Fabris Muamba drejt permiresimit

Jeta nuk dëshiron ta braktisë kaq shpejt dhe e ka shtyrë vdekjen disa hapa më prapa. Zemra e Fabris Muambës ka nisur të punojë pa pasur nevojë të ndihmohet, ndërsa lojtari I Boltonit që pësoi atak në fushën e lojës ka filluar të lëvizë nga pak duart dhe këmbët. Një “urra” e madhe ka shpërthyer në “Chest Hospital” të Londrës, ndërsa fati I futbollistit 23-vjeçar duket se po kthen për nga e mbara.
Muamba u godit nga ataku në zemër të shtunën pasdite, në minutën e 41-të të ndeshjes çerekfinale të Kupës së Anglisë mes Totenhamit dhe Boltonit dhe u transportua me urgjencë për në spital. Zemra e tij ndaloi dhe mjekëve iu deshën 6 minuta për ta kthyer atë në punë, por frika ishte se mos truri i tij kishte pësuar dëme të pariparueshme për shkak të mungesës së oksigjenit për një kohë kaq të gjatë.
Ende nuk mund të thuhet se Muamba ia ka hedhur rrezikut, ndonëse shpresat janë shtuar ndërsa nga gjithë bota e futbollit ka ardhur mbështetje për të dhe për familjen e tij. Sporti profesionist ka në vetvete edhe shumë rreziqe dhe plot 84 futbollistë kanë humbur jetën në fushë që nga 1889 deri më tani.