Një shqiptar me master kërkon punë...
Historia e dy shqiptarëve të diplomuar në Greqi, por që nuk u njihet e drejta e ushtrimit të profesionit
Denis Vuka dhe Dariel Sina janë dy shqiptarë të diplomuar në universitetet greke, në universitete të ndryshme, por kanë pasur të dy të njëjtin fat. I pari është profesor, por nuk i lejohet të japë mësim, ndërsa tjetri jurist që nuk mund të ushtrojë avokatinë. Janë diplomuar shkëlqyeshëm në universitetet greke, madje edhe në studimet pasuniversitare, por kanë një “disavantazh” tepër serioz: janë fëmijë emigrantësh shqiptarë në Greqi, që nuk kanë marrë nënshtetësinë greke dhe rrjedhimisht diplomat e tyre në këtë vend vlejnë vetëm për t’i vënë në kornizë dhe për t’i varur në mur. Dy të rinjtë me prejardhje shqiptare, perfeksionuan arsimimin grek për mjaft vite, por deri atje ishin mundësitë e tyre përballë ligjeve greke. Njëri u detyrua të ikë nga Greqia dhe tjetri pret të aprovohet ligji i dhënies së kombësisë për emigrantët.
Studimet pasuniversitare
30-vjeçari Dariel Sina është diplomuar në Universitetin e Juridikut të Athinës. Në të njëjtën shkollë mbrojti masterin për të Drejtën Europiane, ndërsa më pas, duke marrë pjesë në një program “Erasmus” në Gjermani, përfundoi doktoratën për të Drejtën Publike. Deri para dy muajsh shkonte e vinte nga Athina në Tiranë, ndërsa tani është vendosur në Tiranë. Jep mësim në Universitetin Juridik të kryeqytetit shqiptar.
”Kjo është për mua një ecuri e shkëlqyer, ndryshe nga ajo që më ofrohej në Greqi, ku nuk kisha të drejtën e regjistrimit në Shoqatën e Juristëve, pra nuk kisha të drejtë ushtrim profesioni”, tregon ai.
Kur Denis Vuka u diplomua me rezultate të shkëlqyera nga Universiteti Pedagogjik i Filologjisë, nuk e dinte çfarë e priste: “Ndoshta do të duhej të pyesja më shumë për këtë gjë. Isha naiv. E dija që pa nënshtetësi greke nuk mund të punoja në polici, të shkoja në shkollat ushtarake, apo të jepja mësim në shkollat publike. Por nuk besoja se do shkoja te Filologjiku, një shkollë tepër liberale me shkencëtarë të mëdhenj, një shkollë e cila nuk diskriminonte njerëzit, duke i ndarë në kategori dhe se nuk do të mundesha të punoja me pretekstin e vetëm se jam i huaj. Nuk mund ta imagjinoja”, tregon ai.
“Dushi i ftohtë” erdhi me shpërndarjen e CV në disa institute private: “Filolog dhe alvanos (shqiptar)?”, më tha dikush. Kishte natyrisht edhe nga ata mendjehapurit që u interesuan kur panë notat e mia. Dikush u interesua dhe më tha që të shkoja të merrja leje për të ushtruar profesionin e mësimdhënies. Shkova pa ndonjë paragjykim në zyrën e arsimit të shkollave të mesme dhe bota u përmbys shumë shpejt para syve të mi. Nuk ishte vetëm fakti që mësova të rejat e këqija, por edhe mënyra me të cilën m’i thanë: Përderisa mbaroi leja e qëndrimit, duhet të ikësh të shkosh në vendin tënd”, rrëfen Denisi.
Por vendi ku jeton Denisi qysh nga mosha 12-vjeçare, është Greqia. Ndërkaq mësojmë se hapi i tij i mëvonshëm është një cikël tjetër studimesh me objekt doktoratën e Historisë, duke shpresuar në aprovimin e ligjit për nënshtetësinë. “Për ne fëmijët e brezit të dytë të emigrantëve, ky projektligj është gjithçka. Krijon shpresa, hap horizonte të reja”, thotë ai. Për Darielin që “emigroi” në atdheun e tij, “lumi” nuk kthehet më pas. Do të vazhdojë karrierën e tij akademike në Shqipëri dhe është mbështetës i zjarrtë i projektligjit për nënshtetësinë, të cilin e cilëson si të paprecedent për Greqinë. “Iniciativa e Jorgo Papandreut duhet të përshëndetet nga të gjitha partitë dhe nuk flas natyrisht për partinë e z.Karatzaferi (ultranacionalistët), bindjet e të cilit jam i sigurt që nuk përfaqësojnë gjithë shoqërinë greke. Por ajo që është më e çuditshme, është fakti se përse opozita e Demokracisë së Re mbështeti edhe ajo këtë vendim dhe vendosi të mos e votojë projektligjin. Prandaj duhet mbështetur z.Papandreu në këtë iniciativë, të cilën duhet ta ndjekin edhe shtetet e tjera të BE-së, nëse duam një Europë demokratike me shanse të barabarta për të gjithë, dhe jo vetëm për vendasit”, thotë ai.
#