E Diel, 1 Nëntor 2026

Papandreu miraton “paketën e kursimit”, sindikatat në grevë



Qeveria greke ka miratuar dje masa të mëtejshme të ashpra në përpjekje për të ulur deficitin e buxhetit të Greqisë nga 12.7 për qind të GDP-së së llogaritur vitin e kaluar, në 8.7 për qind këtë vit. Në vitin 2009 deficiti grek arriti 30 miliardë euro, 12,7 për qind e GDP-së. Kjo është e treta herë që Qeveria Papandreu merr masa të ashpra në dobi të buxhetit të shtetit, por në kurriz të popullit grek, si mënyra e vetme për të shpëtuar Greqinë të mos përjashtohet nga Eurozona dhe t’i krijojë hapësira vetes për të kërkuar ndihma të reja financiare nga Bashkimi Evropian. Masat shtesë shihen si një lloj prove për një marrëveshje të re dhjetëvjeçare dhe parakusht për çdo ndihmë financiare nga BE. Plani i ri ka synim për të përfituar 4,8 miliardë euro, që janë të barasvlershme me 2 për qind të GDP-së. Masat janë një kombinim i shkurtimit të shpenzimeve dhe rritjes së taksave, ku gjysma e parave do të vijë nga shkurtimi i shpenzimeve dhe gjysma nga taksat. Ato përfshijnë uljen deri në 30 për qind të pagave të sektorit publik, ngrirjen e pensioneve dhe rritjen e detyrimeve të vendosura mbi konsumin. Masat që u njoftuan dje publikisht nga kryeministri janë pritur shumë keq brenda vendit. Sindikatat po paralajmërojnë për grevë të madhe. Sipas sindikatave, këto masa do të rëndojnë shumë mbi popullsinë dhe janë të padrejta. Sindikata kryesore greke, Gsse ka njoftuar organizimin e një greve në formë proteste. Sipas Gsse, masat janë anti-sindikate dhe do të rëndojnë recesionin. Ndërsa zyrtarë të Bashkimit Evropian i pritën mjaft mirë ato. Paketa e masave të ashpra të Greqisë është mbështetur edhe nga FMN. Sipas Jorgo Papandreut, kryeministrit grek, masat janë të domosdoshme për mbijetesën e Greqisë dhe ekonomisë së saj dhe “Greqia tani pret solidaritetin e Evropës”. Gjatë këtyre ditëve, Greqia e ka krahasuar krizën ekonomike me “një gjendje lufte”. “E gjejmë veten në një situatë lufte, të përballur me skenarë negativë për vendin”, tha Papandreu për grupin e tij parlamentar. Ai përforcoi se Greqisë i duhej të shmangte falimentimin, skenarin në të cilin shteti nuk do të ishte në gjendje të paguante rrogat dhe pensionet. Edhe pensionistët protestuan kundër masave të Qeverisë. Mosha për të dalë në pension u rrit nga 65 në 67 vjeç dhe disa pensione janë ngrirë. Megjithatë shenjat jashtë Greqisë ishin pozitive. Euro u rrit me 0,5 për qind në raport me dollarin, menjëherë pasi kryeministri Papandreu njoftoi publikisht masat e reja për rimëkëmbjen e ekonomisë dhe shpëtimin e Greqisë nga shkatërrimi. Masat do të kthehen në ligj të premten. Parashikohet një rritje e mëtejshme e euros nëse do të konfirmohet se Franca dhe Gjermania do ta ndihmojnë Greqinë në këtë ngërç të madh financiar dhe ekonomik, më i keqi ndër dekada.

Masat në shpenzime dhe taksa

- Pagat e sektorit publik ulen me 12 për qind
- Shpërblimet e pushimeve ulen me 30 për qind
- Shpërblimet e gjyqtarëve ulen 20 për qind
- Bordi i kompanive shtetërore ulet 7 për qind
- Fondi i pensioneve ulet 10 për qind
- Fondi i projekteve të punës publike ulet 5 për qind
- Nga fondi i arsimit ulen 200 milionë euro
- Printimet (gazeta, libra) rriten me 0,5 për qind
- Taksa e ushqimit dhe ilaçeve rritet me 1 për qind
- Taksa për këpucët dhe veshjet rritet me 2 për qind
- Gazolina rritet 0.08 euro/litri
- Taksa e cigareve rritet mesatarisht 2 për qind
- Taksa e alkoolit rritet me 20 për qind
- Taksë pasurie 1 për qind (kush fiton mbi 100,000 euro në vit)
- (Taksa makinash me vlerë mbi 35,000 euro, varkash, helikopterësh personalë, bizhuterish)

“Masat, të domosdoshme për Greqinë”
Brenda Greqisë banorët po ‘ziejnë’ nga zemërimi mbi ndikimin që do të kenë masat e ashpra të Qeverisë mbi shkurtimet e të ardhurave nga puna dhe pensionet në jetën e familjeve të tyre. Por bota e ka përkrahur Qeverinë Papandreu, duke e përgëzuar atë. Presidenti i Komisionit Evropian, Hose Manuel Barroso e quajti korrekte manovrën e re të Qeverisë greke, si plan shpëtimi për ekonominë dhe uljen e deficitit buxhetor. “Me këto masa të reja, programi ambicioz i Athinës ka arritur një shpejtësi të madhe, me ulje shpenzimesh dhe pagash që janë fondamentale dhe të domosdoshme për të risjellë financat publike greke në një pozicion më të qëndrueshëm”, tha ai. Sipas Barrosos, “zgjedhja përfundimtare “kurajoze” për këto shkurtime në shpenzimet publike dhe paga, bashkë me reformat strukturore, është në interesin e popullit grek, për të krijuar kushte më të mira për zhvillim dhe vende të reja pune”, tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›