Nje shkelm diskriminimit
Futbollistët me origjinë shqiptare që militojnë në Serinë A janë bashkuar kundër diskriminimit. Protesta e tyre do të bëhet kundër organizatorëve të turneut për të rinj, “Gaetano Shirea”, në kujtim të legjendës së futbollit italian, rreth skandalit të ndodhur një javë më parë, ku në këtë kupë nuk u lejuan të merrnin pjesë dy ekipet shqiptare, Besa e Pejës dhe Renova të Tetovës, si edhe Zhelezniçar i Sarajevës.
Gjithçka ndodhi pas ndërhyrjes së klubit serb, Partizani i Beogradit, një prej skuadrave të regjistruara për të marrë pjesë në aktivitetin ku luanin edhe ekipet e moshave të Interit, Juventusit, Roma e Lacio.
Klubi serb ka vendosur “veton” që tre ekipet e tjera nga Ballkani të mos lejoheshin të luanin në kupën “Shirea”, ndërsa organizatorët kanë vendosur të plotësojnë kërkesën e tyre.
Sipas gazetës italiane “La Stampa”, futbollistët shqiptarë Cana, Ujkani, Behrami, Xhemaili dhe boshnjaku Luliç pritet të protestojnë bashkërisht kundër kësaj padrejtësie. Lëvizjes së tyre pritet t’u shtohen edhe futbollistë të tjerë të kampionatit elitar në Itali.
Këtë e ka konfirmuar Masimo Finicio, njeriu që ka administruar pjesëmarrjen e klubeve dhe më pas largimin e tre skuadrave nga ballkani për llogari të organizatorëve të turneut.
“Përjashtimi i tre klubeve, dy shqiptare dhe një boshnjake ishte një shuplakë kundër paqes, sepse pas këtij vendimi është vullneti për të mos i lejuar të luajnë kundër skuadrës serbe Partizan, i cili ka bërë presion për t’ia arritur këtij qëllimi”, tha Finicio.
Ai theksoi se ka marrë “nota proteste nga Federatat e Futbollit të Kosovës dhe ajo e Maqedonisë për këtë diskriminim. Më kanë drejtuar e-mail proteste sekretarët e dy federatave përkatëse. Italia humb shumë. Mund të konfirmoj që orët e ardhshme do të pozicionohen lojtarë të rëndësishëm shqiptarë e boshnjakë që luajnë në Itali. E kam fjalën për futbollistë si Behrami, Luliç, Cana, Xhemaili dhe Ujkani. Ata do të protestojnë publikisht për këtë akt të shëmtuar të organizatorëve të turneut "Gaetano Shirea".
Turneu duhet të zhvillohet në muajin qershor dhe është i vlefshëm për grupmoshën deri në 16 vjeç. Ndër të tjera Finicio bëri të ditur se organizatorët I kanë kërkuar në total 37 mijë euro të tre skuadrave për ti rikthyer në turne, por kjo është bërë me vetëdije të plotë se Besa, Renova dhe Zhelezniçar nuk do të arrinin kurrë të paguanin nga 12 mijë e 500 euro secila.