Një shtëpi e re për banorët

Një spektakël tërësisht i ndryshëm ka qenë ai i mbrëmjes së të shtunës. Shumë surpriza ka pasur për banorët. Zarfi i kuq, ashtu siç ishte lajmëruar që një javë më parë, ka ndryshuar jetën e banorëve dhe ka sjellë një të papritur të madhe për publikun. Një shtëpi e re, me kushte tërësisht të reja i është shtuar “Big Brother 3”. Kjo ndryshon tërësisht rrjedhën e spektaklit. Këtë javë ka pasur gjashtë të kandiduar: Eduarti, Jetmiri, Olta, Renato, Seldi dhe Domenika, të cilët do të shkojnë të jetojnë në shtëpinë e re. Ndërkohë që banorët e tjerë, së bashku me pesë të rinj që kanë hyrë mbrëmë gjatë spektaklit, do të vazhdojnë të jetojnë në shtëpinë e vjetër. Pamela, sipas vullnetit të publikut, ka lënë aventurën në shtëpinë e famshme.
Valentina komenton me Jetmirin
Velentina, e eliminuara e parë e “Big Brother 3”, tregon në studio javën e parë që ka kaluar jashtë shtëpisë. “Ka qenë plot emocione”, ka thënë ajo. Pasi ka përshëndetur banorët, ka komentuar me Jetmirin largimin e saj, duke dashur të dijë nëse ishte ajo shkaku që ai ndihej nervoz. Jetmiri edhe njëherë i ka pohuar se problem ka qenë diferenca e moshës.
Renato debaton me banorët
Pas një jave qëndrimi në shtëpi, një klip tregon për publikun marrëdhëniet që Renato, banori më i ri i shtëpisë, ka vendosur me të tjerët. Gjatë javës, mes tyre ka pasur debate e qejfmbetje, sidomos me Gracielën e Pamelën. Nga ana e tij, Renato shprehet se banorët janë ndryshe nga ata që kishte parë së jashtmi dhe është afruar më shumë me Edin e Hakiun. Ndërkohë, gjatë transmetimit live, Renato debaton me Gracielën, duke i thënë asaj se e ka paragjykuar. “Renato më duket se nuk është vetvetja”, ka thënë Graciela, duke vazhduar të debatojë. Ndërkohë, Ariani në rolin e opinionistit, e shpjegon këtë qëndrim të banorëve me prezantimin që Renato ka bërë tek ata, me plot vetëbesim dhe me dëshirën për të qenë më “shembullori”. Kjo ka shkaktuar moskomunikim me banorët e tjerë dhe qëndrim “armiqësor” ndaj tij.
Prova e javës
Kësaj jave, Vëllai i Madh kishte menduar një provë që kishte lidhje me kinematografinë. Mbi një listë titujsh të filmave shqiptarë, banorët duhet të ndërtonin një histori. Hakiu ka lexuar tekstin e shkruar dhe prova është konsideruar e fituar. Buxheti dyfishohet dhe banorët do të kenë 600 lekë për banor në ditë.
Eliminohet Pamela
E eliminuara e javës së tretë të “Big Brother 3” ka qenë Pamela. Publiku ka vendosur që Jetmiri, Graciela, Domenika dhe Seldi të vazhdojnë lojën. Ndërkohë që vetë banorët janë shprehur se e prisnin deri diku largimin e Pamelës, pasi ajo ka qenë pasive gjatë javës. Në studio edhe Pamela ka pranuar se ishte përgatitur për një largim të mundshëm. “Nuk doja të përfundonte kaq shpejt, por e pata pak të vështirë të përshtatem”, ka treguar ajo në studio. E pyetur se ç’mendon mbi lidhjen e Seldit dhe Domenikës, Pamela ka komentuar se e sheh një lidhje të sinqertë nga ata. Për sa i përket marrëdhënies me djemtë, Pamela është shprehur se në fillim ka pasur kuriozitet ta njohë Jetmirin, por më pas nuk ka qenë ai që priste.
Banorët e rinj
Surprizat e spektaklit të së shtunës kanë qenë të shumta. Tri banorë të rinj i janë shtuar shtëpisë. Valoni dhe Bledari, me një lojë të sajuar nga vajzat, fillimisht janë paraqitur te djemtë si të ftuar që do të qëndrojnë disa ditë në shtëpi. Valoni është nga Kosova, ka punuar si figurant në reklama, punon në një bar dhe ka dëshirë të vazhdojë marketingun. Ka shumë shoqëri dhe ka dëshirë të bëjë gjëra ekstreme. Bledari është një 36-vjeçar nga Elbasani. Prej moshës 18-vjeçare jeton jashtë Shqipërisë, në Gjermani. “Vendosa të marr pjesë në ‘Big Brother’ për të njohur më nga afër mentalitetin shqiptar dhe për të ofruar eksperiencën e jetës sime”. Për familjen e tij ka qenë surprizë pjesëmarrja në spektakël. Rezarta, Klodiani dhe Ada kanë qenë tri banorë të tjerë që i janë shtuar shtëpisë.
Një shtëpi e re për të nominuarit
Që prej spektaklit të së shtunës është lajmëruar një surprizë e madhe brenda zarfit të kuq. Që në fillim të lojës, zgjedhja e shtëpisë me një vlerë historike dhe sociale ka qenë shumë e komentuar. Banorët janë përshtatur, por disa prej tyre, që prej natës së mbrëmshme nuk jetojnë më aty. Kanë qenë pikërisht të nominuarit e kësaj jave që do të jetojnë në shtëpinë e re. Banorët do të jetojnë të ndarë në dy shtëpi paralele, me kushte krejtësisht të tjera. Kjo ka qenë surpriza e madhe e rezervuar për banorët, por edhe për publikun. Të parët që e kanë mësuar këtë kanë qenë të nominuarit, të cilët pas rënies së murit kanë parë shtëpinë e re. Më pas e kanë mësuar edhe banorët e tjerë. Dy festa të ndara janë organizuar për dy grupet. Për banorët ka pasur një darkë me ushqime tradicionale shqiptare, shoqëruar nga këngëtari Luan Zhegu, ndërsa për banorët e nominuar ka pasur një koktej frutash dhe muzikë të kënduar nga Kamela dhe Genti.
Gjashtë banorë shkojnë në kandidim
Rritet numri i të kandiduarve për këtë javë. Gjashtë banorë shkojnë në kandidim. Eduarti, Jetmiri, Olta, Renato, Seldi dhe Domenika janë banorët që do të shkojnë të jetojnë në shtëpinë e re. /gazetashqip/