Një shportë me çmime
Filmi “Nëna ime mëson kinemanë” i regjisorit turk Nesimi Yetik është fitues i edicionit të gjashtë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër që u mbyll mbrëmë në Tiranë, në kinemanë Millenium. Juria ndërkombëtare e këtij viti që përbëhej nga Naomi Uman, Davide Barletti, Silvio Mascelli dhe Kristaq Skrami, vetëm në këtë rast ishte e bindur që duhej të jepte një dhe vetëm një çmim, sepse për gjinitë e tjera çmimet e para do të ndaheshin më dysh.
Kështu, Çmimi për filmin më të mirë artistik është çmim ex-aequo “Në linjë” i regjisorit gjerman Reto Caffi dhe “Mjegulla e Pekinit” e regjisorit amerikan J.P. Chan.
Juria ka dhënë edhe pesë çmime speciale për filmin artistik “510 m mbi nivelin e detit” i regjisores zvicerane Kerstin Polte, “Ata” i regjisorëve francezë Çagla Zencirci dhe Guillaume Giovanetti, “Problemet e pakalueshme” i iranianit Ahmad Golzarian, “Last take” i spanjollit Domingo De Luis dhe “Tuneli i miut” i regjisorit belg Raf Reyntjens.
Në këtë edicion të TIFF filmi më i mirë i animuar u vlerësua “Dora e ariut” (“Bear’s hand” e regjisores së re zvicerane Marina Rosset. Duke qenë se prurjet në këtë kategori të filmit të shkurtër ishin vërtet të mira, juria dhe edhe dy çmime speciale: “Nëpunësi” i argjentinasit Santiago Grasso dhe “Yti përgjithmonë” i regjisores britanike Orbert Parker. Ky i fundit mori edhe Çmimin e Publikut.
Çmimi për dokumentarin më të mirë i shkoi “I harruar” (“Left behind”) i regjisorëve gjemanë Fabian Daub dhe Andreas Grafenstein. Ky dokumentar tërhoqi qysh në fillm edhe vëmendjen e pubikut. Regjisorët ishin ndalur tek një qytet i vogël polak i quajtur Valendburg ku minierat e vjetra janë mbyllur. Lukash dhe shoku i tij Jaçek, si qindra minatorë të tjerë, kanë gërmuar bakërr për vite me radhë pa marrë parasysh rrezikun. Megjithatë prapë vazhdojnë.
Dokumentari pati edhe dy çmime speciale për: “Një ditë plot me dhimbje” i iranianit Sattar Chamai Gol dhe “Shtatlartët” i britanikut Yann Demange.
Po kjo juri vlerësoi film më të mirë eksperimental “Carlos Catani” i regjisorit amerikan Marcos Meconi.
Çmimi për filmin më të mirë shqiptar nuk mundi të jepej dot mbrëmje për shkak se transmetimi i programit të tyre zgjati deri vonë. Juria e përbërë nga aktori Vajsan Lame, regjisori Ylli Pepo dhe kineasti nga Kosova Veton Nurkollari, do ta japë sot në mesditë vendimin e saj.
Juria e medias përbëhej nga Stanela Kostallari, Elsa Demo dhe Zamir Alushi, cilësoi si filmin më të mirë bashkëpunimin italo shqiptar “Tranzicioni i thellë” (“Deep Tranzicion”), i regjisorëve Ervis Eshja dhe Gabriele Pedone. Ky film u vlerësua për pasurinë e imazhit dhe thjeshtësinë e “zbulimit” të një përmase të tranzicionit të gjatë shqiptar. Në këtë dokumentar kalimi nga një sistem qeverisës në tjetrin jepet nëpërmjet ndryshimeve shkatërrimtare që ka pësuar sistemi hekurudhor. Filmi është realizuar nga një trupë me kineastë të rinj. Temat sociale që mbart me vete trazicioni duket se janë më të preferuarat për regjisorin shqiptar që jeton në Itali Ervis Eshja, i cili me “4 i Radës”,pjesëmarrës tre vite më parë në TIFF dhe filmin e fundit tregon konseguencën e tij artistike për të eksploruar atë që ndodh sot në Shqipëri.
Gjatë shtatë ditëve të festivalit, 1-7 dhjetor u shfaqen rreth 104 filma me metrazh të shkurtër.