E Diel, 1 Nëntor 2026

"Një rrëfenjë me ndërkombëtarë" në Paris

Libri "Një rrëfenjë me ndërkombëtarë" i Ylljet Aliçkës do të mbledhë në Paris të dielën më 15 mars shoqatën kulturore "Les albanais de France", e cila, në bashkëpunim me shtëpinë botuese "Toena", organizojnë në Qendrën e Artit dhe Kulturës së Montmartre një takim letrar me shkrimtarin Aliçka. Shtëpia botuese "Toena", sapo ka hedhur në qarkullim ribotimin e librit "Një rrëfenjë me ndërkombëtarë". Romani vjen i ripunuar dy vite pas botimit të tij të parë. Ai trajton një subjekt provokues e cinik në të njëjtën kohë, një libër që blasfemon arrogancën "elitare" të një pjese të opinionit ndërkombëtar. Gjithashtu është një libër mbi kulturën e nënshtrimit, e mbizotërimit, një roman zyrash, ngjyrë gri, i përshkruar me mjaft humor, sarkazëm therëse dhe cinizëm ironizues. Kritika e ka quajtur librin një univers grotesk e cinik, një libër i zi nën dritën e diellit të një vendi të vogël evropian, ndërsa autorin një sfungjer që thith rreth vetes gjithçka groteske që ofron vetë jeta. "Një rrëfenjë me ndërkombëtarë" është roman artistik, i ngacmuar nga imazhi alarmant që mbizotëron sot në një pjesë të opinionit ndërkombëtar për Shqipërinë e shqiptarët, i cili bëhet shkak zhgënjimesh në planin individual dhe jo rrallë pengesë në planin politik e atë institucional. Ai hedh dilemën se mos vallë mirënjohja e thellë dhe toleranca e tepruar e shqiptarëve ndaj kontributit jetësor për zhvillimin e Shqipërisë postdiktatoriale, u keqkuptua nga një pjesë e opinionit të huajt? Sipas autorit, nami i Shqipërisë dhe i shqiptarëve po ndotet ca më shumë seç e meritojmë dhe më tepër se sa një deficit demokratik, kjo është më së shumti pasojë e një deficiti komunikues. Njohja e problematikës shqiptare, nuk mund të bëhet e sforcuar, apo me improvizime emocionale për të kërkuar mundimshëm simpati ndërkombëtare. Romani "Një rrëfenjë me ndërkombëtarë" përfaqësoi Shqipërinë në çmimin letrar "Ballkanika" (romani më i mirë i vendeve të Ballkanit) për vitin 2007 dhe u vlerësua si një prej pretendentëve kryesorë për çmimin e parë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›