Virtuozët kthehen në Tiranë
Instrumentistët e vegjël të dikurshëm, nxënës të liceut artistik "Jordan Mosja" vite më parë, falë aftësive artistike të veçanta, shkollimit dhe mjeshtrit të tyre prof. Zhani Ciko, ishin të parët që "çanë bllokadën" kulturore dhe artistike, duke mahnitur me interpretimin virtuoz skenat, festivalet dhe konkurset evropiane, kthehen në Tiranë për një mbrëmje koncertore të veçantë. Ata sot janë solistë, koncert maestër dhe pjesëtarë të orkestrave prestigjioze në Milano, Paris, Vjenë, Indianapolis, Munih, Salzburg, Tiranë etj. Mjafton të përmendësh "Teatro la Scala", Julliard, Wiener Filarmoniker, Quattour Gaudi, Kammer Solisten, UECO, Salzburg Chamber etj., për të ndjerë fluturimin e tyre atje ku mbase edhe krijuesi e mjeshtri i tyre nuk e kishte menduar. Në datën 20 janar do të fillojë nën tingujt e harqeve të tyre "Stina artistike 2009". Koncerti organizohet nën kujdesin e Kryeministrit Sali Berisha dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Lulzim Basha.