kanë dëshirë të riskojnë me investimin e tyre. Kështu forma më e shpejtë dhe e mirë mbetet investimi në bono thesari. Nëse me depozitat do të luash me norma të ulëta interesi, që fillojnë me 4 për qind për të arritur maksimumi deri në 9 për qind, me bonot e thesarit ke shansin të fitosh më shumë dhe në një kohë më të shkurtër. Një depozitë një vjetore të ofron deri në 7 për qind interes, ndërkohë që një bono thesari me maturim 1-vjetor të ofron me siguri 8.18 për qind interes, të cilin e merr menjëherë pasi mbyllet ankandi dhe përcaktohet interesi i maturimit. Me fjalë të tjera, kushdo që është i interesuar mund të paraqitet në sportelet e Bankës së Shqipërisë dhe të kërkojë të blejë bono thesari me afat nga 3 muaj deri në një vit. Personat e interesuar depozitojnë kërkesën në fillim të javës për të blerë bono me maturim 1-vjeçar. Pasi zhvillohet ankandi, mësohet se sa është vendosur përqindja e interesit, që në rastin e fundit për bono me maturim 1-vjeçar ka qenë 8.18 për qind. Personi i interesuar merr menjëherë interesin e vlerës, duke zbritur vlerën e TVSH–së, që i mban banka dhe pas një viti mund të tërheqë shumën e depozituar.

Kështu, në rast se ke 10 milionë lekë të vjetra, mundet fare mirë të shkosh në sportelin e Bankës së Shqipërisë në ditën e parë të javës dhe të njihesh me interesat e ofruara nga banka për bonot me maturimin më të vogël tremujor e deri te bonot me maturim një vjetor. Sipas interesit ose dëshirës për të mbajtur të bllokuara paratë, personi i interesuar mund të blejë bono dhe të caktojë afatin e maturimit, duke mbushur një formular. Në fund të javës, pasi është mbyllur ankandi i bonove dhe është caktuar dhe interesi me të cilin BSH-ja i ka shitur bonot e thesarit, personi që ka hyrë në lojë mund të shkojë dhe të tërheqë interesin e shumës së depozituar. Në rast se, për shembull, paratë janë depozituar për 1 vit, personi duhet të tërheqë 800 mijë lekë të vjetra dhe pas një viti mund të shkojë të marrë edhe depozitën prej 10 milionë lekësh.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›