E Diel, 1 Nëntor 2026

Një rrezik qeveritar i kanoset kulturës kombëtare

—-Nga  Fatmir Toçi —-

Ka disa muaj që një shqetësim në rritje ka përfshirë shoqërinë shqiptare, në mënyrë të veçantë shoqërinë civile, studiues, specialistë, analistë dhe pjesën më të madhe të medias. Bëhet fjalë për gjendjen e mjerueshme drejt degradimit të plotë të trashëgimisë sonë kulturore, monumenteve të kulturës dhe objekteve të tjera si pjesë e kësaj trashëgimie dhe, nga ana tjetër, prirjes dhe tendencës shtetërore për dhënien më qera të këtyre objekteve, duke rrezikuar tjetërsimin e destinacionit të tyre dhe zhdukjen një herë e përgjithmonë të vlerave historike e identitare që ato mbartin.

Dhe shqetësimi është i drejtë.

Gjendja sot e parqeve arkeologjike, ndërtimeve të ndryshme historike, monumenteve të kulturës dhe objekteve të tjera që bëjnë pjesë në trashëgiminë kulturore është e mjerueshme.

Dhe kjo për shkak të mungesës totale të vëmendjes të shtetit në dy dekadat e fundit, mungesës së financimeve dhe kujdesit për ruajtjen, restaurimin dhe menaxhimin e tyre, shkatërrimeve sistematike nga faktorët natyrorë dhe papërgjegjshmëria e individëve që kanë vënë dorë mbi to për qëllime përfitimi.

Ne nuk jemi kundër bashkëpunimit me subjektet e interesuara, donatorë apo manexhues të ndryshëm, vendas apo të huaj.

Por zgjidhja që ofrohet me ngut nga dikasteri i kulturës për tia dhënë me qera afatgjatë subjekteve private, pa një studim paraprak të gjendjes aktuale, pa një analizë të trajtimit të disa objekteve të dhëna gjatë viteve të fundit për efektet e kësaj mënyrë trajtimi, pa marrë parasysh përvojen ndërkombëtare përreth të manexhimit të këtyre objekteve, me një fjalë, pa hartuar rregulla të qarta e kushte konkrete të dhënies së tyre, na duket jo vetëm e nxituar, por edhe e dëmshme.

Rastet e degjenerimit të situatës ndërtimore pas lejeve të dhëna brenda Kalasë së Lëkurësit, asaj të Shkodrës, të Petrelës, të Prezës, të Elbasanit, ferri që e ka rrethuar jashtë e brenda kalanë e Krujës, etj. janë vetëm pak shembuj për të treguar se si nuk ka funksionuar kjo mënyrë menaxhimi në vitet e shkuara, por edhe mungesën e plotë të kontrollit nga ana e shtetit në zbatimin e kontratave të lidhura më parë.

Nga ana tjetër, fatal për fatin e shumë parqeve arkeologjike, rezulton dasia elektorale e politikës ku, si rrjedhojë e mënyrës se si kanë votuar shqiptarët, jepen investimet edhe për zonat që ruajnë në territorin e tyre pasuri të pallogaritshme të trashëgimisë kulturore.

Rasti më tipik është Parku Arkeologjik i Amantias në Ploçë të Sevasterit, i vetmi në vendin tonë që ka të ruajtur edhe një stadium antik mbi 2000-vjeçar, i cili është kthyer në një vathë bagëtish, atje ku dikur jetonin mbretërit apo zhvilloheshin lojra olimpike për të gjithë Rajonin, përfshi qytet-shtetet greke e, më vonë, ato romake.Dhe e gjitha kjo, vetëm për mungesë të investimit për asfaltimin e 7 km rruge.

Por edhe kalaja e Mavrovës në komunën e Kotës, vetëm 20 km larg nga qyteti i Vlorës, e cila ka mbetur tërësisht e pavizitueshme nga mungesa e rikonstruksionit të vetëm 2 km rruge.

Dhe raste të tilla janë me dhjetra.

Si mundet që një trashëgimi kulturore mijëvjeçare, e ardhur deri në ditët tona si kontribut i disa qindra brezave, e vetmja pasuri autentike shqiptare dhe si element sigurie për kartën e identitetit tonë të jepet me një kontratë interesash përfitimi midis pushtetarëve të radhës dhe mbështetësve të tyre për 20 a për 30 vjet.

Në këtë vend ku prej 7 vitesh po shitet me nxitim çdo pronë publike dhe pasuri kombëtare për të mbajtur në këmbë një qeveri të dështuar dhe që e ka futur vendin në krizë të gjithanëshme, është gjetur dhe mënyra e kamufluar me anë të qerasë afatgjatë për dhënien përjetësisht edhe të objekteve të trashëgimisë kulturore; edhe pse zërat më autoritarë të fushës dhe studiues të njohur po i bien kambanave të alarmit për rrezikun e madh që i kanoset kulturës sonë kombëtare.

Nga vetë drejtues të institucioneve të kulturës në Shqipëri është pohuar publikisht se tashmë është bërë gati lista e 30 40 objekteve të para për tu dhënë me qera; pa asnjë bazë ligjore, pa asnjë studim paraprak. Objekte, të cilat nga vlerë monumentale e dëshmi historike kombëtare që janë sot, nesër në themelet e tyre do të ngrihen bare, ristorante, hotele, motele e kazino.

Kjo është dhurata më e trishtë dhe më e shëmtuar që po i bëhet shqiptarëve në vitin e 100-të të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare: Rreziku për të sfumuar apo zhdukur çdo gjurmë të trashëgimisë sonë historike e kulturore, të pjesës më të rëndësishme të identitetit tonë kombëtar, siç po veprohet edhe me shkatërrimin sistematik të monumenteve të historisë dhe të figurave të qëndresës popullore në luftrat e fundit për liri, pavarësi e çlirim kombëtar.

Ne kërkojmë të ndërpritet nisma dhe përpjekjet për dhënien me qera të monumenteve të kulturës; të kryhet një studim i plotë mbi gjendjen e tyre, nevojat që kanë për ruajtjen, mirëmbajtjen dhe ndërhyrjet restauruese të mundëshme nga institucionet përkatëse, por edhe përvoja e deritanishme e dhënies më qera të këtyre objekteve; të studiohet më mirë praktika e vendeve fqinje dhe të Rajonit, me të cilat historia dhe kultura jonë ka qenë pjesë dhe në bashkëveprim në të gjitha kohrat;

Dhe së fundi, të ndërmerret nisma ligjore për këtë problem për hartimin e një ligji të veçantë për trajtimin dhe menaxhimin e objekteve të trashëgimisë kulturore, duke tërhequr më parë mendimin dhe propozimet e të gjithë aktorëve të fushës, në mënyrë të veçantë të specialistëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›