E Diel, 1 Nëntor 2026

Një serb rrah fëmijën shqiptar 10 vjeç

Viti, 30 gusht – Fëmija i moshës 10 vjeçare,  F. A. nga fshati Beguncë e Vitisë, para disa ditësh në fshatin Vërboc , është rrahur rëndë nga një serb rreth 30 vjeç. Rastin të hënë e ka konfirmuar edhe policia në Viti, e cila thotë se është në kërkim të autorit të këtij incidenti.
Familjarët e fëmijës  shprehen të shqetësuar me rastin që i ka ndodhur fëmijës së tyre dhe kërkojnë nga organet e rendit që sa më shpejtë të zbulohet autori i këtij incidenti dhe ai të dalë para drejtësisë. Rrustem Ademi, gjyshi i fëmijës, i ka thënë të hënë Koha.net se nipi i tij në ditën kritike ishte duke u kthyer me biçikletë në shtëpi nga fshati Skifter, ku ishte për vizitë tek halla e tij dhe në fshatin Vërboc, atë pa pritur e ndal një qytetarë serb, i cili e rrah deri në alivanosje, duke i shkaktuar lëndime të rënda në gojë dhe dhëmbë.
“Fëmijën në shtëpi na ka sjellë një qytetar, që e ka gjetur atë pasi ishte rrahur, dhe atë menjëherë e kemi dërguar në Shtëpinë e Shëndetit në Viti prej ku me preferencë të mjekëve për trajtim të mëtutjeshëm e kemi transferuar në Spitalin e Gjilanit”, ka thënë Ademi. Ai ka theksuar se ai, edhe pse nga mjekët është liruar në shtëpi, vazhdon të marrë terapi mjekësore, pasi nga ky incident ka disa lëndime në fytyrë dhe dhëmbë të thyer.
Komandanti i stacionit policor në Viti, kapiteni Afrim Halili, ka konfirmuar rastin dhe ka thënë se policia është në kërkim të autorit të këtij rasti. Kapiteni Halili, ka thënë se për momentin ky incident nuk mund të karakterizohet si incident ndëretnik, pasi kjo çështje mund të vërtetohet vetëm pasi të kapet autori  dhe të merret deklarata nga ai.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›