E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Një takim për të vërtetat e Ali Pashë Tepelenës"

Leximi i rastësishëm në Oksford i një libri që shtrembëronte historinë e Ali Pashë Tepelenës ishte nxitja e parë për Prof.dr Afrim Karagjozin që botimeve të tilla u duhej dhënë një përgjigje shkencore. Sipas tij, figura e Ali Pashës ka qenë ose e masakruar, e shëmtuar, e përçmuar, ose e vlerësuar me vërtetësi. "Personaliteti i tij ka ‘mbijetuar‘ midis kundërtive. Ka ardhur koha që t‘i japim atë që i takon", thekson Karagjozi. Prej disa kohësh, së bashku me studiues të tjerë, ai po punon për organizimin e së parës konferencë ndërkombëtare, të titulluar "Ali Pashë Tepelena, burrë shteti i shquar shqiptar". Studiues shqiptarë e të huaj do të referojnë mbi aspekte të caktuara të kësaj figure historike shqiptare. Madje pritet që të sjellin edhe këndvështrime të pa rrokura më parë. Në intervistën e mëposhtme, Afrim Karagjozi tregon se si lindi ideja e një konference të tillë dhe çfarë pritet të realizohet përmes saj.

Aktualisht ju jeni duke punuar mbi një projekt për organizimin e një konference ndërkombëtare për Ali Pashë Tepelenën. Cilat janë arsyet që ju çuan drejt saj?

Me këtë projekt, të titulluar "Ali Pashë Tepelena, burrë shteti i shquar shqiptar", nuk merrem vetëm unë, por edhe disa studiues të tjerë, si dhe donatorë dashamirës do të japin ndihmesën e tyre për organizimin e kësaj Konference Ndërkombëtare për Ali Pashën, e para e këtij lloji. Ideja e shprehur prej meje besoj se ka qenë edhe dëshira e historianëve në përgjithësi dhe e studiuesve të Ali Pashës në veçanti. Është nismë e "U.F.O. University", e mbështetur nga presidenti i tij, z. Astrit Veliaj. Ideja ime është një bashkim i mendimeve, diskutimeve dhe dëshirave të adhuruesve të Ali Pashës, e shprehur jo rastësisht. Në korrik të 1997-ës, gjatë një muaji kërkimesh në Oksford, rastisi të lexoja një libër, i cili është një shtrembërim i të vërtetave historike. Ka disa libra të botuar disa dhjetëvjeçarë më parë që e shëmtojnë figurën e Ali Pashës. Çështja e portretizimit është një e drejtë subjektive e autorit, por shtrembërimet historike janë të padurueshme e të papranueshme. Pak kohë më parë, shtëpia botuese "Dituria" solli në shqip librin "Bonaparti Mysliman", të Katherin Flemming, profesoreshë në Universitetin e Nju Jorkut. Është studim serioz dhe i saktë. Meqenëse viti 2009 është edhe 200-vjetori i vizitës së Lord Bajronit në Shqipëri, pas këshillimeve me studiuesin, shkrimtarin Sabri Godo dhe me prof. dr. Beqir Meta, historian, drejtor i Institutit të Historisë, vendosëm t‘i përkushtojmë edhe Ali Pashë Tepelenës një Konferencë Ndërkombëtare.

Në çfarë faze të punës jeni dhe si do të jetë e konceptuar kjo konferencë?

Jemi në fillim dhe data e vendosur, 15-16 maj 2009, po vjen me nxitim, ndaj mund të them se jemi paksa të vonuar. Kemi pasur edhe arsye objektive, por besoj se kushdo që do të dojë të kumtojë me pak përkushtim, do të mund të arrijë me sukses deri në paraqitjen e kumtesave. Konferenca është e thjeshtë dhe standarde në mënyrën e organizimit. Vetë profesor Beqir Meta, me përvojën që ka, do të merret me anën akademike të saj. Parashikojmë edhe ndonjë veprimtari kulturore. Kam rastin t‘i ftoj të gjithë ata/ato që dëshirojnë të japin mbështetjen e nevojshme financiare, t‘i përgjigjen kërkesës sonë si shqiptarë që e duan Ali Pashën dhe të vërtetën për të. Dhe personalisht besoj se ka shumë të tillë, prandaj dhe e nisëm këtë projekt.

Ali Pashë Tepelena është bërë personazh i shumë botimeve të huaja. A do të ketë ndonjë kriter përzgjedhës për personat që do të referojnë?

Ali Pashë Tepelena nuk është vetëm personazh i autorëve të huaj. E vërteta është se që nga bashkëkohësit e gjer në ditët tona, Ali Pasha ka tërhequr më shumë vëmendjen e studiuesve, historianëve dhe udhëtarëve të huaj se sa shqiptarë. Por tani ka një dukuri tjetër: shkrimet, studimet dhe librat e autorëve shqiptarë janë shtuar dhe janë më të sakta, më shkencore, më të plota, më të vërteta. Përveç librave të Sabri Godos, Ilir Ushtelencës, Irakli Koçollarit, etj., shtëpitë botuese po sjellin në shqip një sërë përkthimesh, të cilat e plotësojnë boshllëkun e viteve. Kam rastin t‘i përgëzoj që të gjithë. Mendoj se referuesit nuk do t‘i caktojmë ne. Kushdo që dëshiron mund të përzgjedhë një temë për të cilën do të referojë. Një komision akademik do të vlerësojë kumtesat më të mira.

A parashikohet që në këtë konferencë të prezantohen edhe aspekte të panjohura të kësaj figure?

Një nga synimet e kësaj Konference Ndërkombëtare është që të sjellë diçka të re. Dua të besoj se, pavarësisht numrit të madh të shkrimeve dhe librave për Ali Pashën, ka ende aspekte të panjohura të figurës komplekse të tij. Nuk dyshoj se çdo gjë të re që do të sjellë kjo konferencë, do ta vendosi Ali Pashë Tepelenën në vendin e merituar si burrë shteti i shquar shqiptar.

Cila është lidhja juaj me këtë personazh të historisë shqiptare?

Mund të them se është edhe lidhje e vjetër shpirtërore. Më duhet të pohoj se krahas letërsisë, madje po aq që në rini, më ka pëlqyer edhe historia në përgjithësi dhe historia e shqiptarëve në veçanti. Brenda kësaj historie ka figura të spikatura, që nga Teuta e deri te mbreti Zog. Veç të tjerëve, më ka pëlqyer i ashtuquajturi bandit, kriminel, grabitës, Ali Pashë Tepelena. Sigurisht jo se më pëlqejnë këto "zotësi", por sepse jeta e tij u mbush me vepra e bëma zulmëmëdha dhe vdekja e tij ishte me lavdi, që si shqiptar, më ka cytur simpatinë që herët. Kur mblidhja lëndën për librin tim "Xhorxh Bajroni" (1987), me dhe për kënaqësi, kam lexuar në anglisht mjaft libra edhe për Ali Pashën. Libri madhor i Sabri Godos ishte një frymëzim i mirëfilltë e nxitës. Dashuria dhe bukuria me të cilat është shkruar ai libër, na shtoi edhe neve nderimin dhe dashurinë për Ali Pashë Tepelenën. Një studiues francez i atyre kohërave thoshte se shqiptarët kanë tre burra të mëdhenj në historinë e tyre: Pirron e Epirit në lashtësi, Skënderbeun në mesjetë dhe Ali Pashë Tepelenën në kohët moderne. Që herët e kam dashur,

por tani kam bindjen se është vërtet burrë shteti i madh.

Gjithnjë e më shumë duket sikur ka një tendencë kundërvënieje ndaj disa personazheve historikë. Çfarë ndodh me Ali Pashën?

Figura e Ali Pashës ka qenë ose e masakruar, e shëmtuar, e përçmuar, ose e vlerësuar me vërtetësi. Pra personaliteti i tij ka "mbijetuar" midis kundërtive. Mendoj se ka ardhur koha t‘i japim Ali Pashës atë që i takon Ali Pashës. Mangësitë, të metat, paudhësitë e tij feudale, të jenë në sfondin historik, por jo njolla në madhështinë e portretit apo personalitetit të tij. Sa për prirjet kundërvënëse, hera-herës, kur cenojnë të vërtetat historike, kulturore, simbole dhe çështjet kombëtare, mendoj se nuk duhen pranuar. Madje ndaj disave që kanë prirje mohuese apo shtrembëruese me prirje të qëllimta keqdashëse ndaj kombit shqiptar, duhen ndëshkuar. Kur kundërvëniet janë pozitive, me dëshira korrigjimi apo plotësimi, përmirësimi apo kthjellimi, atëherë janë të dobishme dhe të mirëpritura.

Në detaje të herëpashershme që bëhen të ditura në publikime dalin edhe detaje të jetës personale të Ali Pashës. Sa ndikojnë këto në tërësinë e figurës së tij?

Hollësitë për jetën personale të Ali Pashës janë përhapur që kur ai ishte gjallë. Tani veç mund t‘i përsërisim me synime poshtërimi. Personalisht jam i mendimit se hollësitë e jetës së dikujt nuk kanë pse të zënë vend në figurën e madhe apo të vogël të personazhit që trajtohet. Kur themi hollësi, nënkuptoj çikërrima që nuk ngjitin natyrshëm në një përshkrim shkencor apo historik. Ato çikërrima u përkasin autorëve me një çikë mendje.

Mes së vërtetës dhe trillimit, kufijtë janë shumë të mprehtë kur flasim për një kohë të shkuar. Si i shihni këto raporte në historinë e shkruar për Ali Pashën?

Periudha e Ali Pashës, ndonëse e gjatë 82-vjeçare, nuk është dhe aq e hershme. Ali Pasha është mjaft i dokumentuar dhe i përshkruar, ndonëse jo aq sa është në të vërtetë dhe jo aq sa duhet në historiografinë shqiptare. Dokumentacioni arkivor nëpër Evropë nuk është ende i hulumtuar. Kufijtë që përmendni ju janë të mprehtë, por janë larg njëri-tjetrit. E vërteta mbetet e tillë, veç të dalë në pah. Trillimet mbyten nga kjo e vërtetë. Sa për raportet e tyre në rastin e Ali Pashës, mendoj se studiuesit shqiptarë paraprijnë me seriozitetin e tyre. Tani, ndonëse pak, edhe të huajt po merren me të vërtetat e jo me trillet dhe trillimet. Shpresoj që kjo konferencë të jetë një nxitje për mbarë.

Kjo konferencë është një përpjekje për ta rehabilituar këtë figurë?

Oh, jo! Së pari janë studiuesit,historianët shqiptarë që me seriozitet e kanë zhvendosur për më lart figurën e Ali Pashës. Së dyti, kurrë nuk kam menduar të rehabilitoj atë figurë të madhe që pret këtë konferencë për ta rehabilituar. Mendoj se një personazh kaq madhor në historinë tonë nuk ka nevojë për ndërhyrje rehabilituese, por për korrigjime, saktësime dhe shpjegime shkencore. Fjala rehabilitim në këtë rast nuk shkon! Për këtë arsye edhe një herë ftoj të gjithë ata/ato që dëshirojnë të japin ndihmesën e tyre, të paraqesin temat pranë Institutit të Historisë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›