E Diel, 1 Nëntor 2026

Saviano: Mafia lulëzon aty ku nuk ka më shtet

Intervista

Dy vjet pas daljes së librit “Gomorra”, best-seller i shitur në Itali me 1.8 milionë kopje dhe që frymëzoi një film, autori i tij, gazetari i ri 29-vjeçar, është bërë i famshëm për ballafaqimin me “oktapodin”, i kërcënuar prej tij me vdekje. Në këtë intervistë dhënë gazetarit Jacques de Saint-Victor të së përditshmes franceze “Le Figaro” ai flet për jetën nën kushte të rrepta sigurie. Saviano ndodhej në Paris, i rrethuar nga 5 truproja, për të marrë pjesë në një mbledhje europiane mbi “paranë e drogës” organizuar nga Misioni ndërministror i luftës kundër drogës dhe toksimanisë (MILDT). Sot, me suksesin e romanit, pastaj të filmit “Gomorra”, duket sikur ta ketë kapur dyshimi. Nuk e harron suksesin, por ai i rëndon më shumë se një titull. Saviano shpjegon se vazhdon ta ketë vullnetin për të shkruar por është e vështirë kur e di se je gjithnjë i kërcënuar. E megjithatë, gjen pak gjallëri kur kujton “mjeshtrit” e tij, Chalamov, Primo Levi, Herling. Në këtë bisedë ai shfaq vizionin e tij për globalizimin, për rrezikun mafioz po aq edhe për dyshimet si shkrimtar, i angazhuar në një betejë që nuk do donte që ta asgjësojë.

Le Figaro – Dihet që jeni i kërcënuar me vdekje nga Kamorra dhe jeni nën mbikëqyrje të vazhdueshme. Si mund të bëjë një shkrimtar me një “vita blindata”? A pajtohet kjo gjë me letërsinë?

Roberto Saviano – Në gjendjen ku jam letërsia është një nevojë. Nëse nuk vazhdoj të shkruaj, marr fund. Por, sot, jam i lodhur nga kjo jetë e ndëshkuar. Nuk di më si ta cilësoj ekzistencën time: jam në një gjendje tëtillë që luhatet ndërmjet asaj të një njeriu super të mbrojtur, si një burrë shteti apo një i penduar, dhe jetës prej të burgosuri që ndërron qeli çdo javë. Më është ndaluar edhe liria për një pushim, për shëtitje.

Ju nuk keni një banesë stabël?

Jo. Për arsye të sigurisë, teorikisht duhet të zhvendosem çdo katër apo pesë ditë. Në Napoli jetoj në një barrakë karabinierësh; në Romë, në një apartement sekret që do ta lë së shpejti, etj. Kjo vërtet që po ma bën më të rëndë jetesën. Të mos kesh më shtëpi, zyrë, bibliotekë… Në fillim duket pak romantike, një jetë e ndryshme nga e të tjerëve. Dhe pastaj kupton që asgjë të bukur s’ka tek ky nomadizëm i detyruar.

Si e shihni të ardhmen tuaj të afërt?

Nuk mendoj veç për të tashmen. Ideja e të ardhmes më fut ankth. Gjithçka që ka pasë qenë e parashikuar nuk është përmbushur kurrë. Gjithnjë ka pasur kontradikta. Kështu pra, jetoj ditën që kam dhe më mirë të mos mendoj për të ardhmen. Në të vërtetë, jam tepër i lodhur, sepse duhet t’u dal për zot dy betejave: njëra është stili im i jetës, që më rëndon përherë e më shumë. Tjetra, edhe më e rëndë akoma, është një betejë morale. Sepse klasa udhëheqëse e Jugut të Italisë nuk më honeps; nuk honeps punën time. Ka edhe intelektualë italianë që kërkojnë të më shtyjnë më tej si një tip “klouni” antimafie.

Një kloun?

Po, tek e fundit, ky sukses i vë në siklet dhe i zhvesh nga disa kontradikta. “Gomorra” ka treguar që letërsia ende mund të luajë rol, që ajo mund të kontribuojë për t’i ndryshuar gjërat, së paku mentalitetet, si në kohën e Zolasë apo Dikensit. Disa kanë prirjen për ta mbyllur letërsinë në një qoshe të padobishme dhe pastaj ankohen se nuk i lexon njeri…

Suksesi i madh i “Gomorra”-s është kthyer kundër jush?

Po, më shumë nga ç’mund të mendohet. Unë besoj se është pikërisht suksesi i librit tim ai që ka sjellë kërcënimet me vdekje të mafies. Që kur u botua “Gomorra”, bota mbarë nisi të interesohet për Kamorrën dhe këtë fushatë të ndyrë për plehun e rrëthinave të Napolit, Casal di Principe në veçanti. Mafiozët dhe aleatët e tyre politikë apo ekonomikë, e urrejnë suksesin e këtij libri, që nxori në dritë marrëveshjet e tyre; akoma më shumë do të urrenin lexuesit e mi, ata do të donin që ky libër të kalonte pa u vënë re, apo më mirë, që të mos qe botuar kurrë, sigurisht.

Ndodh që t’ju vijë keq që e keni shkruar?

Sigurisht që jo, e nëse do ta ribëja, e sigurtë është që nuk do të hiqja dorë. Por ata ia kanë dalë që ky libër të më pëlqejë më pak. Në fillim, kur jemi takuar për herë të parë, me rastin e botimit të librit në frëngjisht, akoma isha i sigurt që ia kisha dalë mbanë. Kjo jetë nën mbikëqyrje ishte e rëndë por unë isha i kënaqur, e dija që po bëja diçka të mirë. Mbështetesha tek lufta ime. Sot, pyes veten a ka gjë që mund ta justifikojë një jetë si kjo. Nga ana tjetër, ajo çka ata kërkojnë, është që e gjitha kjo të dëshpërojë kundërshtarët e tyre. Kështu sillen gjithnjë me armiqtë e tyre. Në fillim i bëjnë në të humbin shpresat, pastaj... Atëherë nuk duhet hequr dorë. Pra, do ta shkruaja përsëri, por…

Sot duhet të merrni pjesë në një lexim së bashku me Salman Rushdie-n, në Stokholm, në Akademinë Sudeze, mbi temën “Liria e fjalës dhe dhuna pa fe dhe pa ligj”. Disa ju krahasojnë me të. Si ju bën të ndiheni kjo?

Unë mendoj se jemi në një situatë krejt tjetër. Salman Rushdie ka provuar një fatwa për shkak të librit të tij. Ai do të dënohej pavarësisht nga suksesi i tij. Siç e kam thënë, për sa më përket mua, jam dënuar prej suksesit tim.

Ju keni parashikuar që ta lini Italinë. Thuhet se donit të shkoni në Amerikë për të përfunduar një libër për globalizmin?

Po, është e vërtetë që parashikoj shumë seriozisht, në optikën e shkrimtarit, për të ikur nga Italia, sepse do doja të shkruaja një libër të ri mbi një temë më globale, por njëherësh do të nisesha nga optika e të burgosurit që kërkon lirinë. FBI më ka siguruar se ka programe të veçanta ku mund të jetosh i mbrojtur pa qenë gjithnjë me eskortë. Qysh kur e kërcënuan, në Amerikë shkoi për t’u strehuar edhe Orhan Pamuk (shkrimtar turk, Çmimi Nobel për letërsinë 2006). Kjo do të thotë se unë nuk do të nisesha menjëherë sepse kam akoma disa gjëra për të rregulluar në Itali, para se të mendoj për temat më “globale”.

“Gomorra” është tashmë më shumë se një kritikë për mafien, një lloj analize e anëve të errëta të globalizmit. Libri juaj shtron çështjen e lidhjes së krimit të organizuar dhe kapitalizmit. Mario Vargas Llosa vlerëson, duke iu referuar “Gomorra”-s, thotë që “nuk është kapitalizmi ai që sjell mafien, por Italia që është kalbur”. Çfarë mendoni ju?

Është një refleksion edhe më interesant nga ç’mund të mendohet. Në fakt mund ta mbështesnim idenë sipas të cilës nuk është tregu ai që ushqen krimin, por ngaqë tregu nuk ka atë që duhet të ketë në vendin e krimit të organizuar. Veriu i pasur dhe industrial ka injoruar mafien në Itali. Në të kundërt, Jugu, nuk ka pasur veç një borgjezi tradicionale dhe ajo ka parë se si mafia investon për botën ekonomike. Por unë kam një ide tjetër: mendoj që mafia lulëzon kudo ku shtet nuk ka më. Në jug të Italisë shteti mungon ose është tejet i dobët për klanet mafioze. Në këto vende, si kudo në lindje të Europës, mafiet, në kuptimin e gjerë të fjalës janë avant-gardes-at e një kapitalizmi të frikshëm. Ne nuk i maskojmë fytyrën. Edhe në Itali, krerë të rëndësishëm të organizatave kriminale, janë para së gjithash njerëz biznesi që fati u ka buzëqeshur pas tridhjetë vjetësh. Ka ikur koha e Toto Riina-s apo e Provenzanos, krerët e mafias siçiliane, të cilët ishin fshatarë të pagdhendur që u bënë mafiozë për të shpëtuar nga mjerimi. Sot, pjesa më e madhe e krerëve mafiozë janë bijtë e familjeve të kamura, fëmijë mjekësh, avokatësh, sipërmarrësish të mëdhenj… Kanë bërë edhe një MBA. Sigurisht, ata duhet të jenë edhe specialistë të krimit për t’u imponuar në mafien ushtarake, por para së gjithash janë sipërmarrës pa etikë të cilët, në dallim nga të tjerët, nuk hezitojnë të vrasin për t’ia arritur qëllimit

Mafia nuk është më një botë e ndarë?

Jo dhe mjafton të kujtojmë mbiemrin e mafiave në Jug: le “partia e betonit”. Ajo thekson praninë e fortë të mafiave jo vetëm në ekonominë ilegale (drogë, armë) po edhe në ekonominë legale, pushtetet e punëve publike, kompanitë e riciklimit të mbetjeve, etc. Mafiozët nuk shihen më si kriminelë, por si sipërmarrës të respektuar. Ata i deklarojnë drejtësisë: “është pjesa më e shëndetshme e vendit; ne, së paku, drejtojmë biznese, firma, mbajmë në punë me mijëra njerëz.” Natyrisht që është mashtrim, por kjo bën përshtypje. Edhe avokatët e tyre nuk thonë tjetër gjë: vënia e mafies nën akuzë, do të ishte sipas tyre, provë e konkurrentëve xhelozë.

Pengesa serioze keni edhe me avokatët e mafies që nuk lodhen duke iu gjurmuar.

Po, të gjithë avokatët e krerëve mafiozë u mblodhën shtatorin e fundit në Santa Maria Capua Vetere për të protestuar dhe konfimuar që unë deligjitimoj punën e tyre. Unë repektoj të drejtat për t’u mbrojtur. Por, po ju them që ka avokatë të cilët të vetmit klientë që kanë janë mafiozët. Në SHBA dallohen qartë avokatët e mafiozëve dhe avokatët mafiozë. Përse jo në Itali?

Dy vjet pas daljes së “Gomorra”-s çfarë ka ndryshuar në vendin tënd?

Gjithçka dhe asgjë. Qytetarët janë tashmë të ndërgjegjshëm që ky dominim mafioz duhet të marrë fund. Por në nivel politik, gjithçka është si më përpara. Dhe në terren nuk ëshë më mirë. Së fundmi, të vetmit që janë rebeluar kundër Kamorrës, janë emigrantët nigerianë disa prej të cilëve janë vrarë. Përndryshe, vazhdojmë të jetojmë me frikë, edhe kjo është e pranueshme sepse, ju them, frika është fisnike: është një ndjenjë humane. Por më skandalozja, është indiferenca.

Kur kërkoja të merrja një apartament me qira në Napoli, vërtet që ishte frymëzuese. Në fillim karabinierët kontaktonin pronarët pa u dhënë emrin tim. Pronarët kënaqeshin sepse kujtonin mos bëhej fjalë për ndonjë ministër apo personalitet me rëndësi. Pastaj më shikonin me eskortë. Ishte si një dush i ftohtë. Askush nuk donte më të jepte me qira. Nuk ishte prej frikës, vetëm se nuk donin që të dukej sikur ishin në krahun tim. Në një banesë të lagjes së pasur së Posillipos, një pronar pranoi megjithatë të futet në lojë. Të gjithë banorët e tjerë të pallatit u mblodhën për të krijuar një shoqatë për dhënie apartamentesh me qira para se të më shihnin…

Një tragjikomedi “alla italiane”… Keni thënë se për shkak të jetës nën mbikëqyrje bëemi njerëz të këqinj.

Po është e vërtetë, mësojmë që të jemi dyshues dhe përfundojmë, siç thoshin Chalamov apo Primo Levi, e bëhemi ata që nuk kemi dashur të bëhemi. Vetëm një shpirt naiv mund ta marrë me mend që një jetë e izoluar si e imja të jep urtësi. Mbi të gjitha të jep mllef. Duam që të tjerët të mos e kuptojnë ferrin tonë. Humbim miqtë dhe duhet t’i vësh kryq jetës që ke përpara.

Megjithatë jeni bërë popullor në Itali dhe botë. Nobelistët ju janë bërë krah. Publiku ju përshendet me ngrohtësi në rrugë…

Po, fatmirësisht, ka një solidaritet mes mendimarëve të mëdhenj dhe lexuesve. Njerëzit më shkruajnë. Por besoj që kam ndryshuar dhe, për momentin, më mirë s’bëhet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›