Një rrëfim për Oparin
Në librin e tij “Rreth e rrotull në Opar. Vite, njerëz, ngjarje”, që po i jepet në dorë lexuesit, sidomos atij oparak, mësuesi dhe gazetari Apostol Bitraku paraqet një tablo të gjallë, me fakte historike, me një gjuhë e stil të rrjedhshëm, historinë e vjetër dhe të re të kësaj krahine nga më maloret e të thyera të Qarkut të Korçës. Që në faqet e para të librit, autori bën një përshkrim të hollësishëm të kësaj treve, nga lashtësia, sundimi osman e deri në ditët e sotme. Meritë e autorit është se rrëfen me fakte që kjo trevë ka qenë e populluar që në kohët e lashta dhe, më vonë, vetëm në fshatin Marjan, sipas regjistrit të vitit 1668–‘69 numëroheshin 261 shtëpi me mbi 2 mijë banorë. Autori flet për kryengritjet që oparakët kanë bërë kundër pushtuesve të huaj, duke filluar nga viti 1690 e duke vazhduar deri në ngritjen e flamurit në Vlorë më 1912-n, ku morën pjesë, bashkë me shumë patriotë të tjerë, edhe disa nga kjo krahinë. Opari u bë shesh lufte kundër andartëve grekë e pushtuesve të tjerë. Edhe kur fashizmi italian pushtoi vendin të premten e zezë të 7 prillit 1939, oparaku e luftoi, aq sa në vitin 1942 në këtë trevë u formuan 6 çeta partizane, të komanduara nga patriotë e trima oparakë. Një përshkrim të hollësishëm i bën autori në librin e tij kësaj krahine sipas “Memories” së Gjon Muzakës, i cili na jep shumë njoftime për këtë zonë. Autori ka mundur të ndajë legjendën nga faktet historike, toponimet dhe folklori, e t’u përmbahet fakteve e datave të shkruara e të vërtetuara. Një kapitull të veçantë në këtë libër zë përshkrimi që u bën ai oparakëve si njerëz të punës e ndërtues të talentuar, duke i dhënë, siç thotë autori, “gurit formë dhe drurit jetë” dhe këto dukuri do t’i gjesh jo vetëm në krahinën e tyre e brenda vendit, por edhe jashtë, që nga ndërtimi i njërës nga mrekullitë e botës, Taxh Mahallin e famshëm, atje në Agër të Indisë nga mjeshtri oparak Mehmet Isai e deri te kryearkitekti i Ali Pashë Tepelenës, Petro Korçari, një nga arkitektët më të dëgjuar me origjinë edhe ky nga Opari që ndërtoi pallate, ura, kështjella e rrugë të veçanta në të gjithë pashallëkun e Janinës, si dhe në vendlindjen e tij. Autori i librit na tregon se mjeshtrit e kësaj treve nuk ishin vetëm ndërtues të talentuar, por edhe patriotë e arsimdashës. Ata kanë luftuar shumë për mësimin e përhapjen e gjuhës shqipe. Në fshatin Lavdar të kësaj krahine mësohej alfabeti shqip që në vitin 1852 me abetaren e N. Veqilharxhit. Edhe më vonë oparakët kanë hapur shkolla shqipe private, kur kërkesat e tyre binin në vesh të shurdhër të qeveritarëve. Vetëm gjatë Luftës Nacionalçlirimtare në këtë krahinë u hapën 7 shkolla me 9 klasa e 212 nxënës. Rrëfim i veçantë në këtë libër është reportazhi “Një udhëtim ndë Shqipëri”, botuar në gazetën “Drita” të Sofjes më 1907-n, ku autori i tij bën një përshkrim të hollësishëm për “Udhën e karvanit” nga Korça në Berat, që kalonte përmes Oparit, duke e përshkruar këtë krahinë me të gjitha veçoritë e saj, që regjimi otoman e kishte lënë në ditë të hallit, në një varfëri të tejskajshme. Po ai nuk harron të flasë edhe për mikpritjen oparake apo trimat e kësaj ane. Mund të themi se një nga kapitujt më me interes të këtij libri është ai mbi krijimtarinë gojore popullore, folklorin e pasur dhe të veçantë të kësaj zone. Nëpërmjet vargjeve të këngëve tregohet gjithë historia dhe traditat e kësaj treve, luftërat e përpjekjet e tyre, ku kanë marrë pjesë burra e gra. Një studim të hollësishëm autori bën për piktorin e traditës Spiro Xega, që e ngrysi jetën e tij të gjatë me penel në dorë, duke na dhënë tablo e portrete, jo vetëm për Heroin Kombëtar, Skënderbeun dhe betejën e Mesolongjit në Greqi, por edhe tablo e portrete të goditura nga Opari, siç është “çeta e Shahin Matrakut”, portretet “Teto Qyrana”, “Parashqevia” e plot të tjerë, apo “Shqipëtarka nga Opari” më 1952, një vit para vdekjes në moshën 92-vjeçare. Oparakët janë shquar në disa fusha, për të cilat autori na jep jetëshkrime të hollësishme për veprimtarinë e tyre. Nuk ishin të rrallë oparakët që ushqenin ndjenja patriotike. Disa prej tyre, të veçuar, do t’i gjejmë në librin e Apostol Bitrakut. Aty do të njihemi me jetëshkrimin e Pandeli Leços nga Karbanjozi, njeriu që shoqëroi Ismail Qemalin nga Durrësi në Vlorë në nëntorin e vitit 1912. Njeriu i dënuar dy herë me vdekje, krahu i djathtë i Sali Butkës, pjesëmarrës në luftën kundër andartëve grekë etj. Aty do të njihemi me jetëshkrimin e komandantit trim Hasan Moglica, patriot e luftëtar, njëri nga komandantët e çetave që u formuan në Opar që më 1942-shin. Si përfundim mund t’i mbyll këto shënime për këtë libër me vlera të veçanta historike e letrare, sidomos për ne oparakët, që të mos harrojmë vendin nga e kemi prejardhjen.
#