Nje studim interesant per Elektrën
Prof. Zija Vukaj*
HYRJE
Pse e zgjodha këtë vepër?
Përzgjedhja e një vepre për tu parë me një vështrim shqyrtues përbën që në fillim një varg sfidash. E para lidhet me universin e librit si pasqyrim i universit të kulturës njerëzore që shtrihet gati pafundësisht në hapësirë dhe në kohë. Së dyti, moria e llojeve, zhanreve, epokave, drejtimeve, rrymave etj., krijon parapëlqime të shumta dhe dilema e hezitime të mëdha, aq sa ngjan gati e pamundur që vëmendja të përqëndrohet që në fillim mbi një vepër të vetme. Por edhe në morinë e librave të lexuar, ka disa që rrezatojnë në kujtesën dhe shpirtin e njeriut me një shkëlqim të papërsëritshëm. Kjo lidhet me shumë faktorë, që mund të jenë personalë apo të përgjithshëm, të ndërgjegjshëm apo të pavetëdijshëm. Një vepër, që zgjidhet për tu veçuar mes të tjerave, mund të ketë hyrë plotësisht në rezonancë me shpirtin dhe mund të ketë ngacmuar më shumë se të tjerat intelektin. Fakti që zgjodha Elektrën e Sofokliut ka të bëjë para së gjithash me parapëlqimin personal ndaj kulturës klasike greke, ndaj teatrit antik e sidomos ndaj Sofokliut, dramaturgut të heronjve të mëdhenj vetmitarë. Secila nga shtatë tragjeditë e kolanës shkëlqimtare që trashëgojmë nga ky autor ka rrezatimet e veta, të ndryshme prej të tjerave. Ato flasin për shpirtra heronjsh që janë kthyer në arketipe letrare, filozofike, sociologjike, etj., për të komunikuar me shpirtrat e lexuesve e të krijuesve të të gjitha kohëve dhe qytetërimeve. Vëmendja ime e veçantë për Elektrën shpjegohet me faktin se kjo tragjedi e trishtueshme dhe monokorde është një histori çlirimi, por edhe një dramë mundimesh. Kjo vepër i ka folur njeriut në përgjithësi e femrës në veçanti, herë me gjuhën e thjeshtë e të drejtpërdrejtë të fabulës së mitit, herë me gjuhën e ndërlikuar simbolike me nëntekste të thella filozofike e psiko- analitike, siç është rasti i veshjes sintagmatike të nocionit kompleksi i Elektrës.
Duke qenë një nga figurat më mbresëlënëse të ciklit mitologjik të atridëve, kjo figurë është trajtuar edhe nga Eskili dhe Euripidi në këndvështrime të pjesshme apo të plota, por në optikën e artit të Sofokliut del në përmasa të tjera, duke u bërë mishërim i rezistencës së një shpirti që nuk bën asnjë kompromis me atë që quhet krim dhe padrejtësi, cilido që të jetë shkaktari. Veç kësaj, struktura dramatike e veprës është në harmoni të përsosur me thellësinë e ndjenjës dhe intensitetin e veprimit.Kjo përmendore dashurie vëlla-motër e merr gjithë shkëlqimin nga vetë Elektra.
Jeta dhe vepra e Sofokliut
(Bibliografi dhe biografi)
Burimi më i rëndësishëm është një biografi e periudhës së vonshme helenike që sjell njoftime autoriale si të Aristosenit, nxënës i Aristotelit, biografi aleksandrin Satiro Istri, nxënës i Kalimahut, Aristofani i Bizancit etj. Një zë monografik gjendet te Suda dhe të dhëna të çmuara kronologjike jep Marmor Parium. I shtohen informacione të përhapura nga autorë të tjerë, mes të cilëve Aristoteli, anekdota me besueshmëri të dyshimtë dhe ndonjë mbishkrim.
Jeta e Sofokliut mbulon pothuajse të gjithë shekullin V para Krishtit (496- 406), që i përket periudhës klasike të qytetërimit grek dhe ndërthuret me ngjarjet kryesore të demokracisë së Perikliut. Kronologjikisht është poeti i dytë i madh i Greqisë pas Eskilit. U lind në një familje të pasur nga Koloni, ku mori një kulturë të madhe në poezi muzikë e gjimnastikë. Sofokliu bëri paraqitjen e parë dhe triumfuese teatrale përpara Eskilit, që ishte kryemjeshtri i poezisë tragjike të asaj kohe, me një tetralogji që përmbante tragjedinë Triptolemi, në vitin 468, kohë kur Athina, pas fitores së luftrave medike, vinte bazat e hegjemonisë së helenizmit. Është shekulli i artë i Perikliut. E kësaj kohe është Antigona që përkon me themelimin e Parthenonit në Akropol. Por pas dhjetë vjetësh, 431, shpërtheu lufta e Peloponezit që e gjunjëzoi plotësisht Athinën në vitin 404. Gjatë kësaj pëplasjeje civile prej dekadash u krijua një klimë mediokriteti kulturor që përfaqësohej nga figura minore dhe ideja e patriotizmit dobësohej dita-ditës. Në këtë klimë dy poetët e mëdhenj tragjikë të gjallë, Sofokliu dhe Euripidi më i ri, vazhduan ti luanin veprat e veta përpara bashkatdhetarëve. Sofokliu vlerëson si mision të vetin të ruajë të gjallë imazhin e njerëzve të vjetër, duke pritur edhe disa vite të reflektonte harmoninë e kulmit me majën. Aristoteli shkruan më vonë në Poetikën e vet: Sofokliu i paraqiste njerëzit si duhet të jenë, kurse Euripidi siç janë (1460b 35)
Sofokliu pati një jetë të gjatë e të qëndrueshme plot lumturi dhe harmoni. I kulturuar, i pashëm, dashamirës e mbi të gjitha adhurues i Athinës, nuk iu largua kurrë atdheut të vet, veç kur ishte nevoja ti shërbente atij, duke mos pranuar as ftesat e mbretërve të huaj. Është i njohur ndër bashkëkohësit e tij për aforizmat plot humor dhe përqeshjet e mprehta. Megjithëse nuk pati prirje të veçanta për politikë, ai mori shpesh detyra të larta. Në vitet 443- 442 ishte administratori i Greqisë. U zgjodh dy herë strateg, herën e parë së bashku me Perikliun, në vitin e shfaqjes së Antigonës. Sipas disa hipotezash, zgjedhja e tij ishte rezultat i suksesit të veprës. Më vonë, në një moshë shumë të thyer, rreth viteve 413- 412, iu dha një post i lartë, për shkak të shkëlqimit të madh të personalitetit të tij, në trupën e Dhjetë Pleqëve. Ushtroi edhe funksione fetare dhe ishte në krye të punës për hyjnizimin e Asklepit në Athinë si perëndi e shërimit (420). Filostrati i dytë bën fjalë për një peanë të shkruar nga Sofokliu për atë perëndi. Mendohet të jetë pranuar edhe në misteret e Eleusit, mbështetur në logjikën e zgjedhjes së temës së tragjedisë Neoptolemi.
Si poet tragjik, Sofokliu qe personifikimi i suksesit, sepse, ndryshe nga Euripidi, bëri për vete shpejt dhe lehtësisht publikun, duke siguruar fuqishëm dashamirësinë e tij. Fitues mbi Eskilin e madh që në konkurimin e parë, Sofokliu shijoi gëzimin e çmimit të parë rreth njëzet herë dhe nuk ra kurrë nën vendin e dytë. Në vitin 409, në moshën 87 vjeç zuri edhe një herë vendin e parë me Filoktetin, dëshmi e transparencës shpirtërore dhe e freskisë së talentit poetik.
Kur vdiq Sofokliu (405), gjenerali spartan Lisandri, që në atë kohë mbante të rrethuar Athinën, duke pasur nën komandën e vet gjithë Atikën, lejoi kortezhin mortor të përcillte kufomën e poetit në banesën e fundit të dalë nga Athina, për tu bërë i mundur salikimi në varrin familjar në Deqelie. Mbi varrin e tij athinasit ngritën një sirenë në kujtim të poemave të bukura dhe më vonë ndërtuan një kishëz duke e adhuruar atë si hero.
Nga vepra e pasur dhe e larmishme e Sofokliut ka shpëtuar vetëm një pjesë e vogël dhe ajo vetëm nga dramat e tij. Konkretisht nga njëqind e njëzet e tri tragjedi dhe drama satirike që njeh tradita aleksandrine, në duart tona mezi kanë mbërritur shtatë tragjedi që i përkasin të gjitha siç duket periudhës së pjekurisë dhe të pleqërisë së krijimtarisë poetike të Sofokliut (Ajaksi, Elektra, Edipi Mbret, Antigona, Trakinëset, Filokteti, Edipi në Kolon), fragmente të gjata nga drama satirike , kurse njohim titujt dhe disa fragmente shumë të varfra nga 110 drama të tjera të tij (ndër to mund të shënojmë një Amfitrion, një Andromakë, një Danae, një Ermionë, një Herkul, një These, një Ifigjeni, një Palamed dhe një Fedra. Radhitjen e shtatë tragjedive të shpëtuara e trashëgojmë nga një botim shkollor i gramat
